Përmbyllet “Otello” në Gostivar, fituese shfaqja “Darka e thërrimeve”

133964555.jpg

Nata e fundit ishte edhe më emocionuesja, pasi që garuesit dhe shikuesit ishin nën ethet e ndarjes së çmimeve.

Pjesëmarrësit nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, përkatësisht trupat teatrore nga Durrësi, Prishtina, Ferizaji, Kumanova dhe Shkupi u ndanë të kënaqur nga mikpritja e gostivarasve, të cilët këtë e shprehën me pjesëmarrje masive në të gjitha netët për sa zgjati festivali.

Në garë për çmimin e parë të festivalit ishin shfaqja “Një jetë me ty” e Teatrit “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi, drama “Psikozë N’4: 48” e Teatrit “Adriana Abdullahu” nga Ferizaj, shfaqja “Darka e thërrimeve” e Teatrit Shqiptar të Shkupit, shfaqja “Copë – Copë” e Teatrit Artpolis nga Prishtina dhe shfaqja “Mësimi” e Teatrit të Kumanovës.

Shfaqja që triumfoi me dy çmime ishte ajo e Teatrit Shqiptar – Shkup “Darka e Thërrimeve”, në regji të Qëndrim Rijanit dhe me autor Refet Abazin.

Kjo shfaqe mori çmimin si “Shfaqja më e mirë e festivalit”, gjithashtu edhe çmimin “Aktorja më e mirë” për Amernis Nokshiqin. Juria e përbërë nga Sulejman Rushiti, Muzafer Etemi dhe Ismet Ramadani ndau edhe çmimet e tjera.

Aktori më i mirë u shpall Romir Zalla me rolin e tij në dramën “Një jetë me ty”, në regji të Erion Krames, “Regjisori më mirë” u shpall Fatos Berisha për shfaqen “Psikozë n’4: 48”.

Festivali i parë “Otello” në Gostivar u organizua Shoqata për Kulturë “Othello” dhe Shoqata “Fishta” nga Gostivari.

Pas suksesit të këtij edicioni të parë, qytetarët e Gostivarit këmbëngulin se qyteti i tyre meriton të ketë teatër profesional, sepse ka aktorët dhe publikun të etur për art.

Komentet
Top