Loading...

Nafta, mosmarrëveshjet me Greqinë shtyjnë kontratën me kompaninë britanike – VIDEO

0217.jpg

Përplasjet për bllokun e kërkimit të naftës “Joni 5”, nuk janë vetëm mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe mes vendit tonë edhe kompanisë, e cila ka marrë të drejtën për të kryer kërkimet, përplasje që mund të çojnë Shqipërinë në dyert e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Fillimisht marrëveshja është firmosur nga palët më datë 4 shtator të vitit 2006 dhe që është ratifikuar nga qeveria rreth një vit më pas, më 8 gusht. Por më pas, mes Shqipërisë dhe Greqisë lindën mosmarrëveshjet me ujërat kufitare dhe për këtë shkak marrëveshja u ndryshua në mesin e qershorit të vitit 2013 me motivin kryesor: “Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërqeveritare Shqipëri-Greqi për kufirin e ujërave detare do të rishikohen koordinatat e kufirit jug-perëndimor të bllokut “Joni-5”, në det, duke reflektuar koordinatat që do të përfshihen në këtë marrëveshje, në rast se ato rezultojnë me ndryshim nga ato të përcaktuara në kontratën ndërmjet palëve”.

Kjo shtyrje shkaktoi pakënaqësi nga kompania që në emër të palës shqiptare do të kryente kërkimet për naftë në detin Jon. Top Channel ka kontaktuar me kompaninë fituese të këtij projekti “Capricorn Albania Ltd”, e cila ka ndryshuar emër në “Orion Albania Ltd” më datë 06.03.2014.

Sipas dokumenteve të AKBN-së, kjo kompani duhet të përfundonte fazën e dytë të kërkimeve më datë 18.07.2014, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në komunikim zyrtar, përmes postës elektronike, përfaqësuesi i kësaj kompanie Joseph McKniff, shprehet për Top Channel: “Kompania Orion nuk është në pozitë në këtë moment për të diskutuar lidhur me çështje që kanë të bëjnë në zonën “Joni 5”. Unë po planifikoj të udhëtoj shumë shpejt në Shqipëri.”

Pas kësaj përgjigje, Top Channel ka kontaktuar Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në Shqipëri, zotin Dael Dervishi. I pyetur lidhur me zhvillimin e kërkimeve në det në bllokun “Joni 5”, Dervishi ka kthyer këtë përgjigje, përmes email-it: “Aktualisht jemi në një marrëdhënie mosdakordësie me kompaninë përkatëse për shkak të disa çështjeve që ende kanë mbetur të pa zgjidhura dhe nëse nuk do të zgjidhen me mirëkuptimin e palëve mundet edhe të përballemi në një proces arbitrazhi ndërkombëtar me ta. Nuk mund t’ju komunikoj detaje teknike për momentin, pasi vetë marrëveshja e hidrokarbureve përmban disa klauzola konfidencialiteti shumë të forta”.

Në një komunikim të dytë, përfaqësuesit e kompanisë “Orion”, me seli në Londer, shprehen se asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet e tyre me AKBN lidhur me bllokun Joni 5.

Edhe pse nuk konfirmohet verbalisht, përmes dokumenteve, duket se pretendimet e Greqisë për ndarjen e kufijve detar me Shqipërinë, kanë çuar dhe ne bllokimin e punës në bllokun “Joni 5”, ku dhe me gjasë mund të penalizohet financiarisht./T-Ch

Komentet

Leave a Reply

Top