You Are Here: Home » Lajme » Tirana zyrtare sot vendos për armët kimike

Tirana zyrtare sot vendos për armët kimike

Tirana zyrtare sot vendos për armët kimike

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama pritet që sot të shprehet mbi vendimin për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu në një intervistë për emisionin Top Story në Top Channel tha se një përgjigje negative nga ana e Shqipërisë do të ishte zhgënjyese për Shtetet e Bashkuara. Vendi u përfshi nga një valë protestash në Tiranë, ku grupe të rinjsh kundërshtojnë shkatërrimin e arsenalit sirian në Shqipëri.

Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike pritet të publikojnë sot planin për shkatërrimin e arsenalit kimik të Sirisë, kryeministri Edi Rama parashikohet që të shpjegojë pozicionin përfundimtar të Shqipërisë në këtë operacion.

Procesi i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri mund te jetë një vlerë e shtuar për qeverinë e Tiranës, politikisht – sepse Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE, dhe financiarisht- pasi ky projekt shoqërohet me një faturë të mirë financiare sipas Charles Duelfer, ish zëvendës kryetar i UNSCOM- komisionit special pranë Kombeve të Bashkuara në vitet 1990.

Shqipëria paraqet vështirësi të tjera, duke qenë një vend me infrastrukturë dhe logjistikë jo moderne si vendet e tjera Evropiane, dhe nëse merret vendimi i shkatërrimit të këtyre armëve, atëherë sipas revistës “Foreign Policy” në këtë vend do të instalohen laboratorët lëvizës të aftë për shkatërrimin e armeve kimike siriane, përmes një procesi specifik të njohur si hidrolizë-që nënkupton sasi të mëdha me ujë dhe reagjentë si hidroksid –natriumi.

Burime të ndryshme informacioni bëjnë me dije se qeveria shqiptare do të marrë një vendim në lidhje me pranimin ose jo të shkatërrimit të armëve kimike, brenda datës 15 nëntor.


Zërat brenda qeverisë: “JO” demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri

Zërat e parë tregojnë se qeveria nuk do të pranojë armët kimike, pasi disa prej deputetëve të majtë dhe dy ministra janë shprehur hapur kundër armëve kimike. Por, nga ana tjetër protestat vijonë në të gjithë vendin dhe në disa shkolla është ndërprerë mësimi, pasi nxënësit i janë bashkëngjitur tubimeve. Ka qenë deputeti i PS-së, Ben Blushi, ai i pari që deklaroi dje, se nuk do ta votonte në Kuvend një nisme të tillë.

Edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, njëherësh kryetar i Kuvendit theksoi se Shqipëria nuk ka kapacitet për çmontimin e armëve kimike.

Deputeti Koço Kokëdhima ka deklaruar mbrëmë në një emision, se nuk do ta votojë vendimin për pranimin e armëve kimike në rast kalimi në Kuvend.

Edhe deputeti i PS, Alfred Peza publikisht deklaroi dhe në “Opinion”, se nuk do ta votojë në Kuvend vendimin në fjalë.

Ditën e sotme, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka deklaruar se nuk e mbështet një vendim, për të cilin nuk është pyetur populli.

Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Namik Dokle, deklaroi sot se një kryeministër, sado i votuar të jetë nuk mund të vendosë për jetën e qytetarëve pa i pyetur ata.

Deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi, është shprehur sot kundër armëve kimike, duke thënë se Shqipëria nuk ka pajisje për çmontimin e tyre.

Ndërsa pak më parë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka thënë se vendi nuk ka kapacitetin e duhur për demontimin e armëve kimike të Sirisë.

Po sot ka dalë kundër edhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe, pasi ka thënë se Shqipëria nuk ka kapacitete dhe teknologji për një trajtim të plotë të lëndëve kimike.


Kryeministri Edi Rama, në ora 17:00 do të dal me qëndrim për armët

1Kryeministri i vendit, Edi Rama njoftoi se do të ndajë publikisht qëndrimin e tij sa i përket armëve kimike siriane, pasditen e sotme në orën 17:00.

Këtë njoftimin Rama e shpërndau nëpërmjet profilit të tij zyrtar në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter, në një kohë kur para kryeministrisë dhe në sheshet e vendit janë paralajmëruar protesta kundër armëve kimike. Dhjetra persona kanë nisur të grumbullohen para Kryeministrisë, duke iu bashkuar grupit të vogël që e gdhiu para godinës në shenjë proteste ndaj armëve kimike.

Pas kthimit nga vizita në Mal të Zi, mbrëmjen e së enjtes mësohet se Rama ka zhvilluar një tjetër bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit, John Kerry, ndërkohë që po ditën e premte pritet edhe mbledhja e Këshillit Ekzekutiv të Organizatës së Parandalimit të Armëve Kimike, OPAK që do të vendosë vendet dhe mënyrat e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.





© 2008-2014 fuqizuar nga Shqipmedia.com

Scroll to top