Loading...

Pas Llallës, SHBA shpall ‘non grata’ edhe deputetin Tom Doshi

1523900222_tomdoshi.jpg

Tom Doshit dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA. Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni, shkruan Zëri i Amerikës. Një vendim ky i prapritur nga Uashingtoni, pasi ndaj Doshit nuk ka akuza të artikuluara publikisht nga institucionet ligjzbatuese.

Në vendimin e publikuar në faqen e DASH, thuhet se “në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë”. “Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik”.

Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.

Tom Doshi u zgjodh deputet nën siglën e PSD në Qarkun e Shkodrës, pasi u përjashtua nga PS tre vite më parë kur akuzoi kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Ilir Metën se kishte organizuar një atentat ndaj tij.

Në 15 shkurt të këtij viti, Departamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla. Vendimi u bë publik rreth dy muaj më parë nga ish- Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Përveç Llallës, Sekretari Tillerson miratoi ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij, Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.

Komentet
Top