Loading...

Pse Lindja e Mesme nuk mund të ketë “NATO”-n e saj arabe?

160415150029-nato-soldiers-780x439.jpg

Nga Hassan Imran

Lindja e Mesme, është tepër e ndarë së brendshmi, për të nisur punën për krijimin e një regjimi kolektiv të sigurisë. Luftërat e Lindjes së Mesme kanë një kosto, sipas vlerësimeve më konservatore, rreth 1.5 milionë jetë njerëzish dhe 11 trilion dollarë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Asnjë pjesë e botës nuk ka përjetuar më shumë dhunë, kaos dhe destabilitet në mënyrën më të vazhdueshme, sesa Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut (MENA). Askush nuk e sfidon faktin se MENA është përfaqëson padyshim një problem kompleks të sigurisë.

Pavarësisht se është parë si një njësi e vetme, rajoni nuk ka qenë kurrë në një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë, ashtu si NATO, pasi fitoi pavarësinë nga kolonizimi francez dhe britanik. Por kjo s’do të thotë se nuk e ka provuar këtë asnjëherë. Janë bërë disa përpjekje për të krijuar një arkitekturë funksionale të sigurisë rajonale.

Ato qenë pa përjashtim të gjitha selektive, dhe ekskluzive nga natyra e tyre. Duke filluar nga hashemitët përkundrejt Shtëpisë mbretërore Saudite, tek republikat ushtarake nacionaliste përkundrejt monarkive të vjetra, janë nënshkruar disa pakte dhe marrëveshjeve kolektive të mbrojtjes, të sponsorizuara nga Liga Arabe dhe përfundimisht edhe të marrëveshjeve të sigurisë nën-rajonale në Gjirin Arab dhe Magreb. Rajoni, ka qenë prej kohësh një shesh lojërash për përballjen me forcat e brendshme dhe të jashtme.

Janë shndërruar në një refren i zakonshëm të çdo diskutimi politik në rajon, deklaratat boshe mbi “ndërhyrjen e huaj”, “diktaturën dhe mungesën e demokracisë” ose akuza të tjera të ngjashme, që shërbejnë për të transferuar frikën dhe përgjegjësinë jashtë ose në terma përtej kontrollit.

Kjo bën më pak të njohshme disonancën që shihet në terren. Më mirë të fajësohet “Vëllai tjetër i Madh”, se sa të pranohet që Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut janë pikërisht aty ku janë, për shkak të kthesës së beftë të ngjarjeve, veprimeve, kulturave dhe qëndrimeve specifike.

Por këto thjeshtëzime, nuk mund të përjashtohen plotësisht. Realiteti është se një rajon me këtë kompleksitet (dhe kontradikta) shumë të natyrshme, nuk mund të shpjegohet duke marrë një qasje reciprokisht ekskluzive, dhe duke ia caktuar fajin vetëm faktorëve të huaj apo faktorëve të brendshëm.

Secili luan rolin e tyre unik ndaj kaosit të përgjithshëm. Një përzierje e zjarrtë e faktorëve shtetërorë, ndërshtetëror dhe të huaj, kanë sjellë katastrofën që Lindja e Mesme po përjeton këto kohë. Gjithsesi, anarkia dhe trazirat, nuk mund të shpjegohen pa parë nuancat se si u krijuan shtetet e këtij rajoni.

Nuk pati një evolucion natyror që e ndau Sirinë apo Irakun në një mënyrë kaq të paekuilibruar, apo që qyteti i Daras të jetë pjesë e Sirisë, dhe jo e Jordanisë, dhe lista vazhdon. Rajoni u formua, shpesh sipas vullnetit të fuqive të mëdha, dhe kjo nevojave të rajonit, apo kufijve natyrorë dhe demografikë.

Luftërat e përgjakshme çlirimtare, bënë pjesën e tyre. Ndërsa disa shtete arritën të largonin kolonizatorët, në disa raste ata vetëm sa zëvendësuan sundimin ushtarak kolonial, me një elitë ushtarake lokale që nuk ishin aspak e suksesshme në biznesin e artit shtetëror dhe ndërtimit të kombit, sikurse ishte në luftërat çlirimtare.

Nga ana tjetër, dinastitë mbretërore, që nuk kishin legjitimitetin revolucionar të republikave ushtarake, u ngjitën në fron në disa shtete të tjera, por u sfiduan në masë të madhe jo vetëm nga republikat ushtarake, por nga qytetarët e tyre.

Kjo krijoi një atmosferë të brishtë dhe të tensionuar në rajon, e cila do të dëmtonte marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon. Si për t’i shtuar më shumë kompleksitet në vendngjarje, lëvizjet dhe ideologjitë transnacionale që nuk i njihnin kufijtë e trashëguar (të vendosura nga fuqitë kolonialiste) të shteteve të tyre, fituan gjithnjë e më shumë terren.

Mungesa e plotë e harmonisë midis sistemeve politike në rajon (ndryshe nga NATO, që përbëhet tërësisht nga demokraci), të karakterizuara nga nivele të tilla të larta të ndërhyrjes ndërshtetërore në punët e njëri-tjetrit, krijoi një atmosferë helmatisëse, ku asnjë shtet nuk ka një fije besimi tek tjetri.

Nivelet e larta të mosbesimit, dhe nivelet e ulëta të respektimit të sovranitetit, janë “Antikrishti” i një regjimi të sigurisë në çdo rajon. Vetëm në vitin 1964, shtetet arabe përfunduan zyrtarisht përpjekjet e bashkimit, që synonin të prodhonin një kohezion lindor pan-arabik. Por, ndërhyrja në punët e njëri-tjetrit në realitet nuk kishte përfunduar, çka nënkuptonte se mungesa e besimit midis këtyre shteteve vazhdonte të përkeqësohej.

Kjo është arsyeja, se përse vendet arabe nuk i bashkuan kurrë forcat e tyre që nga lufta e vitit 1973, përveçse nën një ombrelle të huaj, si koalicioni anti-ISIS i udhëhequr nga SHBA-ja. Kjo marrëdhënie e trazuar midis nevojave të sigurisë së brendshme dhe politikës së jashtme, ka gjëra të mëtejshme të ndërlikuara.

Është e kuptueshme që shtetet të ndjekin sigurinë kolektive, për të përmbushur kërkesat e tyre të brendshme. Sidoqoftë, siguria në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, është e mbi-ndërkombëtarizuar. Për me tepër, rajoni nuk ka perceptim të përbashkët kërcënimi. Dikur dhe për një kohë të gjatë, Izraeli ishte kërcënim i përbashkët.

Sot megjithatë, rreziku kryesor është ekspansioni iranian. Së fundmi, çdo regjim sigurie duhet të jetë në gjendje të trajtojë sigurinë në një mënyrë gjithëpërfshirëse, dhe të adresojë çështjen e ndërlikuar të sovranitetit. Çështjet e brendshme si luftërat civile, gjenocidet etj, nuk mund të mbeten të pa adresuara në emër të “respektit të sovranitetit”.

Fatkeqësisht, siguria gjithëpërfshirëse duket e largët për rajonin, pasi të gjitha shtetet kanë çështje të brendshme të rënda, të cilat kërkojnë ndryshime apo reforma rrënjësore. Rajoni mund të veprojë i bashkuar, dhe të pastrojë vetë rrëmujën. Kjo megjithatë, nuk duhet të ngatërrohet me faktin se kompetencat e jashtme janë padyshim duke ndërhyrë në çështjet e rajonit dhe kundër interesave të këtij të fundit.

Ushtritë e kolonive u larguan nga rajoni, por fuqitë e mëdha asnjëherë. Ndikimi negativ i duarve të jashtme, mund të shihet lehtësisht në rolin britanik të shkatërrimit të Palestinës, dhe rolit francez në nxitjen e tensioneve sociale në Afrikën e Veriut dhe Siri.

Shumë prej çështjeve ndërshtetërore të botës së MENA, dhe asaj arabe në veçanti, mund të gjurmohen nga fakti se kufijtë e rajonit ishin të formësuara në një mënyrë të tmerrshme nga jashtë. Një vështrim i shpejtë në demografinë e Sirisë, Libanit dhe Irakut flet shumë për vijat kufitare absurde.

Polarizimi i Luftës së Ftohtë, solli përplasje të brendshme ideologjike në shumicën e shteteve arabe. Shumë faktorë duhet të bëhen përgjegjës për gjendjen aktuale, por më e rëndësishmja për shtetet rajonale, është se mund të zgjidhin problemet e tyre vetëm duke parë veten në pasqyrë, dhe gjetur vetë zgjidhjet ekskluzive, si në rajon ashtu edhe brenda shteteve të veçanta. Historia na tregon vazhdimisht, se vetëm ata që bashkohen në frontin e brendshëm, mund të zgjidhin problemet e veta, dhe t’u prijnë kombeve të tyre.

Shënim: Hassan Imran, është një analist politik i pavarur mbi të drejtën ndërkombëtare dhe çështjet e Lindjes së Mesme. Ai është edhe drejtor ekzekutiv i ”One Justice”, një organizatë e asistencës juridike me qendër në Paris.
Burimi: “TRT World”

Në shqip nga bota.al

Komentet
Top