Loading...

Tryeza Rama – Basha, nuk pati “tym të bardhë”

0-57.jpg

Dy javë më parë, Top Channel provokoi Lulzim Bashën dhe Edi Ramën nëse ata do të takoheshin me njëri-tjetrin për reformën në drejtësi. Kur të dy ranë dakort, ajo që ngeli ishte caktimi i datës dhe i detajeve të tjera.

Palët u vunë në kontakt dhe takimi u realizua këtë të hënë, por ashtu siç shumë e prisnin prodhoi…asgjë dhe nga tryeza Rama-Basha nuk pati “tym të bardhë”. Në fund të takimit Rama fajësoi Partinë Demokratike, ndërsa Basha maxhorancën, madje ai tha në fund se bindjen që Kryeministri nuk do reformën ja përforcoi edhe fjalimi i përgatitur i tij.

Rama sqaroi këtë duke thënë se kishte shkuar me dy fjalime të parapërgatitur, njëri për suksesin e bisedimeve dhe tjetri për dështimin. “Kisha dy fjalime, një për suksesin dhe një për dështimin. Ne u përgatitem me shumë seriozitet për këtë takim dhe isha përgatitur për të dyja mundësitë, që të dilnim me sukses dhe pa sukses”, tha ai.

Rama tha se maxhoranca dha kompromisin për kërkesën e Partisë Demokratike për shumicën 2/3, por tha se kjo shumicë nuk i jep Kuvendit të drejtën që të bllokojë sistemin. “Sistemi i ri garanton që Parlamenti nuk e bllokon dot sistemin duke mos gjetur dakordësinë për të votuar sepse sistemi e gjeneron vetë duke përzgjedhur personat përkatës”, tha ai.

Rama thotë se drafti rrëzon sistemin aktual dhe garanton përzgjedhje në bazë të aftësisë dhe pastërtisë së figurave të reja, proces që do të jetë tërësisht në duar të ndërkombëtarëve.

“Vetingu, cilësia e karrierës, provimi i aftësive profesionale dhe morale dhe e gjithë kjo do të bëhet nën kontrollin e ndërkombëtarëve. Ata që kanë pasuri, qoftë edhe gjëra të tjera që do të kalojnë në këtë radiografi personale, duhet ta masin mirë para se të thonë që duam të rrijmë në sistem. E dyta, ne kemi garantuar me këtë draft që sistemi aktual bie përtokë, që nga Këshilli i Lartë i drejtësisë, një bandë që duhet të shkrihet. Mundëson që gjyqtarët t’i dalin zot detyrës dhe të kalojnë procesin e skanimit dhe të shërbejnë dhe promovohen pa qenë të detyruar, as për të paguar rryshfete për të marrë një post në Gjykatën Kushtetuese, Apel dhe Gjykatën e Lartë”, u shpreh ai.

Me takimin e së hënës, Rama thotë se PD humbi justifikimet dhe argumentet për të kundërshtuar reformën, përfshirë këtu edhe Këshillin e Emërimve në Drejtësi. Ai tha se ka dy rrugë për PD. “PD sot nuk konteston dot më këtë strukturë të re. Përfshirë edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. PD duhet të zgjedhë, ose do t’i bëjë rezistencë kalimit të reformës duke zgjedhur përfundimissht avazin e vjetër, ose do të bashkohet për ta kaluar atë”, u shpreh ai.

Ai tha se reforma nuk është perfekte, por është më e mira e mundshme dhe për shembullin kroat thotë se ka probleme. “Në Kroaci një parti mund të zgjedhë një deputet dhe ta bëjë gjykatës dhe Kroacia sot ka një vit debat që do të heqë këtë mortje që nuk është asgjë tjetër vetëm ndarja e karrigeve në institucionet e larta”, u shpreh ai.

Rama deklaron se vendit i duhet një tërmet që të shembë përtokë të gjithë sistemin e drejtësisë. “Ndryshe do të kemi lëvizur vetëm dritat dhe nuk do të kemi spostuar skenën nga një vend krimi, siç është sot sistemi i drejtësisë, në një vend ku drejtësia nuk është mall për t’u shitur”, tha ai.

Rruga e draftit drejt votimit në seancë plenare nis që nga e marta dhe ky është plani B i maxhorancës. “Sot kemi mbyllur 1 vit e gjysmë diskutime. Nesër drafti fillon rrugën proceduriale drejt sallës dhe sesa ditë duhet që të rrijë në Komisionin e Posaçëm dhe sa do të rrijë në sallë janë teknikalitete që nuk i di. Nuk presim më asnjë sekondë. Drafti do të vazhdojë rrugën e vet deri në sallë”, tha ai.

Kryeministri tha se nëse PD nuk rrëzon vetëm reformën në drejtësi, por rrëzon Shqipërinë, shtegun për të marrë hapjen e negociatave.

Rama sqaroi edhe praninë e Vasilit. “Unë do të paraqitesha në takim me Xhafajn dhe Finon, pra me kryetarin e Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe atë të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk erdhi Bashkim Fino për shkaqe shëndetësore dhe morëm Petrit Vasilin, që është pjesë e LSI-së në të dyja këto komisione. Pra erdhi një njeri që njeh të dyja çështjet nga brenda”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se ka mbështetjen e LSI-së për reformën. “LSI ka kohë që ka lëvizur nga pozicioni konsensus me patjetër në pozicionin reformë me patjetër dhe është normale. Është e siguritë që si ne, si LSI do të mbështesim me të gjitha votat tona reformën bazuar mbi draftin e miratuar nga Euralius dhe Opdat”, tha ai.

Kryeministri nuk përjashtoi mundësinë që të merren në konsideratë zgjedhjet e parakohshme nëse dështon reforma. “Është një temë që i takon një momenti të mëvonshëm, por sot për sot nuk ka vend për këtë temë”, tha ai.

Komentet

Leave a Reply

Top