Ndryshimi në Kuba/ Sot mbaron epoka e vëllezërve Kastro

raul-fidel-kastro.png

Kur presidenti i Kubës, Raul Kastro, të largohet këtë javë, do të jetë hera e parë në gati gjashtë dekada që ishulli do të udhëhiqet nga dikush, emri i të cilit nuk është Kastro.

Asambleja Kombëtare kubane mblidhet sot për të zgjedhur presidentin e ardhshëm, i cili pritet të jetë zv.presidenti aktual, Miguel Diaz-Canel.

Dorëzimi do të shënjojë fundin e një epoke: ‘Kuba pa Kastrot’, e cila ka qenë një ëndërr për të gjithë mërgimtarët kubanë që jetojnë në Florida, dhe një politikë e ndjekur me forcë nga shumë presidentë amerikanë. Por, edhe pse në prag të një ndryshimi të tillë, në rrugët e Havanës ndjehet indiferencë, jo shpresë.

(Rual Castro dhe Miguel Diaz-Canel) 

Nuk ka asnjë poster apo tabelë për liderin e ri. Identiteti i këtij të fundit nuk është temë bisede dhe askush nuk dyshon se sistemi politik ekzistues do të mbetet i paprekur. Siç thotë dhe një shprehje kubane: “Askush nuk mund ta rregullojë, por askush nuk mund ta rrëzojë”.

“Një president i ri nuk do të ndryshojë asgjë, kështu që nuk është e rëndësishme për mua. Unë mendoj se gjithçka do të mbetet njësoj.” – shprehet Shuga Victoria Esteves, 27 vjeç, rrugës për të blerë bukë.

Yadiel Sintra, 30 vjeç, një punonjës ndërtimi që punon në sektorin privat të Kubës tha se nuk ishte në dijeni se vendi do të kishte një president të ri. “Tani e mora vesh që fola me ju” – u shpreh ai.

Diaz-Canel pritet gjerësisht të përfaqësojë vazhdimësinë e këtij sistemi dhe pak kubanë presin ndonjë ndryshim dramatik. Kështu mendon Rafael Hernandez, një analist politik dhe anëtar i Partisë Komuniste.

Në Kuba nuk ka zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale. Të 605 ligjvënësit që përbëjnë Asamblenë Kombëtare të Kubës u zgjodhën këtë mars ishin pa kundërshtarë në garë.

“Nëse një president i ri do të përfaqësonte një ndryshim thelbësor në jetën e njerëzve, kubanët do të ishin shumë të fokusuar. Por, kubanët nuk e shohin të tillë këtë situatë.” – u shpreh Rafael Hernandez.

Edhe pse larg presidencës, 86-vjeçari Raul Kastro, do të mbetet shumë prezent në politikën e Kubës. Vëllai i ish-presidentit Fidel Kastro do të vazhdojë të jetë Sekretari i Parë i Partisë Komuniste deri në vitin 2021.

“Presidenti i ri do të ketë më shumë pushtet në përditshmëri. Por, kurdo që mund të ketë kriza apo probleme të mëdha me SHBA-të, politikën e jashtme apo ekonominë, fjala e Raulit do të jetë fjala e fundit.” – u shpreh Hal Klepak, autori i biografisë së Raul Kastros.

Diaz-Canel, një reformist i kujdesshëm i zgjedhur nga Raul Kastro, pritet të zhvillojë reforma të orientuara drejt tregut të lirë, por pa sakrifikuar në asnjë rast politikat sociale të Kubës.

Shëndeti dhe arsimimi mbeten falas në Kuba. Vendi ka më shumë mjekë për frymë se çdo shtet i Amerikës dhe jetëgjatësia është 79 vjeç. Ndërsa kubanët që punojnë në shtet stepen pak kur duhet të blejnë mish dhe perime, ushqimet e domosdoshme janë të garantuara nga shteti.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se qeveria vazhdon të ndëshkojë të pakënaqurit, ose ata që bëjnë kritika publike.

Numri i të burgosurve politikë afatgjatë në Kubë u ul ndjeshëm me Raul Kastron si President. Qeveria u zhvendos nga dënimet me burgime afatgjata, në arrestime dhe lirime afatshkurtëra, ku bëhet fjalë për vetëm disa orë. Por, Komisioni Kuban për të Drejtat e Njeriut njoftoi se sërish, vitin e kaluar, u arrestuan më shumë se 5 mijë persona për arsye politike.

Edhe pse ka më shumë se një dekadë që është pjesë e qeverisë, politikat e Diaz-Canel janë të panjohura për shumicën e kubanëve. Fshehtësia e tij tregon shumë për mënyrën si funksionojnë punët publike në këtë ishull, ku ka vetëm një parti politike që njihet nga ligji, dhe çdo fushatë tjetër politike ndalohet me ligj.

Si ish-ministër i Arsimit të Lartë, Diaz-Canel është kritikuar për daljet e tij të ashpra në media. Por sërish, imazhi i tij është rrënjësisht i ndryshëm nga Fidel Kastro dhe vëllai i tij Raul.

Si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste në provincën Villa Clara në vitet ‘90-të, ai ishte i njohur për flokët e tij të gjatë dhe xhirot me biçikletë me pantallona të shkurtra nëpër Bermuda. Diaz-Canel ishte dhe një avokat i fortë i të drejtave të LGBT, në një kohë kur homoseksualiteti u dënua nga shumë pjestarë të partisë në provincën Villa Clara.

Por, ç’është më e rëndësishmja, Miguel Diaz-Canel lindi pas revolucionit kuban (1953-1959, i udhëhequr nga Fidel Kastro dhe Ernesto “Che” Guevara. Nëse zgjidhet, ai do të jetë gjithashtu i pari lider jo-ushtar, i cili do të drejtojë kombin që nga viti 1959.

“Është e dobishme të kemi një lider që ka dalë përmes sistemit, por që nuk drejton vendin përmes përdorimit të armëve” – u shpreh Hal Klepak, autori i biografisë së Raul Kastros.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL

Komentet
Loading...
Top