Loading...

(Pa)aftësia për të sfiduar ISIS-in

blendi-lami1-800x533.jpg

Nga Blendi Lami*

Konflikti në Siri, që nisi më 2011 me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e presidentit të vendit, Bashar al-Assad, dhe thirrje për vendosjen e demokracisë, ka shkaktuar sot, pas më shumë se katër vjetësh, përplasje të shumta – në nivel lokal, rajonal dhe botëror. Madje, pa më të voglin dyshim, Siria dhe Iraku janë shndërruar në një terren lufte, ku pasqyrohen interesat e fuqive të ndryshme. Konflikti është përshkallëzuar edhe në pjesë të Irakut si pasojë e vakuumit gjeopolitik të krijuar pas largimit të forcave amerikane në dhjetor 2011, ndërkohë që trazirat në Siri kishin filluar në pranverën po këtij viti, ironikisht – nga termi – në kuadër të së ashtuquajturës “Pranvera Arabe”. Në ndryshim nga doktrina Bush (SHBA ka të drejtën të mbrohet kundër vendeve që strehojnë ose u japin ndihma grupeve terroriste), sipas së cilës trupat amerikane duhej të mbeteshin në Irak, politika e presidentit Obama ishte tërheqja e trupave tokësore (ndonëse jo në kuptimin e doktrinave të përmbajtjes apo izolimit). Por çfarë do të sillte një largimi i trupave të huaja ushtarake dhe një qeverisje e dobët dhe e fragmentuar në Irak? Që në fillim u vërejtën tre trende: opozita lokale do të radikalizohej, fundamentalistët islamikë do të besonin se kishin dalë fitimtarë, dhe do të thelloheshin ndasitë mes sunitëve dhe shi’itëve në vend. Vetë gjenerali Odierno, një nga ushtarakët më të vlerësuar të presidentit Bush, i cili drejtoi forcat e koalicionit në Irak deri në vitin 2010, deklaroi në qershor 2015 se “nëse do të kishim qëndruar më gjatë, ndoshta do ta kishim parandaluar ardhjen e ISIS-it. Kam besuar gjithmonë se SHBA luajnë rolin e negociatorit të ndershëm mes grupeve dhe, pasi u tërhoqëm, e humbëm këtë rol”. Ndërkohë, në Siri, u krijuan disa fronte lufte – fillimisht në nivel lokal. Mendohej me naivitet se Ushtria e Lirë Siriane do të luftonte forcat shtetërore dhe do të fitonte njëfarë revolucioni, në një kohë kur “Pranvera Arabe” kishte dështuar. Por më pas, gjithçka u komplikua. Për të shpjeguar se çfarë ndodh në terren në ditët e sotme duhet të bëhet një klasifikim forcash ndërluftuese, ndryshe nuk do të kuptohej konflikti:

– Ushtria e Assad-it dhe grupe të ndryshme në funksion të saj, përfshirë Hezbullah-un, mbështeten kryesisht nga Rusia dhe Irani.

– Opozita siriane e përbërë nga Ushtria e Lirë Siriane dhe disa grupe radikale islamiste, mbështetet nga disa vende të rajonit si Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Jordania dhe Emiratet, si dhe nga SHBA, Franca, Turqia dhe Britania e Madhe (vetëm më 11 dhjetor 2015 parlamenti britanik do të miratonte sulmet ajrore mbi ISIS-in), me goditje nga ajri;

– Xhihadistët sunitë, ndër të cilët mund të përmendet Al-Nusra, Grupi Korasan, Fatah al-Islam etj, të lidhura me Al-Kaedën;

– Kurdët me grupet e tyre të veçanta në Siri dhe Irak, që mbështeten nga Perëndimi; dhe

– ISIS apo ISIL (Shteti Islami i Irakut dhe Levantit).

Nga mënyra se si kanë rrjedhur ngjarjet në skenën lokale, rajonale dhe botërore duket sikur ISIS është armiku i përbashkët i forcave të lartpërmendura. Sa e vërtetë është kjo?

Duhet theksuar fakti se nuk po luftohet vetëm kundër ISIS-it, por duket se (1) po zgjidhen “llogari të vjetra” mes palëve ndërluftuese në nivel lokal apo rajonal dhe (2) fuqitë e mëdha po kërkojnë të tregojnë (a) forcën e tyre në skenën ndërkombëtare dhe (b) të eliminojnë rrezikun që vjen nga ISIS. Situata është e tillë: vijon lufta sektare në Irak mes sunitëve dhe shi’itëve, secila palë e mbështetur respektivisht nga shtetet arabe dhe Irani; Hezbullahu, i mbështetur nga Irani, lufton kundër grupeve rivale sunite; Fronti Al-Nustra garon me ISIS-in për hegjemoni; kurdët luftojnë kundër ISIS-it dhe ushtrisë shtetërore siriane; Turqia lufton kundër kurdëve, dhe me forca të pakta kundër ISIS-it dhe Assad-it. Situata luftarake ndërlikohet ndërsa “koalicioni kundër ISIS” është i përçarë. Fillimisht është krijuar koalicioni i udhëhequr nga SHBA, dhe pastaj koalicioni i udhëhequr nga Rusia, që veprojnë në mënyrë krejt të pakoordinuar. Në mënyrë të pavarur, ka ndërhyrje të vazhdueshme ushtarake nga Turqia dhe Irani – secila ndërhyrje për të përmbushur interesat e këtyre dy fuqive rajonale.  Pra, vihet re një fragmentarizëm në lidhje me përcaktimin e fjalës “armik” të kësaj lufte. Duket se Rusia është përfshirë në konflikt, jo për të luftuar ISIS, por për të mbajtur Assad-in në pushtet, si dhe për të pasur influencë në rajon. Turqia ka dy qëllime krejt të ndryshme: të dobësojë kurdët dhe të rrëzojë regjimin e Assad-it. Irani ka dy objektiva të tjerë: të mbajë në këmbë qeverinë e drejtuar prej shi’itëve dhe të kontrollojë kufijtë e vet. Në këto kushte del medoemos roli vendimtar i mbetet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA duhet të rifitojë rolin e humbur në rajon, në një kohë që ka shtuar edhe dy “aleatë” që i kishte humbur: Iranin që prej vitit 1979, dhe Turqinë, e cila ndryshoi ritëm pas ardhjes në fuqi të AKP-së më 2002. Duket se të dy këto fuqi rajonale, ndoshta nga presioni i krijuar në rajon (nga vetë largimi i Amerikës nëse do të konsiderohej lojë e mençur gjeopolitike), i kanë shtrirë dorën fuqisë së madhe. Por, Amerika vazhdon të mbetet larg një përfshirjeje gjithëpërfshirëse (ku futet ndërhyrja me trupa tokësore) që do të asgjësonte ISIS-in, do të vendoste një regjim tjetër në Siri, do të normalizonte situatën në Irak dhe do të koordinohej me Rusinë. Këtë e thellon edhe qëndrimi i politikës amerikane që prej ardhjes së demokratëve në pushtet. Pra, kjo luftë nuk është vetëm një luftë e sirianëve dhe irakianëve. Amerika do të ndërhyjë. Ajo nuk mund të përsërisë gabimet e së shkuarës. Në dy konfliktet më të mëdha të shekullit XX, ajo hyri me vonesë, por i zgjidhi konfliktet. Në Luftën e Parë u përfshi në vitin 1917, ndërsa në të Dytën e nisi si neutrale por u përfshi në vitin 1941. Nuk është se Amerika nuk e kupton se ç’do të thotë siguri globale!

*Pedagog në UET

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media