Përse disa që përdorin drogë nuk bëhen të varur?

0203.jpg

Sociologji – Numri i përdoruesve të drogës është i lartë, por numri i të varurve prej saj nuk është në po të njëjtin nivel. Studiuesit i japin përgjigje pyetjes se përse jo të gjithë përdoruesit rrezikojnë varësinë dhe teprimin me drogat e paligjshme.

Përdorimi i drogës është i përhapur, ndërsa varësia ndaj saj është më e rrallë. Afërsisht një nga tre të rritur përdorin të paktën një drogë të paligjshme gjatë jetës. Shumica e tyre nuk vuajnë nga dëmi afatgjatë. Ka rreziqe të menjëhershme nga overdoza dhe intoksikimi dhe rreziqet afatgjata janë të lidhura me përdorimin e rëndë ose të tejzgjatur, dëmtimi i mushkërive nga tymosja e kanabisit.

Megjithatë, shumica e njerëzve ose i kalojnë dëmet shëndetësore për një periudhë të shkurtër, ose mësojnë ta përshtatin përdorimin e drogës me stilin e jetesës, duke rregulluar mënyrën e përdorimit me rrethanat shoqërore dhe familjare, siç bëjnë me alkoolin.

Vetëm për Anglinë, nga 3 milionë përdorues të drogave ilegale, rreth 300,000 përdorin heroinë, ndërsa 30,000 janë trajtuar me sukses nga varësia e drogave në Angli në vitin 2011-’12, zakonisht kanabis ose kokainë pudër. Trajtimi në media, diskutimet e përgjithshme dhe politikat e ndjekura ndikojnë shumë në çështjet e drogave ilegale. Përdorimi i drogës konsiderohet si jashtë kontrollit, duke e shkatërruar aftësinë e njeriut për të fituar jetesën, apo për t’u kujdesur për fëmijët, duke i shndërruar kështu qytetarët produktivë në të varur të sistemit të ndihmës shoqërore.

Në realitet, gjasat që një person të krijojë varësi afatgjatë pa pasur vese të zhvilluara më herët, janë shumë të ulëta. Varësia nga heroina dhe kokaina nuk ndodh rëndom, por vjen pas krijimit të mjedisit të parapërgatitur. Varësia, ndryshe nga përdorimi, është e përqendruar shumë në komunitetet më të varfra dhe brenda këtyre komuniteteve, individët që përpiqen më shumë për të mbijetuar janë ata që do t’i dorëzohen varësisë.

Krahasuar me pjesën tjetër të popullatës, të varurit nga heroina dhe kokaina janë: meshkuj, të klasës punëtore, shkelës të ligjit, pak të edukuar, me pak eksperiencë në punësim, të ekspozuar ndaj sëmundjeve mendore dhe përgjithësisht mbi 40 vjeç. Problemi i përdorimit të kanabisit është më pak i përqendruar te të varfrit, por është ngushtësisht i lidhur me treguesit e stresit shoqëror dhe me një ekspozim ndaj zhvillimit të sëmundjeve mendore.

Shumica e përdoruesve të drogës janë njerëz inteligjentë me aftësi të mira të jetesës, kanë rrjete shoqërore mbështetëse dhe familje që i duan. Këto asete krijojnë mundësinë që ata të menaxhojnë rreziqet e lidhura me përdorimin e drogës, duke shmangur ato më të rrezikshmet dhe duke menaxhuar frekuencën dhe shkallën e përdorimit për të pakësuar dëmin dhe për të maksimalizuar kënaqësinë.

Është shumë e nevojshme që ata të mund të kenë mbështetjen nga familja dhe miqtë kur fillojnë të kenë probleme dhe një perspektivë reale punësimi, një shtëpi dhe një motiv për të mbajtur rrugën e duhur pa krijuar varësi veç përdorimit. Përkundrazi, individët në gjendje më të keqe në komunitetet më të varfra, kanë mungesë të aftësive që mundësojnë një jetesë të rregullt, nuk kanë shoqëri dhe i shmangin problemet në vend që t’i zgjidhin.

Kur marrin vendime, ata priren t’i japin përparësi përfitimit imediat në vend që të llogarisin pasojat afatgjata. Mbingarkesa me probleme i bën ata të paaftë të zgjidhin sjelljet me rrezikshmëri të lartë. Të gjithë këta faktorë së bashku e bëjnë më të mundur që në vend të kalibrimit të kujdesshëm të përdorimit dhe rrezikut të minimizuar, ata të përdorin drogat në mënyrë të rrezikshme dhe me shumë pasoja.

Dhe me të ndodhur varësia, motivimi për t’u shëruar dhe për të pasur sukses, është tepër i pakët nga mungesa e mbështetjes së dobët familjare, perspektivave të punësimit, sigurimit të strehimit dhe prej izolimit social. Me pak fjalë, çfarë përcakton fatin nëse një përdorues droge do të degradojë apo jo në varësi, ka pak të bëjë me pushtetin e drogës dhe varet më së shumti nga rrethanat sociale, personale dhe ekonomike të përdoruesit.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top