Loading...

Mos i bjer shumë gozhdës së “ Diktaturës Moniste”

Hamdi-ISLAMI.jpg

Hamdi ISLAMI

(Reagim për shkrimin e F. Sulejmanit “Kadare- i dashuri dhe i urryeri ynë” në portalb. … – Ja, edhe kjo shtëpi ka qenë e gruas time, bijë agai, por, pas luftës, u është marrë, si shumë të tjerëve, dhe është bërë çerdhe për fëmijë! Ju shqiptarët andej keni qenë më mirë se ne këndej! Keni pasur pasaporta dhe keni mundur të shkoni ku të doni! Kur tha edhe këtë, Lavdim Dançolli nuk mundi të duronte më. I erdhi të ulurinte, po e mbajti veten. Pastaj ishte edhe në shtëpi të tij, se, po të ishin diku tjetër, edhe do ta bënte këtë. Mund edhe do ta pështynte, bile. E shikoi ngultas, me qëllim që t’i jepte të kuptojë se nuk ishte dakord, po ai vazhdonte me të vetën. Deri këtu paska ardhë puna, tha me vete i indinjuar. Ç’m’u desh të vij, ta hajë dreqi, ta hajë!Ah,sikur ta kisha dijtë,kurrë nuk shkelja këtu! Po ajo që mund të bënte ishte ta ndërpriste këtë vjellje vreri nga një alamet profesor. . – Profesor, – ia këputi në mes, – mua do më falni, se më duhet të shkoj.Nuk kam kohë, se kam edhe punë të tjera Do vij njëherë tjetër, – e gënjeu. – Falëmnderit shumë! Mori librin dhe u ngrit. Në atë moment ia behu në derë një djalë me do rollne letrash në duar. – E morëm, gjyshii! – bërtiti ai gjithë gëzim dhe iu hodh në qafë. Hapi njerën nga to për t’i treguar se e kishin privatizuar një pjesë nga ato që kishin pasur dikur si bejlerë në bregdet, – prej sot është e jona! – Urime, bir! – tha profesori dhe u përqafuan fort. Eh, mikrobi i pronës… mendoi Lavdimi me vete, nuk qenka zhdukur as pas dyzet vjetësh. Ah, sa mirë ua kanë bë! Prona, një e mirë me shumë të këqia… Por hyrja e një vajze të re nuk e la të shkojë më tej me këto mendime. Lavdimit, padashur, i shkuan sytë te këmbët e saj lakuriq gjer lart te minifundi. – Është vajza e Kadaresë, – e prezantoi profesori. Lavdimi nuk shprehu ndonjë habi. Vetëm i erdhi në mend emri Gresa nga poema për fëmijë “Princesha Argjiro” dhe mendoi se mos është ajo. Kishte mundësi ta pyeste, po nuk e pyeti. Kushedi pse, i ngjalli neveri. Që të katër dolën në oborr. – Po deshe, mund tëvijsh me ne, – i tha profesori Lavdimit, – do të shkojmë me pa nji ekspozitë skulpturash punuar në steropol. – Me gjithë qejf, se unë i dua shumë skulpturat! Te dera i priste furgoni i bardhë. Lavdimi u ngut të hynte i pari e të zinte vend afër dritares për të parë andej kah do të ecnin. Pranë iu ul vajza e Kadaresë ngjitur fort për të. E mbajti shikimin vazhdimisht përjashta, që mos i shkonin sytë, përsëri padashur, te këmbët lakuriq e të kapnin cepin e bardhë në mes, nën minifundin tani edhe më të shkurtër. Eu, ia bëri me vete, këtë paska dashur Kadareja që iku të jetojë në Francë në mes luksit e të pisllëkut. Për këtë paska qenë në zor! Edhe për këtë e shanë Enver Hoxhën dhe komunizmin në Shqipërinë e mbetur, se vajza nuk do të lejohej të vishej kështu. Ai që, kur ka dalë për herë të parë në Perëndim, si poet me talent të madh që është, vetëm me dy rreshta e ka përshkruar: Mirëmbrëma, Perëndim. Çdo gjë është e qartë. Reklamat shkëlqejnë poshtë, oxhaqet nxijnë lart. Ai që në poemën e tij të famshme”Përse mendohen këto male” në mes tjerash thotë: Priste Shqipëria, priste, Priste Partinë Komuniste. … Është ky një fragment i njërit nga tregimet e vëllimit të tretë të librit tim autobiografik “Gjurmëve të jetës”, me afro dy mijë faqe, ku rasti, mbreti i botës, e pruri ta takoj vajzën e Kadaresë, më 1994, te shtëpia e muzikologut e kompozitorit Ramadan Sokoli në Tiranë. E vura këtu jo për të treguar se kam shkruar libër, po i cytur nga shkrimi i F. Sulejmanit, postuar në Portalb, me titull shumë të qëlluar “ Kadare – i dashuri e i urryeri ynë”, për të cilin dua të bëj këtë reagim. Titull vërtetë i qëlluar, po shpjegimi është i mangët. U dha vetëm për njerën anë të medaljes, atë “i dashuri”, kurse për antitezën “ i urryeri” – asnjë fjalë. Dhe, sipas kësaj, shkrimi del jo i plotë, gjysmak. Si duket, nga dashuria e madhe që ka për Kadarenë si shkrimtar, për veprat e tij letrare, nuk don t’ia prishë “qejfin” vetes e t’ia thotë anën njerzore që në opinion ka kohë është bërë shumë e diskutueshme, e pikërisht për këtë është i urryer. Dhënia ekzaltuese pas tij, duke e quajtur me të drejtë Korife e Promethe të letërsisë, dhe pasioni për lexim,nuk besoj ta kenë verbuar para shumë opinioneve negative që kanë lexues e jolexues të ndryshëm për të, të cilët autori i shkrimit të gjithë i quan mediokër e snobistë. Në këtë thes, domosdo, ai e fut edhe shkrimtarin e madh edhe si njeri, Nasho Jorgaqin që, me dy letrat e hapura, sidomos me të dytën, si përgjigje letrës së Kadaresë për “një tregim me qen”, e fut si pulën në valë dhe e lë lakuriq. E veçon emrin e tij si njeri të pa karakter, Ismail, prej mbiemrit Kadare si talent i madh, duke i dhënë epitetin Magjistar të fjalës në veprat e shkruara para ’90-tës. Nuk e besoj që Fatmiri të mos i ketë lexuar këto, por, nëse jo, ta bëjë këtë sa më parë, bile më shumë se njëherë, e të mësojë bashkë mua se ku jemi ne e ku ata. E them këtë që mos i bjerë shumë gozhdës së “diktaturës moniste” të Shqipërisë së mbetur, ashtu si shoku im i dikurshëm, kolumnisti Xhabir Ahmeti, që nuk gjeti kurajon të më përgjigjet në kundërshtimin dhe kritikën që i bëra vetëm për një fjalë plumb që përdori ai, po në këtë faqe të Portalbit, para afro një vjet e gjysmë. Sepse, të gjithë këta të penës, përfshirë edhe Kadarenë, janë produkt i atij sistemi, i atij regjimi. Këtë ta dijë mirë, nëse don të jetë i realtë. Kadareja, falë talentit të tij që, padyshim, e ka të lindur, e që s’ka të bëjë me karakterin njerëzor që formohet gjatë jetës, u bë “i madh” në sajë të, për mua, kryeromanit botëror për të gjitha vendet e për të gjitha kohërat, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Ku e mori subjektin për ta bërë ai këtë? Pikërisht pas 20 vjetësh të asaj “diktature moniste”, kur e dërguan, si gazetar që ishte, të lajmëronte për bisedimet e filluara në mes dy qeverive, shqiptare e italiane, që këta të fundit t’i merrnin eshtrat e ushtarëve okupatorë, të vrarë nga partizanët e Enver Hoxhës. Këtu atij i lind idea për të shkruar një tregim, që më vonë e zgjeroi në novelë e roman. Po “DIMRI I MADH” në bazë të të cilit u bë edhe filmi “Ballë për ballë” e që poashtu e bënë “të madh”? Ishte ndarja me rusët, ku kryepersonazh ishte prapë Enver Hoxha, ndaj të cilit Kadareja pështyn në tavan, edhe pse ai i dha shqelmin Traktatit të Varshavës e, bashkë me të, edhe Bazës së Pashalimanit, kundër të cilës, Bazës së NATO-s në Aviano i ka kushtuar të mbahej me 3 miliardë dollarë në vit. Edhe romani “Kështjella” e bëri “të madh”. Kritika letrare e asaj kohe e vlerësonte si simbol të Shqipërisë së mbetur, që vërtet ishte ashtu, kështjellë, nën drejtimin e po atij Enver Hoxha. Pra trajton tema të mëdha, prandaj u bë “i madh”. Për këto dhe veprat e tjera, të shkruara para ’90-ës, kur unë, në sallën e Qendrës Kulturore në Tetovë, i bëra pyetjen me shkrim, a i pranon për të vetat, shoqëruesi i tij, Shaip Emurllai, nuk ia dha, që mos e vinte në situatë të sikletëshme… Dhe, në fund, nuk mund të rri pa e përmend përgjigjen e Dritëro Agollit, të madh edhe si NJERI, të dhënë pyetjes që iu bë për Kadarenë në Zvicër, pas rënies së atij sistemi: “Një zog, sado i madh të jetë, nuk e zbukuron dot qiellin, po janë edhe zogjtë e tjerë…” ( PS. Besoj ky reagim nuk do të ketë fatin e atij para një vjet e gjysmë, KUR I MENÇMI RRSHET PËR TERMA, me më shumë se 7 mijë lexime, dhe Xh. Ahmeti nuk denjoi të përgjigjet, për të mos rrëshqitur përsëri…) Hamdi ISLAMI

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media