Loading...

Oskarët 2015 – Pas kamerave

hotel-budapest-600x400.jpg

Regjia

Më vjen mirë që më në fund po vlerësohet Wes Anderson. I trajtuar si ‘i çuditshmi’ për mënyrën e tij më alternative të realizimit të filmave, Anderson ka pasur një bazë të madhe tifozësh, për të cilët ky nominim është një mini-fitore. Por, nominimi i Bennett Miller nuk më duket të ketë qenë i nevojshëm, sidomos kur kemi parasysh lënien anash të Clint Eastwood. ‘Foxcatcher’ është filmi më i dobët i Miller deri më tani. Nominimi i Morten Tyldum është një sfidë për të ardhmen e tij. Dy favoritët kryesor janë Alejandro Inarritu dhe Richard Linklater. Të dy e meritojnë çmimin, por personalisht më ka pëlqyer më shumë puna e Inarritus. Favoriti im është Inarritu, favorit për ta fituar Linklater.

Skenari origjinal

Ideja e Linklater është interesante, inovative, por jo edhe e papërdorur më parë. Kam përmendur rastin paraprak tek recensimi i ‘Boyhood’. Por, logjistika e ‘Boyhood’, realizimi i tij, trajtimi i temës është i mrekullueshëm, i përkryer. Ide interesante dhe mjaft e shijshme është edhe ajo e Inarritus për Birdman. Favoritin e gjej në mesin e këtyre dyve, me Linklater favorit i imi dhe për të fituar. Skenari i Anderson nuk është aspak më poshtë se prodhimet e tij paraprake. Solid janë edhe Foxcatcher dhe Nightcrawler, por asnjëri nuk është më i miri nga këta të nominuarit.

Skenari i adaptuar

Paul Thomas Anderson ka pasur punë shumë më të mira në të kaluarën. ‘Inherent Vice’ është i pështjelltë, pa nevojë i komplikuar, dhe i nominuar pa meritë. ‘Gone Girl’ ka qenë shumë, shumë më i mirë. ‘Whiplash’ është interesant, ngjashëm si ‘The Imitation Game’, por i shoh larg triumfit. Tregimi i ‘American Sniper’ më ka pëlqyer, pa marrë parasysh kontradiktat politike. Megjithatë ‘The Theory of Everything’ është favoriti im dhe për të fituar.

Luan Morina

Kritik filmi

 

Oskarët 2015 – Aktrimi

Aktorja më e mirë në rol dytësor

Njëra ndër kategoritë më të dobëta këtë vit, padyshim. Çka dreqin lyp Meryl Streep nga një film i tmerrshëm si ‘Into the Woods’! Është bërë bajat nominimi i saj çdo vit, sidomos për kësisoj performanca nën aftësitë e saja. Jessica Chastain ka qenë e mahnitshme tek ‘A Most Violent Year’, një film shumë i mirë, i injoruar në tërësi këtë vit. Fituesja e padyshimtë është Patricia Arquette, e cila ka qenë ylli i ‘Boyhood’. Ka pasur një paraqitje të mahnitshme që më ka pëlqyer së tepërmi. Keira Knightley, Emma Stone, e Laura Dern kanë pasur paraqitje solide, të mirë, por jo për fituese.

Aktorja më e mirë

Jemi mësuar me aktrimin e Julianne Moore. Ajo nuk dëshpëron aspak dhe sjell një karakter mjaft të zorshëm për mrekulli në ekran. Moore është favoriti im dhe i të gjithëve për të fituar padyshim. Por, mbresëlënëse, ka qenë paraqitja e Rosamund Pike. Ajo është fituese e shumë fansave me aktrimin e saj tek ‘Gone Girl’, përfshirë edhe mua. Felicity Jones ka paraqitje të mirë, që e pjek artistikisht në ‘The Theory of Everything’. Reese Witherspoon është e mrekullueshme në një film mesatar, derisa për Marion Cotillard dhe aftësitë e saja jemi mësuar qëmoti.

Aktori më i mirë në rol dytësor

Edward Norton i jep shije ‘Birdman’. Ka një paraqitje të mrekullueshme. Më ka pëlqyer tepër dhe ka një harmoni skenike me të gjithë karakteret që përzihet në film. I mrekullueshëm, por ngjashëm si Robert Duvall, ka qëlluar i pafat. J.K. Simmons është i përkryer në rolin e Terence Fletcher. Dy kandidatët tjerë kanë pasur paraqitje solide, por favoriti im dhe për të fituar është J.K. Simmons.

Aktori më i mirë

Kategoria më e paqartë tek aktrimi këtë vit është për aktorin kryesor. Bradley Cooper po shndërrohet në një Meryl Streep me nominimet e tij të përvitshme. Benedict Cumberbatch po fiton një përvojë të mirë dhe një vend në kinematografi duke na dëshmuar që nuk është vetëm ‘Sherlock, derisa Steve Carrell ka pasur një transformim skenik që na bën të dyshojmë në historinë e tij filmike. Fituesi mbetet ndërmjet Keaton dhe Redmayne. Favoriti im është Michael Keaton, favoriti për të fituar Eddie Redmayne. Derisa Redmayne ka portretizuar për mrekulli Stephen Hawkingun, Keaton ka bërë një punë të ngjashme, por duke krijuar një karakter fiktiv që mund të bazohet në pjesën më të madhe të vet karrierës së tij. Pra, më thjesht, Redmayne ka pasur një karakter për të imituar, Keaton ka imituar karakterin nga mendja e tij dhe e Inarritus, ka krijuar një karakter, një punë që duhet të shpërblehet me Oskar.

Luan Morina

Kritik filmi

 

Oskarët 2015 – Filmi

Mendoj që filmat e nominuar për Oskar janë më të mirët e vitit. Nuk është Top8-shi im, por është një listë që reflekton mendimin e shumicës për tetë më të mirët. Nëse do i radhisja këta tetë atëherë lista do të ishte kjo:

8 – The Imitation Game

Është një film i mirë, trajton një temë të duhur, dhe sjell një hero të harruar padrejtësisht. Është realizim i mirë nga Tyldum që është fillestar në këtë zeje krahasuar me shumicën e të tjerëve.

7 – Selma

Gjithnjë kam pasur një simpati ndaj filmave që trajtojnë tema të racizmit. Na sjellin një fytyrë tjetër të SHBA-ve, një fytyrë që nuk e mbajmë në mend. Ky film sjell një tregim të realizuar mirë duke marrë parasysh përvojën paraprake të Anna DuVarnay. Na dëshmon që tema racizmi mund të trajtohen edhe pa gjithë dhunën e ’12 Years a Slave’. Për mendimin tim, ‘Selma’ është shumë më i mirë se fituesi i Oskarit të vitit të kaluar, por nuk ka mjaft dhunë për të rënë në sy të njerëzve, dhe ky fakt dhemb.

6 – American Sniper

Clint Eastwood, 84 vjeç dhe po sjell nga dy prodhime të mahnitshme gati çdo vit. Puna e tij tregon për një legjendë të kinematografisë që me meritë po shpërblehet me nominime. Tregimi i përpunuar i ‘American Sniper’ është realizuar për mrekulli dhe sjell tamam një autobiografi të një njeriu që lufton për idealet e vendit të tij, për bashkëluftëtarët e tij, duke mos kursyer asgjë, as jetën e tij private.

5 – The Theory of Everything

Adaptim i mirë i jetës së Hawking. Një gërshetim i mrekullueshëm i personales dhe profesionales, kjo e dyta vjen me një formë të thjeshtësuar për tu kuptuar më lehtë nga të gjithë. Harmonia skenike e Felicity Jones dhe Eddie Redmayne është e mahnitshme, e përkrahur nga një punë e ngjashme edhe pas kamerave.

4 – Boyhood

Projekt 12 vjeçar i Richard Linklater. Më ka pëlqyer ideja, më kanë pëlqyer Hawke dhe sidomos Arquette, më ka pëlqyer skenari e regjia. Nuk më ka pëlqyer Coltrane. Është film i shkëlqyeshëm, por i mbivlerësuar nga shumica, nisur nga Metacritic që i jep perfekten prej 100.

3 – Whiplash

Damien Chazelle më kujton Benh Zeitlin me ‘Beast of the Southern Wild’ – një amator që mahnit të gjithë me realizimin e tij të parë. Chazelle ka bërë një punë të mrekullueshme, por ajo çfarë e bën të suksesshëm këtë film është JK Simmons. Është një torturë dhe kënaqësi 90 minutëshe që meriton të jetë në mesin e tre filmave më të mirë të vitit.

2 – The Grand Budapest Hotel

Wes Anderson dhe metoda e tij e veçantë më në fund po çmohen. Janë dy lloje të njerëzve kur vjen puna tek Anderson, ata që mahniten nga puna e tij, të dashuruar verbërisht në të, dhe ata që e vlerësojnë si një punë e çuditshme, edhe palidhje. Vet vendosja në këtë pozitë tregon që unë jam me të parët, i dashuruar verbërisht në çdo gjë që ka bërë Wes Anderson deri tani.

1 – Birdman

119 minuta mrekullie filmike që vjen në një realizim që duket se po ndodh në kohë reale, si një ndeshje futbolli, por pa reklama dhe shkëputje editimi. Filmi është realizuar në atë mënyrë që lëvizja e kamerës e bën të duket sikur është xhiruar në vetëm një tentim. Është një editim aq perfekt sa që nuk mund të vërejmë prerjet. Aktrimi i Michael Keaton është i mrekullueshëm, i ndihmuar nga Edward Norton në masë të madhe, me kontributin e Emma Stone, Naomi Watts e në masë të madhe të nënçmuarin Zach Galifianakis. Filmi më i mirë i vitit për mua, edhe më i mirë se ‘Chef’.

Favoriti im është ‘Birdman’, favoriti për të fituara ‘Boyhood’.

Luan Morina-Shqipmedia

Kritik filmi

 

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media