Loading...

Opozita në panik, trembet Sali Berisha, flet për 3 kërcënime

0-187.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha, si rrallë ndonjëherë në karrierën e tij politike, ka shfaqur shenja frike dhe pasigurie, për fatin e familjes së tij politike dhe biologjike. 24 orë pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda liroi nga të gjitha akuzat organizatën “Hakmarrja për Drejtësi”, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur dje i shqetësuar për rreziqet që mund të kanosin krerët e opozitës nga lirimi, sipas tij, i krerëve të bandave më të rrezikshme në Shqipëri.

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat, ku u dhanë udhëzimet dhe direktivat për protestën e 18 Shkurtit, ish-kryeministri ka folur për tre kërcënime serioze që mund të kanosin opozitën nga lirimi i kriminelëve nga burgu.

Burime pranë opozitës thanë për Shqiptarja.com se, sipas Berishës, impakti i parë konsiston në intimidimin dhe frikësimin e mbështetësve të Partisë Demokratike, për të mos dalë në protesta si dhe për të mos mbrojtur votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Po ashtu, Berisha ka pohuar se lirimi i krerëve të bandave është një mesazh për krerët e opozitës dhe njerëzit e tyre, sidomos për përfaqësuesit të cilët kanë denoncuar dhe goditur këto banda gjatë qeverisjes së PD.

Po gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Berisha, por edhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, kanë shprehur shqetësimin se pas këtyre veprimeve fshihet plani për deformimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit. Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama është angazhuar drejtpërdrejt për nxjerrjen e kriminelëve nga burgu, duke iu referuar kryesisht rastit të fundit, pra lirimit të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, por edhe një tjetër rasti pak javë më parë.


Porositë

Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që Partia Demokratike duhet të reagojë me forcë para kësaj situate. Ai ka deklaruar se 18 Shkurti duhet të jetë një datë historike dhe një ngjarje e madhe për shqiptarët. Sipas tij, një proteste masive në 18 Shkurt, duhet të jetë përgjigja e parë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kërcënimit të bandave.

Ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ish-kryeministri ka kërkuar nga deputetët për të aktivizuar dhe mobilizuar krahun e forcës në të gjitha rrethet e vendit. Ish-kryeministri, që pas largimit nga pushteti, ka përsëritur herë pas here se qeverinë mund ta rrëzojë me 5 mijë vetë. “Unë e kam thënë me kohë. Doja 5 mijë, 10 mijë vetë të nguleshim në bulevard dhe ta rrëzonim Edi Ramën. Por kjo nuk është e PD-së, kjo është e imja”, ka deklaruar Berisha.


Sinjali i dytë

Në një hark kohor prej disa javësh, miti i ish-kryeministrit Sali Berisha, është lëkundur për herë të dytë në sytë e mbështetësve të tij. Pas disa paralajmërimesh dhe kur Policia e Shtetit i trokiti në derën e banesës për ta shoqëruar forcërisht, ish-kryeministri Berisha u paraqit me urgjencë për të dëshmuar në komisionin hetimor për çështjen ‘CEZ’, ndonëse refuzoi të betohej para kryetarit Taulant Balla. Disa ditë më vonë, edhe i biri Shkëlzen Berisha, u ul për herë të parë në një karrige si dëshmitar, po para komisionit hetimor parlamentar, për privatizimin e OSSH.

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media