Punë ka, por varet për kë ?!

Aktuale-111Ardhja_e_emigranteve_shqiptar__1__934060654.jpg

Ende pa filluar stina e pranverës, ditëve të fundit vërehet ardhja e emigrantët nga Shqipëria, të cilët kanë zgjedhur qytetin e Gostivarit për punë sezonale në ndërtimtari apo ndonjë punë tjetër krahu. Si çdo vit, rruga për tek stacioni i autobusëve dhe trenave në Gostivar, është vendi ku grumbullohen dhe presin oferta për punë. Thuajse të gjithë janë të njëjtit njerëz që kanë qenë edhe viteve të kaluara. Edhe pse ende punët në terren nuk janë hapur siç duhet, ato nga ditët e para të muajt shkurt kanë udhëtar drejt Gostivarit, me shpresë se do të arrijnë të punojnë ndonjë ditë. “Prej nga vijmë gjasat për të gjetur punë në këtë periudhë të vitit thuajse nuk ekzistojnë, këtu të paktën kemi shpresë se do të gjejmë angazhim”, thotë njëri nga shtetasit shqiptar që ditën e premte nga orët e para të mëngjesit kishte dal për të gjetur punë. Ai nuk deshi të identifikon veten, nga frika mos të ketë perkusione me organet e rendit, sepse, në Maqedoni ka hyrë legalisht por i mungon leja e qëndrimit. Mëditja e tyre rrotullohet nga 10 deri 20 euro, varësisht nga angazhimi dhe puna që bëjnë. Ato shprehen se janë të detyruar të vijnë të punojnë në Maqedoni, shkaku se vendlindja nuk ua ofron këtë mundësi. Mëditja që marrin, duke pasur para sysh se punojnë punë krahu, nuk është ajo që do të dëshironin, por paperspektiva për të gjetur punë në vendlindjen e tyre, i bënë të jenë të kënaqur me atë çka marrin këtu. “Ndodh që me ditë të tëra mos të angazhohemi askund në punë, presim gjithë ditën dhe në fund kthehemi në banesë pa fituar asnjë lek. Por përgjithësisht jemi të kënaqur me punën dhe të ardhurat që arrimë t’i fitojmë këtu, për shkak se në Shqipëri gjendja është ende më e rënduar”, thekson Denad Muzaka, banor i Peshkopisë. Ai vëren se gjendja sa vjen e vështirësohet edhe për shkak të krizës ekonomike globale, e cila është reflektuar si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni. Thotë se këtë vit, prej se kanë ardhur në Maqedoni. për dallim nga vitet e kaluara oferta për punë është shumë më e vogël, edhe pse ende nuk kanë filluar punët në terren ashtu siç pritet nga mesi i muajt mars dhe muajt e tjera të pranverës dhe verës. Gjersa ditën shpërndahen në kërkim të punës, në mbrëmje takohen në vendet ku banojnë. Për tu ikur shpenzimeve, në një banesë banojnë më tepër persona. Çdo njëri detyrohet të paguan nga 50 deri 100 denarë për një natë strehim, edhe pse nuk i kanë as kushtet elementare për banim. Nuk flitet për kuzhinë, banjë apo ndonjë dhomë të dytë. Aty qëndrojnë sa për të kaluar natën. Ushqimin e hanë aty ku gjejnë dhe aty ku munden. Ndodh që ndonjë ditë këtë barë tua heqin njerëzit tek të cilët punojnë. “Ka banesa që na lëshojnë me qira. Banojmë nga 3, 5 por edhe më tepër persona në një dhomë. Pronarit të banesës i paguajmë nga 50 ose 100 denarë në ditë, varësisht si e gjejmë. Me ushqimin, ose e blejmë vet në ndonjë shitore ose na japin atje ku punojmë. Në çmim nuk parashihet edhe ushqimi, kush na jep e bën nga dëshira e vete”, thotë Jakup Xhoca banor i Lezhës, i cili sivjet për të nëntin vit me radhë vjen në Gostivar për të punuar. Prezenca e tyre në të shumtën e rasteve në mënyrë ilegale apo pa dokumentacion përkatës për punë, shpesh herë nxit reagimin e organeve të rendit. Sidomos vitit të kaluar, policia ndërmori disa aksione kundër shtetasve të Shqipërisë të hasur duke qëndruar dhe punuar ilegalisht në Gostivar dhe rrethinë. Vetëm gjatë vitit që lamë pas, policia e Maqedonisë ka zbuluar dhe përcjellë drejt vendeve të tyre rreth 153 nënshtetas të huaj. Evidencat e policisë tregojnë se gjatë vitit 2014, policia ka hasur mbi 200 punëtorë me nënshtetësi të huaj, kurse mbahen mend edhe aksionet policore kur vetëm për një ditë, zbuloheshin qindra nënshtetas të huaj me qëndrim ilegal.

“Disa herë kemi qenë në shënjestër të Policisë. Disa nga emigrantët është fakt se nuk kanë leje qëndrimi në Maqedoni, por këtu vijnë nga halli. Ka dhe të tillë që merren me punë të pandershme dhe për ato duhet të vlen ligji pa hamendje, por për njerëzit që kanë ardhur nga halli për të siguruar kafshatën e bukës, mendoj se policia duhet të jetë më tolerante”, thotë një emigrant që nuk deshi të identifikohet. Për dallim nga periudha në vijim, vitet e mëhershme Gostivari dhe rrethina ka qenë qendër e punëtorëve ilegal nga shtetet fqinje, të cilët kryesisht angazhoheshin si dorë pune e volitshme në ndërtimtari, bujqësi por edhe veprimtari të tjera. Prezenca e tyre dhe puna ilegale, jo rrallë herë kalon pa rreziqe, madje edhe për jetën. Gjatë vitit të kaluar, në vend të punës jetën e humbën disa shtesat shqiptarë.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top