Në Shqipëri, pro dhe kundër EURO-s si monedhë kombëtare

EURO-POUND-604984-780x439.jpg

Përshtatja e euros si një monedhë kombëtare , duke e zbatuar atë në mënyrë të njëanshme, pa pritur që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe më pas në eurozonë, është një ide që përqafohet nga disa ekspertë të ekonomisë, por për të tjerë është e parakohshme.

Partizani kryesor i përdorimit të euros si monedhë kombëtare është eksperti Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptarë për Kërkime Ekonomike. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare (përveç Malit të Zi dhe Kosovës që tashmë e kanë hedhur këtë hap), ta përfshijnë atë në idetë e ofruara konverguese të procesit të anëtarësimit ne BE të mundësuara nga Procesi i Berlinit (që mund të mbështesë edhe përgatitjen e kësaj strategjie) dhe t’i japin mbështetje politike këtij procesi shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin.

“Kjo do t’i shërbejë si ndërtimit të një zone ekonomike të rajonit, por edhe përshpejtimit të procesit të integrimit Europian te vendeve të Ballkanit Perëndimor jo thjesht duke konkurruar individualisht, por duke zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin ndër-ballkanik, e sidomos bashkëpunimin ekonomik, tregtar e monetar ndër-shqiptar, si pjesë e rëndësishme e këtij procesi”, thotë Preçi.

Edhe profesor Selami Xhepa pohon se gjithnjë ka qenë dhe mbetet një mbështetës i fortë i zëvendësimit monetar, pra që vendi të kalojë në përdorimin zyrtar të euros si monedhë kombëtare. “Në fakt, qytetarët tashmë e kanë bërë këtë gjë, pasi kursimet dhe aktiviteti kreditues janë dominuar nga monedha euro.

Po ashtu, procesi i formimit të çmimeve të brendshme ndjek logjikën e kursit të këmbimit të euros, pra çmimet efektivisht formohen në euro, pavarësisht se në çfarë monedhe kryhet pagesa. Vendet e vogla, me ekonomi të hapur dhe me tregje të cekëta valutore, vendet me nivele të ulëta të zhvillimit ekonomik dhe me probleme historike të destabiliteteve ekonomike e monetare [për shembull, në brenda një dekadë të viteve ’90, përjetuam vitin 1992 (liberalizimin e çmimeve), 1997 dhe 1998], e kanë një sjellje normale zëvendësimin monetar.

Prandaj, ky është një fenomen i përhapur në ekonomitë e rajonit tonë dhe në ato në tranzicion, në vendet e Amerikës Latine etj. Siç e ka provuar edhe përvoja e Kosovës dhe Malit të Zi, paraja nuk ka qenë as kura shëruese e problemeve të tyre të nënzhvillimit, por as edhe problemi serioz i menaxhimit të disbalancave makroekonomike. Në fakt, ato kanë pasur një problem më pak, atë të rreziqeve të kurseve të këmbimit dhe nevojës për të zhvilluar politika monetare, të cilat më shumë janë një luks i vendeve me kapacitete dhe mundësi për ta shfrytëzuar atë. Luksemburgu, një ndër më të pasurit në botë, nuk ka pasur asnjëherë bankë qendrore. Të pasurit e një banke qendrore gjithashtu nuk është se ka ndihmuar vendet e pazhvilluara të zhvillohen”, thotë Xhepa.

Një tjetër mbështetës i përdorimit të euros është prof.Ilia Kristo, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. “Duke gjykuar prirjen e vendeve “më të varfra” anëtare të BE-së, Rumani e të tjerë për kalimin në euro, sipas informacioneve të fundit, si dhe Kosova e Mali i Zi, që janë të varfra gjithashtu, por jo anëtarë të BE ende, gjykoj që edhe Shqipëria do të ishte mirë të përshtaste euron si monedhë, ku me gjithë kostot afatshkurtra që mund të ketë, në perspektivë duke konsideruar të ardhmen europiane të padiskutueshme, do të ishte një lëvizje e mirë.

Natyrisht bazuar në kërkimet e studimet përkatëse paraprake për këtë lëvizje. Gjykoj qe edhe pa euron “monedhë kombëtare” në Shqipëri, në dallim nga vendet e tjera anëtare apo jo anëtare të BE-së, Kroacia etj., në rajon, në vendin tonë, euro përdoret, si për çmimet në treg “në xhamat e dyqaneve” por edhe, pagesat mund të bëhen në euro, në këto kushte edhe për këtë nuk do të ishte keq që euro të përshtatej si monedhë kombëtare. Natyrisht, ky është vetëm një opinion, apo hipotezë!”, pohon ai.

 

KUNDËR

Shumë ekspertë janë kundër dhe mendojnë se është e parakohshme që ekonomia shqiptare të përdorë vetëm euron.

Arben Malaj

Profesor Arben Malaj thotë se analiza e historike e krijimit te eurozonës, përfshirja e vendeve të ndryshme me shkalle të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit financiare na mëson së zëvendësimi i monedhës kombëtare me euron, nuk duhet të jetë një proces politik, por një proces i kujdesshëm ekonomik. Teoria e zonave të monedhave të përbashkëta e Profesor Mundell, plotësimi i tre kushteve ekonomike dhe tre kushteve politike është e vlefshme edhe sot.

Rasti i Malit të Zi apo Kosovës nuk ka bazë krahasimi me ne, sepse ato ishin ekonomi që e kishin humbur monedhës e tyre kombëtare shumë më shpejt se të aplikonin euron, kjo sepse këto vende të bazuara tek të ardhurat hyrëse në valutë të huaj në DM kishin dy rrugë : (i) të ktheheshin pas tek monedhat kombëtare ose (ii) të përdornin euron.

Ekspertët ndërkombëtarë ishin për opsionin e dytë. Pra Mal i Zi dhe Kosova janë përjashtimisht vende që përdornin euron pa qenë pjesë e eurozonës.
Për vendin tonë ka gjithashtu vlerë analiza e vendeve të sëmura” të BE-se, grupi i vendeve PIIGS (Portugalia, Italia, Irlanda, Greqia dhe Spanja) të cilat edhe pse përdornin euron, kishin probleme të mprehta strukturore, ndaj në krizën e parë pas përdorimit të euros në 2002, ata u prekën rëndë ku për mungesë produktiviteti Greqia, Spanja dhe Portugalia u goditën aq rëndë sa papunësia e të rinjve mbërriti në nivelet 40-55%. Pra aplikimi i euros nuk i shëroi problemet e tyre të mprehta të produktivitetit të ulët dhe borxheve të larta, thjeshtë e fshehu sëmundjen dhe e bëri atë më të rëndë. Masat korrektuese te deficiteve të larta tyre buxhetore prodhuan kriza të renda, sidomos sociale,

Në nuk duhet të synojmë një aplikim të një anshëm të euros, në duhet të përgatitemi mirë për anëtarësimin në sistemin monetare europiane dhe me vonë për anëtarësim në euro.
Pa një përafrim të funksionimit të shtetit ligjore, pa një përafrim institucional dhe pa një konvergjence ekonomikë e mbështetur tek produktiviteti i ekonomisë sonë dhe stabiliteti financiarë, kostot e aplikimit ten një anshëm të euros mund të ishin më të mëdha, më të rënda dhe më afatgjatë.

Adrian Civici

Edhe profesor Adrian Civici është i mendimit se adoptimi në mënyrë të njëanshme i euros si monedhë e vetme, duke eliminuar lekun, nën shembullin e Malit të Zi dhe Kosovës, më duket i pamundur dhe i papërshtatshëm në këto momente. Kosova dhe Mali i Zi u gjendën në një situatë e kontekst krejt tjetër, kur vendosën të kenë si monedhë nacionale euron. U gjendën në një moment kur Jugosllavia dhe dinari jugosllav nuk ekzistonin më, në një moment kur donin të shkëputeshin plotësisht nga Serbia dhe kontrolli monetar i saj. Adoptimi i euros si monedhë, kërkon së pari anëtarësimin në BE dhe Eurozonë.

Së dyti, kërkon një proces serioz axhustimi ekonomik e monetar me Bankën Qendrore Europiane, të ngjashëm me procesin e anëtarësimit në BE. Adoptimi i euros në mënyrë të njëanshme ka një sërë pikëpyetjesh e rreziqesh, që lidhen me pamundësinë e kryerjes së politikës monetare, përballimin me rreziqet e ndryshimit të kursit të saj, që burojnë nga një politikë monetare, ku Shqipëria nuk ka asnjë mundësi ndikimi apo bashkëpunimi, rrezikut të deflacionit dhe rritjes së çmimeve, kostot e larta të sigurimit të sasisë së nevojshme të eurove në qarkullim, në kuadrin e masës monetare të domosdoshme, etj.

Si përfundim, mendoj se në muajt apo disa vite në vazhdim, është më e vlefshme një politikë monetare sa më cilësore, në menaxhimin e inflacionit dhe vlerës së lekut, përfshirë këtu dhe kujdesin prudencial në kuadër të de-euroizimit, se sa një kalim në mënyrë të njëanshme në përdorimin e euros, si monedhë të vetme në Shqipëri.

Prof. Assoc. PhD Arjan Kadareja

Prof. Assoc. PhD Arjan Kadareja mendon se adoptimi i euros do të ishte një “xhaketë e ngushtë” për ekonominë shqiptare.
Në situatën e tanishme, ne kemi nevojë për lekun. Kundrejt ekonomive të Eurozonës, ekonomia shqiptare ka asimetri si strukturore ashtu edhe për sa i përket përbërjes së eksporteve dhe konkurrueshmërisë. Kjo do të thotë se ekonomia jonë mund të jetë pre e goditjeve asimetrike krahasuar me Eurozonën që, më tej, do të thotë se politika monetare e lekut na duhet dhe se na bën punë.

Po jap një shembull nga ekonomia greke. Greqia ishte pjesë e Eurozonës kur u godit nga kriza e borxhit. E vetmja mënyrë për të mbetur në Eurozonë dhe për t’u ngritur ishte ulja e rrogave, pensioneve dhe shpenzimeve buxhetore, d.m.th. rritja e konkurrueshmërisë. Kjo gjë është në rrugën e realizimit, por grekët e shtrënguan shumë rripin.

Nëse euro do të ishte monedha kombëtare, atëherë do të kishte anë të mira dhe probleme. Ndër të mirat futen importi i politikave të mira e me reputacion të Bankës Qendrore Europiane. Kjo do të thotë inflacion i stabilizuar dhe ekonomi ku, përmes politikave të BQE-së u reagohet mirë zhvillimeve negative që godasin njëlloj ekonominë shqiptare dhe atë të Eurozonës. Adoptimi i një monedhe të fortë si euro e disiplinon ekonominë e vendit në kuptimin që e vetmja mënyrë për të ecur përpara është rritja e konkurrueshmërisë dhe jo mbështetja tek politikat lehtësuese të zhvlerësimit të kursit të këmbimit.

Ndër problemet janë humbja politikëbërjes monetare dhe e mundësisë së reagimit në rast të goditjeve asimetrike që e ndikojnë ndryshe ekonominë shqiptare dhe ndryshe atë të Eurozonës. Për shembull, një ulje e çmimeve të naftës e mineraleve është problematike në Shqipëri sepse sjell ulje eksportesh dhe të ardhurash për qeverinë, ndërsa është e mirëseardhur në Eurozonë. Nëse do të kishim monedhë euron, nuk do të bënim dot gjë, sepse Banka Qendrore Europiane nuk do të vepronte, d.m.th. eksportuesit shqiptarë dhe qeveria do ta merrnin të plotë faturën e dëmeve.
Në rast se do të kishim lekun, një zhvlerësim i tij do të neutralizonte një pjesë të efektit negativ, sepse kostot për eksportuesit shqiptarë do të uleshin dhe me gjithë uljen e çmimeve në tregjet botërore, efektet negative do të ishin më të kufizuara.

Artan Gjergji

Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE u përket atyre ekonomistëve që besojnë në qasjet liberale dhe jo-imponuese të forcave të tregut dhe agjentëve të tij: Për këtë arsye, ashtu siç jam skeptik ndaj suksesit të një politike të sforcuar dhe imponuar të de-euroizimit në ekonomi, në të njëjtën mënyrë mendoj se edhe imponimi i agjentëve ekonomikë drejt përdorimit të një valute të huaj si valutë kombëtare, gjykoj se nuk do jepte efekt pozitiv.

Valuta e një vendi, ashtu si çdo shërbim apo produkt në industrinë financiare, duhet të bazohet mbi besimin që kanë përdoruesit. Nëse valuta kombëtare nuk arrin të jetë e besueshme dhe e vlefshme në transaksionet e një vendi, teoritë ekonomike, por edhe praktika, ka treguar që humbasin vlerë (kanë inflacion të vazhdueshëm) dhe refuzohen apo shmangen në përdorimin e përditshëm të agjentëve ekonomikë. Megjithatë, bankat qendrore të vendeve përkatëse janë konservatore në këtë drejtim më të drejtë, sepse heqja dorë nga një monedhë kombëtare, u heq atyre mekanizmin më të fortë mbi të cilin mund të ndikojnë kërkesë-ofertën në ekonominë e vendit, siç është norma e interesit.

Olti Rrumbullaku

Kundër është edhe Olti Rrumbullaku, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës: Shqipëria nuk ka nevojë të rëndësishme për një monedhë të re, madje duhet të thellojë përpjekjet për de-euroizimin e ekonomisë. Përpjekjet e para në këtë drejtim po japin një balancim më të mirë të sistemit bankar dhe një orientim më të shëndetshëm të kreditimit drejt monedhës kombëtare.

Komentet
Loading...
Top