Loading...

Profesori i UT-së Festim Halili ligjëratë studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Vienës

32130531_10156622995271833_4215961119187009536_n.jpg

Me ftesë të Universitetit të Shkencave të Zbatuara – FH Technikum Wien, respektivisht departamentit të Teknologjisë Informative dhe Teknologjive Biznesore, profesori i Universitetit të Tetovës Doc.Dr. Festim Halili filloi ligjëratat me studentët dhe kolegët austriak të kësaj lëmie. Ligjëratat e para u fokusuan në Njehsimet e Orientuara drejt Shërbimit (Service Oriented Computing) – nga teoria në pragmatizëm, ku studentët shfaqën një interesim të jashtëzakonshëm për këtë fushë, e cila tejkalon barrierat e komunikimit mes pajisjeve të ndryshme digjitale dhe është në vëmendje të hulumtuesve të ndryshëm nga universitete me renome të botës perëndimore. Vlen të theksohet se gjatë kësaj ligjërate, përveç studentëve austriak, shumë bashkatdhetarë nga diaspora ishin prezent duke mbështetur dhe madhështuar këtë event. Gjatë kësaj jave, profesori Festim Halili pritet që të vazhdoj me ligjërata në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke prezantuar rezultatet e hulumtimeve të ndryshme të cilat i ka udhëhequr edhe në këtë lëmi mjaft koherente në botën e shkencave kompjuterike. Njëkohësisht, temë diskutimi do të jenë dhe idetë për projekte shkencore mes UT-së dhe FH Technikum Wien në fushën e shkencave kompjuterike.

Vlen të theksohet se mbështetës kryesor për realizimin e këtyre ligjëratave në Vienë është qeveria austriake, nën përkujdesjen e OeAD, Agjencionit Austriak për Arsim, Shkencë dhe Hulumtim.

Përvoja ndërkombëtare e Profesor Festim Halilit ka qenë mjaft e madhe, duke fituar bursë nga BST (British Scholarship Trust) ka qëndruar për hulumtime shkencore në Universitetin Royal Holloway të Londrës, ndërsa nga fondacioni gjerman DAAD ka fituar bursë gjatë studimeve deridiplomike, për të vijuar studimet semestrale në Universitetin Teknik të Minhenit. Njëherit, ka pasur trajnime profesionale dhe të lidershipit në Universitetin e Northern Illinois të SHBA-ve dhe Universitetin e Mariborit në Sloveni.

Poashtu, në Universitetin e Tetovës përherë të parë tuboi shkencëtarët e institutit ndërkombëtar të shkencave IEEE në konferencën e Inteligjencës kompjuterike, si dhe realizoi hakatonin e mbështetur nga kompania Google Inc.

Komentet
Top