Loading...

Platforma e përbashkët e shqiptarëve, zgjidhje apo krizë e re për Maqedoninë?

0-100.jpg

Platforma politike e Bashkimit Demokratik për Integrim, koalicionit “Aleanca për Shqiptarët” dhe koalicionit “Rilindje me Besë” me t’u publikuar në media ngjalli në opinion debat të gjerë, që deri tani pak a shumë është diskutuar mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

A do ta devijojë vëmendjen nga krimet e Qeverisë së mëparshme që po hetohen nga Prokuroria Speciale Publike?

A janë kërkesat e parashtruara kundër maqedonasve dhe a i shërbejnë krijimit të një shteti multietnik?

Sa maqedonasit janë të gatshëm që në tavolinën e bisedimeve të diskutojnë për të njëjtat? Dhe shumë pyetje të ngjashme që pritet ditëve he muajve në vijim.

Gazetari dhe njohësi i rrethanave politike në Nazim Rashidi, vlerëson se Marrëveshja në parim është një akt i presionit që vjen nga qytetarët dhe mundësia që krijuan numrat, që çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët të përmbyllen.

“Nëse e shikon me kujdes kërkesat mëtojnë barazinë, një kërkesë konstante e shqiptarëve. Ajo që duhet bërë tani është të rritet presioni ndaj përfaqësuesve shqiptarë që mos bien pre e banalitetit politik të përditshëm siç po shohim, por ti përgjigjen me seriozitet mundësisë së krijuar. Nga ana tjetër të gjithë duhet të sqarojmë se kërkesat nuk vënë në rrezik askënd. Se nuk janë kundër maqedonasve dhe Maqedonisë, por se do të duhet të sjellin një Maqedoni më të mirë për të gjithë. Kërkesat për tej atyre që prekin shqiptarët, në fakt kërkojnë një shtet më të mirë, institucione profesionale dhe realizimin e synimeve euro atlantike, të gjitha këto shkojnë për tej etnisë. Prandaj do e përsëris, momenti kërkon përgjegjësi serioze dhe jo debate para elektorale ku dominojnë veç akuza”, tha Rashidi.

Ai veçon se ky moment nuk justifikon asnjë keq qeverisjeje të mëparshme, por nuk do justifikojë asnjë subjekt politik në të ardhmen nëse nuk shfrytëzohet siç duhet.

Nga këndvështrimi i analistit politik Petar Arsovski, Platforma e partive politike shqiptare nuk është diçka e panjohur. Por, sipas tij, e vërteta është se ajo është për t’i komplikuar bisedimet dhe e tërheq vëmendjen nga kriza që doli për ta zbuluar krimin.

“Kriza tani po merr dimension etniko nacional, që nuk ishte thelbi i krizës. Tani mbetet partitë të vendosin, Gruevski nis i pari, të shohim a do të pranojë të bisedohet për ato çështje. Mendoj se tema e platformës duhet më të fokusohet në sundimin e ligjit, më shumë se në kërkesat nacionale, sepse kjo është arsyeja e krizës”, deklaroi Arsovski.

Profesori universitar Mersel Bilalli mendoj se në rrethana tjera Platforma do të ishte diçka natyrore, por këtu kemi hendikepin e autorësisë.

“Nëse diçka s’e keni bërë 16 vite, a është dashtë ta bëni për katër vite, atëherë humbni kredibilitetin të jeni ju ai që bëni platforma. Mendoj se Platforma është bë si qëllim që të pengohet Gruevski të bëj qeveri, por në fakt ai do të ushqehet me te. Ndoshta më normale do të ishte që t’i thuhej direkt se ai ka humbë kredibilitetin të bëj qeveri duke numëruar arsyet dhe pastaj me partner tjetër të punoni në reforma, por jo si fushatë por si sistem i përditshëm”, sqaroi Bilalli.

Nga partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM thonë se do ta analizojnë platformën, ndërkaq LSDM ende po e presin që e njëjta t’u dorëzohet për ta shqyrtuar.

“Duhet së pari ta analizojmë dhe pastaj do të deklarohemi”, tha shkurt zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Ivo Kotevski.

“Ende nuk na është dorëzuar platforma, kur do ta kemi do ta shqyrtojmë”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov.

Megjithatë, Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në intervistë për numrin e nesërm të gazetës “Dnevnik” thotë se politikanë dhe diplomatë të huaj, përmes krijimit të platformës së përbashkët të partive shqiptare krijojnë atmosferë që ato të mos bëjnë koalicion me partinë e tij. Duke komentuar platformën, Gruevski thotë se dygjuhësia nuk u duhet shqiptarëve në Dellçevë apo viset tjera ku ata nuk jetojnë.

Sipas tij, shqiptarët më shumë kanë nevojë për punësime të reja, paga të mëdha dhe standard më të lartë. Megjithatë, ai, një ditë para se presidenti Ivanov t’ia japë mandatin, paralajmëron se do të tentojë të formojë Qeveri, por përkujton BDI-në se as anëtarësia e VMRO-DPMNE-së në vitin 2008 nuk ka dashur koalicion me partinë e Ahmetit, por se ata kanë qenë zgjedhja e tyre, për shkak se prapa tyre kanë qëndruar pjesa më e madhe e votuesve shqiptar.

“Nëse tani BDI-ja shkon në koalicion me partinë e dytë, në vend të asaj të parës, me atë që ka humbur në vend se me atë që ka fituar, kjo do të paraqesë vendosje të një praktike dhe tradite të re në Maqedoni, të cilës ne gjithsesi do t’i përshtatemi, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen” shprehet ai.

Duke e kërcënuar në mënyrë indirekte Ahmetin, Gruevski për “Dnevnik” shprehet se nëse VMRO-DPMNE-ja si parti fitimtare mashtrohet nga BDI-ja, shumë shpejt, pas kthimit në pushtet, siç shprehet, në dyer të mëdha edhe atë së paku dy mandate me radhë, nuk do të ketë çfarëdo obligimi gjatë formimit të qeverisë”.

Deri tani, nga partitë maqedonase janë deklaruar, “E majta” TMRO dhe LPM e Janko Baçevit./Portalb

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media