Loading...

Ndërtimi i sheshit Skënderbeu, me hapa breshke

sheshi-640x453.jpg

Pesë vite nga promovimi i sheshit “Skënderbeu” në Shkup për të cilin u tha se do të ndërtohet në tre faza brenda dy viteve, ende nuk kanë përfunduar punimet për fazën e dytë. Afati i parë për përmbylljen e punimeve ishte caktuar në vitin 2014, por i njëjti u shkel ndërsa aktualisht po punohet vetëm në ndërtimin e një tarrace mbi bulevardin Goce Dellçev. Stërzgjatja e punimeve ka shkaktuar tollovi në këtë pjesë që është ndër më të frekuentuarat në kryeqytet.

“Këtë e kanë nis që 4 ose 5 vjet e hala nuk e kanë bë gati, kjo nuk është kurrgjë, sipas meje kjo nuk nevojitet për asgjë, veç çka humbin kohë, Dil andej urës dhe e sheh vet, çfarë të drejta kanë edhe çfarë pune kane punuar, na kanë gjet neve dhe po e bëjnë punën paushall”.

“Komunikacioni vërtetë është I çrregulluar por punimet më duket se po zhvillohen. Çfarë të them, është komplikuar diçka puna”.

“Gurthemeli për ndërtimin e sheshit Skënderbeu është hedhur që në vitin 2012. Që prej atëherë e deri më sot projekti është përballur me ndryshime të shumta që nënkupton se të gjitha ato që u paralajmëruan se do të përfundojnë brenda dy ose tre viteve nuk kanë nisur akoma”.

Pavarësisht revoltës së qytetarëve rreth ngecjes së projektit dhe insistimit të televizionit Alsat për të marrë përgjigje për zvarritjen e punimeve, nga komuna e Çairit nuk komentuan vonesat dhe shkeljen e afateve.

“Nuk kam koment, tregon vet puna..nuk e di çka t’ju them. Jo vetëm që bëhemi nervoz por nuk e di si jemi duke duruar”.

“Nuk besoj që nuk I pengon dikujt. Si mos të të pengoj, tashmë një vit e tepër është kjo tollovi, ndërsa unë vazhdimisht kaloj këndej”.

Sheshi në fjalë ishte paraparë që të ndërtohet në tre faza, me një kosto të përgjithshme prej afro 10 milionë eurove. Faza e parë u përfundua në vitin 2013, me të cilën u bë rikonstruktimi i dyqaneve në afërsi të përmendores së Skënderbeut.

Në fazën e dytë që ka filluar vitin e kaluar parashikohet ndërtimi i një tarrace në formë mbikalimi pranë bustit të Skënderbeut, me të cilën mbulohet një pjesë e bulevardit “Goce Dellçev”. Ndërkohë faza e tretë e projektit për të cilën ende nuk kanë filluar punimet, parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Komentet
Top