Loading...

“Mulliri vjetër” historia e linjës Made in Albania hit në Tiranë

26186766_137869780213564_4042187390930911232_n.jpg

Shkruan: Rudina Xhunga

Te “Someg”, marr bukën përditë, te “Mulliri”, kafen. Dhe, besoj, jo vetëm unë, përderisa në çdo cep strategjik Tirane, i gjen tashmë si ‘Someg’ dhe ‘Mullirin’, gjë që më bëri të ndaloj dhe mësoj historinë e dy linjave “Made in Albania”.

“Mulliri i vjetër” vetëm emrin ka të tillë. Kur hyn, kupton që është një “mulli rinie”. Aty gjithçka është e re. Klientët dhe gumëzhima e tyre, aroma e kafesë së sapopjekur, vajzat e shërbimit, harmonia e ngjyrave, shkëlqimi i dritës dhe stolat e bukur, nga ku nuk të vjen të çohesh.

E gjitha nisi si një kafe lagjeje, aty tek ATSH. Me një pajisje të vjetër për bluarjen e kafesë, që ngjante si plaçkë për t’u hedhur, por Lulëzimit dhe Melisës u hyri në punë. Nga ajo e filluan. E pastruan dhe vunë në punë. Çoheshin herët dhe piqnin, bluanin kafenë dhe e paketonin për gratë e moshuara të lagjes, të cilat, të parat, u dhanë besim e zemër dy 24-vjeçarëve. Ju thanë që kafe si e tyrja, kishin pirë vetëm dikur dhe ata të dy bashkë, do bënin para.

Në 2004, hapën dyqanin e parë të ri, duke ikur nga dyqani i familjes. Me të njëjtin përkushtim dhe cilësi. Por me diçka më shumë, jo vetëm kafe, por edhe kafené. Që blerësit të rrinin më gjatë, të shërbeheshin më shumë, të shkëmbenin biseda e këshilla, si dikur në kafen e lagjes.

Kështu mori jetë linja e re e dyqaneve “Mulliri i Vjetër”, e cila ka tashmë tetë dyqane – kafené në gjithë Tiranën dhe një në Durrës. Kompania e prodhimit të kafesë është një sukses më vete. Kafen e saj e gjen jo vetëm në çdo market e supermarket cilësor të Shqipërisë, po edhe në Kosovë, Athinë dhe deri në Amerikë. Të blesh kafen “Mulliri i Vjetër” në Amerikë, është si të çmallesh me shtëpinë, me gjyshen, me oborrin, me të shkuarën, nga të ndan një jetë dhe një oqean, i thonë Melisës klientët.

Por jo pak lëvdata marrin edhe nga blerësit në Shqipëri që e kanë “Mullirin” zgjedhje të parë në një kohë me shumë zgjedhjesh për kafené.

11 vjet pas ‘94-ës, Lulëzimi dhe Melisa ia dolën. Nuk shkoi dëm asnjë urim e bekim i zonjave të moshuara të lagjes, afër ATSH, për atë kafenë erëmirë që nuk bëhej gjëkundi, më e dashur, se tek ata. Sepse të dy kanë vënë zemrën në këtë punë. Madje Lulëzimi edhe hundën. E shoqja thotë, që duhet t’i sigurojnë hundën, pasi nuk ka një të dytë, që të nuhasë si ai, kafenë e duhur, edhe kur ajo është jeshile. Sepse duan kafene e duhur. Është cilësia e para për të dy. Nuk mund të humbasin lehtë, çfarë bënë me aq mund. Dhe për të siguruar cilësinë ia kanë besuar punën e tyre vajzave. Qysh në nisje futën vetëm vajza në sektorin e shërbimit. Tani familja është shtuar me 70 vajza. Kështu e konsiderojnë veten, te “Mulliri”, një familje. Një familje që kërkon besim e përkushtim. Ndaj aroma e kafes së tyre është era e shtëpisë sime.

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media