Ndërtimi i bulevardeve dhe rrugëve të reja, për zbutjen e ngulfatjes së komunikacionit në Tetovë

elmir-1.jpg

MSc.Elmir M.Mustafai

Me rritjen e numrit të automjeteve dhe numrit të banorëve, ndërtimi intensiv i objekteve kolektive, faktorët ekonomik dhe social, teknologjia e menaxhimit me komunikacionin, si dhe elementet tjera kanë ndikuar në ndryshime të rëndësishme në sistemin e komunikacionit të qytetit të Tetovës. Çdo regjim në nivel lokal apo qendror, përfshinë vendimet e politikave të rëndësishme në shkallën e investimeve kapitale, duke i dhënë përparësi dhe duke financuar projekte të ndryshe infrastrukturore, qofshin ato ndërtim i rrugëve apo objekteve infrastrukturore të reja, ose qofshin ato rikonstruim apo rindërtim i objekteve (rrugëve) infrastrukturore ekzistuese.

Qyteti i Tetovës si qendër e Komunës e Tetovës dhe rajonit të Tetovës që përfshinë gjashtë komuna me 94 vendbanime, dhe popullsi rreth 200.000 banorë, ka nevojë për sistem të rrjetit rrugor që do ti kënaqë nevojat e lëvizjes së lirë të automjeteve në komunikacion pa ngufatje të komunikacionit. Me zhvillimin e hovshëm të motorizimit në periudhën e viteve 2007-2014, ku numri i automjeteve është trefishuar, në krahasim me numrin e banorëve që është rritur rreth 5%, si dhe me ndërtimin e ndërtesave shumë katëshe kolektive në vend të shtëpive individuale, në pjesën qendrore të qytetit, dukshëm është ndryshuar pamja urbane e qytetit të Tetovës, kurse në aspektin e ndërtimit të rrjetit të ri rrugor shumë pak është investuar.

Me Planin Gjeneral Urbanistik për qytetin e Tetovës, janë paraparë 4 bulevarde kryesore, të cilët janë: bul.Iiria (M.Tito), Ilindenit, B.Toska dhe V.S.Bato (Industriale), prej të cilave asnjëra nuk është e ndërtuar tërësisht.

Deri në vitin 2009 janë bërë investime kapitale në ndërtimin dhe zgjerimin e bulevardeve dhe rrugëve të reja në rajonin qendror të qytetit të Tetovës si psh. zgjerimi dhe ndërtimi i bulevardit të Ilindenit, janë ndërtuar disa rrethrrotullime, depërtimi i bulevardit Iliria, kurse në periudhën 2009-2013 është depërtuar rruga B.Kidriç te posta prej bul.Ilindenit, janë ndërtuar disa rrethrrotullime si ajo te bul.Iliria me rr.Jane Sandanski, që e kanë lehtësuar qarkullimin e automjeteve në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës. Prej vitit 2013 e këndej nuk janë bërë investime në ndërtimin apo zgjerimin e bulevardeve dhe rrugëve të reja, edhe pse janë bërë shumë investime kapitale në infrastrukturë, si psh.rikonstruimi i bulevardit kryesor “Iliria” në gjatësi prej 1000 metra dhe me sipërfaqe mbi 20000 m2, është bërë rikonstruimi i rr.171, i rrKongresi i Manastirit (I.L.Ribar), kurse në procedurë eksproprijimi, projektimi apo realizimi janë: bul.B.Toska (te spitali), bul.V.S.Bato (te q.sportive), bul.B.Toska (te kazerma), si dhe ura te shkolla e vjetër medicinale që ka filluar të ndërtohet.

Problem kryesor në ndërtimin e bulevardeve dhe rrugëve të reja paraqet procedura e eksproprijimit, sepse kushton disa herë më shumë se sa vetë investimi në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. P.sh.nëse duam të hapim një rrugë në pjesën qendrore të qytetit, vlera e tokës që duhet të eksproprijohet kap vlerën rreth 200 euro/m2, kurse për objektet mbi 400euro/m2, që është trefish apo deri 10 herë më e madhe se vlera e ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Dmth për 1000 m2 patundshmëri që duhet të eksproprijohet, me ato mjete  mund të ndërtojmë rrugë prej 3000 deri 10000m2.

Bulevardet paraqesin arterie kryesore të qytetit, që paraqesin infrastrukturë rrugore, prej më së paku dy rrugëve, për dy kahje, me më së paku me nga 2 korsi komunikacioni për një kahje.

Në bulevardin e Ilindenit, afër gjyqit, duhet të zgjerohet pjesa e bulevardit në drejtim të Gostivarit, sepse paraqet “grykë” të ngushtë të komunikacionit. Gjithashtu, bul.”Ilindenit” duhet të depërtohet në pjesën prej afër postës deri te stadiumi i qytetit, që kap një gjatësi prej 650 metra, dhe me sipërfaqe prej rreth 14000m2. Ky bulevard, shumë do ta shkarkoje komunikacionin prej rr.R.Krushevës (I.L.Ribar) dhe prej bul.”B.Toska, dhe do ta lehtësoje qasjen e automjeteve që vijnë nga pjesa verilindore e qytetit gjegjësisht rruga regjinale Tetovë-Jazhincë.

Në bulevardin “B.Toska”, duhet në dy lokacione të intervenohet, njëra prej udhëkryqit me rr.M.P.Derralla (29 nëntori-afër spitalit) deri te rruga “107”, që kap një gjatësi prej 1050 metra dhe një sipërfaqe prej 22000m2. Ky bulevard, do ta shkarkoje komunikacionin e bul.”Ilindenit” dhe bul.”V.S.Bato” si dhe disa rrugëve lokale. Kjo pjesë është në procedurë eksproprijimi, dhe shpresojmë se së shpejti do të realizohet.

Pjesa e dytë e këtij bulevardit është afër kazermës, që vazhdon deri te rruga Dëshmorët e kombit, dhe kap një gjatësi prej 600 metra, ku një pjesë në gjatësi prej afër 200 metrash nuk ka procedurë eksproprijimi, dhe mund të realizohet. Kjo pjesë ndjeshëm do ta zvogëloje komunikacionin edhe ashtu të ngarkuar para shkollës fillore dhe gjimnazit “7 marsi” që gjithmonë kanë problem dhe rrezik për nxënësit.

Bulevardi “V.S.Bato” (industriale) është me gjatësi më të madhe, ku pjesa e parë në gjatësi prej 600 metra dhe sipërfaqe 13000m2, është prej te rr.B.Kidriç deri te rr.”159″ (rruga e kazermës). Kjo pjesë e bulevardit, do ta lehtësojë qarkullimin e rr.B.Kidriç (rruga e stacionit) ku graviton shkolla fillore “Bratsvo-Migjeni”, gjithashtu do ta lehtësoje qarkullimin në bul.”B.Toska” ku graviton shkolla e mesme ekonomike, kjo do të ndikojë më shumë në qarkullimin e automjeteve të rënda si psh.kamionëve. Kurse nëse vazhdohet ky bulevard duhet të ketë lidhje me rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë afër urës së lumit të f.Poroj (afër Zgjimi kompanisë).

Në procedurë të realizimit është edhe ndërtimi i urës së “Kazazit” afër shkollës së vjetër medicinale (gjimnazit) dhe stacionit policor, që do ta lidh rrugën Gj.Stojçeski me rr.Gj.,Petrov, që ndjeshëm do ta lehtësojë qarkullimin e lagjes Çarshia e epërme, si dhe bul.Ilindenit. Ndërtimi i rrethorrotullimit te zjarrfikësit gjithashtu do ta lehtësoje qarkullimin në lagjen e bllokut 70, etj.

Dmth.investimi në infrastrukturë të re, në qytet, ku ka më së shumti prona private, është problem në vete për qeverisjen lokale, e cila rrallë herë ka mundësi me mjetet e veta të bëjë investime kapitale të këtij lloji.

Komentet
Top