Pronto: Lenini para Corleones

0-23.jpg

Nga Veton Surroi

Si e formoi Kominterna Partinë Demokratike të Kosovës

1.

Adem Grabovci, zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës do të mbahet në mend edhe pas shumë vitesh me nofkën “Pronto”. Nofka doli natyrshëm, si dhe çdo nofkë tjetër, pa ndonjë autorësi të atribuueshme, para dy vjetësh, kur u botuan për herë të parë përgjimet në “KOHA Ditore” dhe KTV. Në to, dy prej aktorëve më të spikatur të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Adem Grabovci, e inicionin telefonatën e tyre me përshëndetjen italiane “Pronto!”. Ishte pothuaj e pamundur, për publikun e përgjithshëm dhe komentuesit e përveçëm, që e tërë përmbajtja e këtyre bisedave të shkëputej prej imazhit të anëtarëve të nëntokës, asaj që tashmë ka krijuar nam me filmat holivudianë për mafien.

Rrjedhimisht, në opinion publik atëherë, dhe tash me rastin e përgjimeve të publikuara këtë verë, ripërsëritet cilësimi “Klani mafioz Pronto” apo “Mafia Pronto” apo “Mafiozët Pronto”.

Lehtësia me të cilën u bë ky cilësim pa dyshim do t’i ketë rrënjët e veta te zhgënjimi i thellë me kapjen e shtetit nga kjo kastë njerëzish (dhe aleatët e tyre politikë), por kjo lehtësi mund të mos e japë përshkrimin e duhur. Kur Adem Grabovci dhe Hashim Thaçi merren vesh për një ligj, pastaj kur Adem Grabovci cakton dikë në bord të një ndërmarrjeje publike apo ndërton emra komisionesh për intervistim kandidatësh për pranim në punë, kjo nuk duket si biseda mes Don Corleones dhe ndonjë ndërmarrësi që kërkon mbrojtje fizike nga kundërshtarët e vet të biznesit.

Megjithatë, një paralele ekziston. Në fjalët e të ndjerit Giovanni Falcones, gjykatësit heroikë kundër mafies, dikur në Sicili “ekzistonte ndrojtja nga shqiptimi i fjalës mafia… sot njerëzit kanë shkuar aq larg në drejtimin e kundërt sa ky është bërë një cilësor i stërpërdorur”. Ai nuk do të pranonte, siç tha më 1990, që të futet nën cilësorin çdo fenomen që është i lidhur me krimin e organizuar por që ka pak apo aspak lidhje me mafien.

Po të parafrazohej Falcone, kur kjo kastë njerëzish menjëherë pas çlirimit të Kosovës u identifikua si pushtet real (me instrumente dhune dhe frikësimi) dhe në të njëjtën kohë kur vriteshin kundërshtarët politikë dhe minoritetet e uzurpohej prona private e publike, cilësimi mafia as që afrohej te maja e gjuhës, ndërsa tash çdo veprim i tyre, qoftë edhe aso joligjor, cilësohet si mafioz. Por a do të mund të quhen “mafiozë” krerët e Partisë Demokratike të Kosovës, sepse fusin njerëz në borde “pa kunkuru”?

2.

Propozoj që pista e hetimeve gjuhësore, nëse mund të shprehemi kështu, të na largojë nga filmi “Kumbara” dhe të na çojë në drejtim tjetër. Në vend se të kërkojmë përgjigje te Vito Andolini Corleone, i njohur si Don, ndoshta do të ishte e udhës që ato të merren te Vladimir Iliç Uljanov, i njohur si Lenin.

Partia së cilës i përkasin Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij telefonikë, Partia Demokratike e Kosovës, është produkt evolutiv i një pjese të UÇK-së, asaj të identifikuar me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Lëvizja Popullore e Kosovës është produkti evolutiv i bashkimit të disa grupeve të ilegalitetit, të njohura si marksiste-leniniste, e këto grupe, së bashku me vetë Lëvizjen janë produkt evolutiv edhe i veprimit të Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë komuniste.

Sigurimi i shtetit i Shqipërisë komuniste ka pasur një përvojë (të këmbyer edhe me vendet e tjera komuniste) për organizimin e celulave klandestine-revolucionare të vendeve të Botës së tretë, në atë që do të ishte eksportim i revolucionit, të “atij autentik”. Dhe kjo përvojë, që i është dhënë mes tjerash kongolezëve, brazilianëve dhe ekuadorianëve, nuk kishte si të mos u jepej kosovarëve, vëllezërve të gjakut.

Por, si mbërrihet tash, në hetimin tonë gjuhësor prej Sigurimit të shtetit deri te Lenini?

Ndërsa Sigurimi i shtetit është marrë në formë intensive me përgatitjen e teknikave të ilegalitetit dhe të strukturimit të “marksistëve-leninistëve” kosovarë, koncepti themelor organizativ e ideologjik nuk kishte burim te Sigurimi, por te një ngjarje që parapërgatiti në masë të madhe thyerjet e gjysmës së dytë të shekullit XX. Fjala është për Mbledhjen e Tretë të Internacionales Komuniste, apo, siç njihej në fjalorin e ri politik sovjetik, Kominterna. Në të, në korrik të vitit 1921, pra para gati njëqind vjetësh, u përcaktua natyra e partisë komuniste. Ajo, sipas “Udhëzimit mbi strukturën organizative të partive komuniste, metodat dhe përmbajtjen e tyre”, siç quhej dokumenti zyrtar i miratuar më 12 korrik të vitit 1921, do të jetë një, qoftë duke vepruar në legalitet apo në ilegalitet, apo në të dyja së bashku. Sipas Udhëzimit, Partia komuniste, në cilindo mjedis të jetë, “duhet ta zhvillojë veten në një organizatë luftarake”.

Qëllimi, natyrisht, është marrja e pushtetit dhe për këtë “varësisht prej fazave të ndryshme në procesin e revolucionit, ndryshimet në funksion mund të ndodhin në jetën e përditshme të çdo partie komuniste. Megjithatë, nuk ekziston një dallim në strukturën partiake e një partie legale, nga njëra anë, dhe një partie ilegale në tjetrën”.

Që nga Lufta Civile në Spanjë, duke kaluar nëpër Luftën e Dytë Botërore (posaçërisht në Jugosllavi e Shqipëri) dhe deri në fund te luftërat e dekolonizimit të shekullit XX (përfshirë, në një masë edhe të Kosovës), është treguar forca ushtarake e udhëzimit bazik të Kominternës që në gjuhën e marketingut bashkëkohor do të tingëllonte si “Bëje Partinë, fito ushtrinë”, apo “Pa ushtri nuk ke Parti”.

3.

Si mund t’i thuhet një organizate, që sikur PDK-ja, ka në emër formulimin “demokratike” se është trashëgimtare e udhëzimit të Kominternës për “parti-ushtri”?

Fjala demokratike në emërtim, në parim, ka aq relevancë për PDK-në sa kishte për Gjermaninë Lindore, të quajtur Republika Demokratike e Gjermanisë.

Për më tepër, përgjimet treguan se PDK-ja i përmbahet në formë të disiplinuar strukturimit hierarkik, qysh prej kohësh kur vepronte në formë celulash treshe në ilegalitet, gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Njëri prej përgjimeve, mes Adem Grabovcit (më 2011, shef i Grupit parlamentar të PDK-së) dhe qytetarit Kadri Veseli (më 2011 pa librezë anëtarësie partiake, pa funksione publike) tregon për relacionin mes një urdhërdhënësi dhe një vartësi. Vartësi në këtë rast doli të jetë Grabovci, duke i shprehur besnikëri ekzekutive eprorit të tij: “Ti i merr vendimet, unë veç i zbatoj”.

Çfarë vendimesh ka mundur të marrë një qytetar i rëndomtë që ato të bëhen të ekzekutueshme nga shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës? Çfarë duhet të jetë funksioni i eprorit, në mënyrë që vendimet e tij të jenë të ekzekutueshme prej shefit të Grupit parlamentar.

Në një demokraci liberale, dhe parti të integruar në të, nuk ekziston një funksion, përfshirë edhe kryetari i Partisë, i cili merr vendime që i bën automatikisht të zbatueshme nga shefi i Grupit parlamentar.

Ja se e dimë se nuk jetojmë në një demokraci liberale dhe me parti të integruar në të, por edhe në një demokraci, qoftë edhe formale, shefi i Grupit parlamentar e ka të vështirë të marrë urdhra nga një qytetar i rëndomtë.

Kjo do të thotë vetëm se qytetari Kadri Veseli, më 2011, kishte një funksion hierarkik të panjohur për popullatën, por të njohur për Grabovcin dhe organizatën e tij. Dhe, të përkujtojmë udhëzimet e Kominternës, Partia i ka dy funksione, në legalitet dhe ilegalitet. Rrjedhimisht, nëse qytetari Veseli nuk kishte funksione në legalitet nuk do të thotë se nuk i mbante në anën klandestine të saj.

4.

Partia-Ushtri më 1998-1999 kishte përcaktuar një detyrë të veçantë për Kadri Veselin, si shef të Shërbimit sekret.

Ky pozicion për herë të parë u vendos nga Lenini kur caktoi Feliks Xherzhinskin si shef të Çeka-s, shërbimit sekret të revolucionit bolshevik. Çeka duhej të merrej me spastrimin e “armikut të brendshëm”. Në Shqipëri, Partia Komuniste themeloi shërbimin e vet sekret më 1943, dhe pas çlirimit të vendit do të themelohet Sigurimi i Shtetit, SHIK-u dhe në fund SHISH-i . Në Jugosllavi, Tito themeloi OZNA-n më 1944 dhe vendosi në krye të saj Rankoviqin. Ky shërbim pastaj do të njihet si UDB, më vonë si Shërbimi i Sigurimit Shtetëror.

Kur më 2011, Grabovci i thoshte Kadri Veselit “Ti i merr vendimet, unë veç i zbatoj”, ai fliste me fjalorin e Partisë-Ushtri, vlerat hierarkike të saj. Ai fliste me vlerat hierarkike të vitit 1998-1999, në vitin 2011 kur mbante postin e shefit të deputetëve të PDK-së e Kadri Veseli nuk ishte as anëtar i kësaj Partie.

Si është e mundur?

Përgjigjen e ka dhënë Kominterna më 1921, bile që në fjalinë e parë të Udhëzuesit të vet:

“Organizimi i partisë duhet t’u adaptohet kushteve dhe qëllimit të aktivitetit të tij”.

Kjo do të thotë se Partia-Ushtri u adaptohet kushteve të jashtme (ka shef të grupit parlamentar, quhet demokratike, merr pjesë në zgjedhje) duke ruajtur gjithnjë strukturimin nga brenda, atë që nuk mund ta shohin të tjerët.

Në atë strukturim, Adem Grabovci vazhdon me qëllimin e aktivitetit të Partisë-Ushtri: zaptimin e shtetit. Dhe në atë qëllim, që të gjithë ata që e quajnë “shef”, dhe të gjithë ata që Grabovci i quajnë “shef” nuk e shohin veten si njerëz që janë duke vepruar kundër interesave të dikujt (shtetit, demokracisë, qytetarëve), por si ushtarë besnikë të një ideje, që ishte në themelin e Partisë, që të merret shteti në duart e tyre.

Komentet
Loading...
Top