Nga Ksamili në Shëngjin, ja se sa kushtojnë pushimet – VIDEO

4949274659_3e88ace1cd_z.jpg

Të bësh pushime në Shqipëri të kushton njësoj si në vendet e huaja. Çmime që fillojnë nga 3 mijë lekë nata për një dhomë dhe shkojnë deri në 100 euro në plazhet e Jalës dhe Dhërmiut. Nga një vëzhgim i ofertave “online”, që reklamojnë bizneset por dhe familjarët në internet është vënë re se plazhet e Himarës janë më të shtrenjta, ndërsa pushimet kushtojë më pak në Durrës dhe Shëngjin. Saranda dhe Ksamili mbeten plazhet më të frekuentuara, por çmimet edhe për këtë vit nuk janë rritur. Ja si variojnë çmimet nga plazhet e jugut në ato të veriut.

Ksamil
Njihet ndryshe edhe si vendi i ‘Tre ishujve”. Rëra përgjatë bregut është e hedhur ose e detit, keni mundësi që të vizitoni disa vende turistike dhe deti është i pastër. Të gjithë turistët kanë mundësi për të bërë plazh edhe në ishuj. Plazhet më të njohura janë Pema e Thatë, Pasqyrat dhe Plazhi i Manastirit. Ksamili dallohet për kaltërsinë e ujit.

Numri i turistëve në vitet e fundit ka pësuar një rritje të konsiderueshme, ku muaji më i frekuentuar është gushti. Për ata që duan të pushojnë në Ksamil çmimet variojnë nga 3 mijë lekë deri në 50 euro, nata. Për një dhomë në shtëpi private, çmimi është mesatarisht 3-4 mijë lekë ndërsa për banesë 1+1, çmimet janë më të larta. Hotelet janë më shtrenjta dhe çmimet për një dhomë, fillon nga 40 euro. Sipas agjencive të turizmit Ksamili është një vend që këshillohet për familjarët, për shkak të qetësisë që ofron.

Saranda
Një ndër qytetet i cili ka pritur më shumë vizitorë të huaj dhe vendas në 10-vjeçarin e fundit. Përveç mundësisë për të pushuar, ka një sërë pikash turistike si Kalaja e Lëkursit. Qyteti ka një hapësirë të gjerë për të bërë plazh, restorante vendase dhe të huaja, mundësi argëtimi për të rinjtë (si plazhi i “Afrika”) dhe pamjen piktoreske.

Për të pushuar 10 ditë në Sarandë ju duhen mesatarisht 60 mijë lekë. Çmimi i një dhome për 3 persona është 3500 lekë për një ditë. “Apartamente 1+1, të mobiluara, me dhomë gjumi, sallon me kuzhinë gatimi, frigorifer, banjë, dush, televizor Lcd, kondicioner, internet, me kapacitet për maksimumi 5 persona, ju kushton 40-60 euro”, – është një nga ofertat që gjendet në internet. Plazhet në Sarandë janë të shumta, por ju jepet mundësia edhe të lëvizur në plazhin e Kakomes etj, të cilat ndodhen jashtë qytetit.

Himara
Himara dallohet për plazhet përrallore si Jala dhe Dhërmiu por dhe për çmimet e “kripura”. Vetëm një dhomë në këto plazhe fillon nga 50 euro nata. Për një familje, nëse do të bëjë pushimet në plazhet e Himarës, shpenzimi ditor shkon deri në 100 euro, duke llogaritur fjetjen, ushqimin, shezllonin apo dhe pijet freskuese. Çmimet e larta nuk janë vetëm për të fjetur por dhe për ushqimet. Në një faturë të publikuar në rrjetet sociale, pak ditë më parë, vetëm një ujë pa gaz kushton 300 lekë të reja.

Në muajin gusht plazhet e Himarës janë të mbipopullura, ku mes qytetarëve janë edhe personalitetete më të njohura të politikës, muzikës dhe botës së artit. Por cilat janë plazhet e Himarës. “Shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle por edhe me rërë te bardhë e të imët.

Spilea, është plazhi qëndror i Himarës, me shumë vizitore në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në Jug Llamana, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci) dhe Lukova. Poshtë kalasë së Himarës ndodhet Livadhi dhe në veri Jali, Fusha, Ziso, Gjipea, Karkaniqi, Dhërmiu, Palasa dhe Dhralea. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë, për shkak të ujërave nëntokësore. Po të largohesh disa dhjetra metra nga këto pika temperatura e detit merr vlerat fiziologjike”, – thuhet në një nga guidat turistike të qytetit.

Vlora
Plazhet si Orikumi, Narta dhe Zverneci, gadishulli i Karaburunit dhe Ishulli i Sazanit janë ndër pikat kryesore të qytetit të Vlorës, të cilat duhet t’i vizitoni. Vlora dallohet dhe për vijën bregdetare që ju ngjit në llogara dhe për parkun të cilit ndodhet në këtë zonë.

Çmimet për një dhomë në qytetin e Vlorës për muajin gusht, fillojnë nga 4 mijë lekë nata. Për apartamente 1+1, çmimi fillon nga 5 mijë lekë. Çmimet e hoteleve përgjatë vijës bregdetare janë nga 60 euro deri në 100 euro nata. Edhe çmimet për të ngrënë janë të shtrenjta në Vlorë. Një drekë për 2 persona shkon minimum 3-4 mijë lekë.

“E gjithë kjo zonë paraqet interes për zhytjet, pasi këtu gjenden mbetje arkeologjike dhe anije të fundosura. E tillë është anija Italiane “Po”, e fundosur në vitin 1941 gjatë luftës italo – greke. Po kështu thuhet se Jul Çezari mbyti anijet që sollën trupat e tij në ndjekje të Pompeut. Zonë e përshtatshme për zhytje është ajo e Ujit të Ftohtë, për të observuar alga të ndryshme, ajo e plazhit të Zhironit për algat e zeza e të gjelbërta” – thuhet në guidat turistike për qytetin e Vlorës.

Durrësi
Nëse disa vite më parë Durrësi ishte i mbushur me shtetas të Kosovës përgjatë këtij viti është vënë re një ulje e numrit të pushuesve. Sipas të dhënave nga agjencitë turistike, bashkëkombësit po i drejtohen gjithnjë e më tepër plazheve të jugut, duke filluar nga Vlora deri në Ksamil.

Durrësi ka disa plazhe si Gjiri i Lalzit, ku ka patur një interes të lartë në dy vitet e fundit sidomos nga banorët e Tiranës. Një tjetër plazh është dhe Kepi i Rodonit, kryesisht një terren shkëmbor dhe plazhi i Kallmit. Edhe Golemi është një zonë e cila frekuentohet nga vendasit dhe të huajt. Por si variojnë çmimet në Durrës? Ndryshe nga qytetet e tjerë, Durrësi ka një numër të madh hotelesh. Çmimi gjatë muajit gusht fillon nga 4 mijë lekë nata, deri në 8 mijë lekë për një familje. Çmimet janë në varësi të cilësisë së hotelit dhe nga afërsia që kanë me detin.

Shëngjini
Shëngjini është plazhi kryesor i veriut të Shqipërisë. Ky plazh dallohet për kualitetin e rërës dhe gjendet vetëm 8 km larg Lezhës. Ndryshe plazhi i Shëngjinit njihet si plazhi i “rërës së hedhur”. Përveç cilësive që ka, zona e Shëngjinit dallohet për çmimet e ulta të apartamenteve apo dhomave. Sipas ofertave “online”, çmimi i një dhome në Shëngjin fillon nga 2500 lekë, ndërsa çmimi i një dhome hoteli varion nga 4-10 mijë lekë.

Ksamil
Një dhomë për 3 persona
1-31 gusht 25-50 euro nata
1 deri në 30 shtator 25 € nata
Apartament për 5 persona

1 – 31 gusht    60 euro nata
Pas datës 1 shtator 40 euro nata

Sarande
Një dhomë për 3 persona
Çmimet nga data 1-30 gusht – 3500-6000 lekë
Çmimet pas datës 30 gusht 3000 lekë

Apartament për 5 persona

Çmimet nga data 1-30 gusht 40-70 euro
Çmimet pas datës 30 gusht  30-45 euro

Himarë
Një dhomë për 3 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 40-80 euro
Çmimet nga data 1 shtator  30 euro

Apartament për 5 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 50-100 euro
Çmimet nga data 1 shtator  40 euro

Vlorë
Një dhomë për 3 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 4-8 mijë lekë
Çmimet nga data 1 shtator  2-5 mijë lekë

Apartament për 5 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 5-10 mijë lekë
Çmimet nga data 1 shtator  3-5 mijë lekë

Durrës
Një dhomë për 3 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 3-5 mijë lekë
Çmimet nga data 1 shtator  2-4 mijë lekë

Apartament për 5 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 4-6 mijë lekë
Çmimet nga data 1 shtator  2-5 mijë lekë

Shëngjin
Një dhomë për 3 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 2-5 mijë lekë
Çmimet nga data 1 shtator  2500 lekë

Apartament për 5 persona
Çmimet nga 1-31 gusht 4-7 mijë lekë
Çmimet nga data 1 shtator  3-4 mijë lekë

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top