Qytetarët dënuan shovenizmin e Gruevskit dhe vasalitetin e Ahmetit

naser-selmani-860x680.jpg

Delegjitimimi i BDI nga elektorati shqiptar është përfundimi i tretë që ngërthen në vete rezultati i zgjedhjeve. Ajo më nuk mund të krekoset se është përfaqësuese legjitime e shqiptarëve të Maqedonisë. Ahmeti nuk do të mund më të thirret në emër të shqiptarëve për t’i shërbyer me servilizëm Gruevskit, as të nëpëprkëmb interesat e shqiptarëve, e as të manipulojë me votën e tyre për t’u përfshirë në afera korruptive dhe kriminale

NASER SELMANI

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni mbaruan dhe rezultati i tyre është në kuadër të pritshmërive. Befasira nuk ka edhe pse opozita maqedone është e ekzaltuar me rezultatin e arritur. Në bazë të rezultateve të deritanishme, partia nacionaliste VMRO-DPMNE është fituese e këtyre zgjedhjeve, me një eprësi prej dy tre deputetësh para opozitës së majtë. Fitorja e VMRO është si fitorja e Piros për Gruevskin sepse rezulati i ngushtë i rrezikon vazhdimsinë e pushtetit të tij. Në zgjedhjet e viti 2014 Gruevski mori 63 deputetë, ndërsa tani partia e tij do të ketë rreth 50, që shënon rënie prej 13 mandadesh.

Befasi nuk ka as në bllokun shqiptar. BDI do të fitojë afër 10 deputet duke përgjysmuar numrin e tyre në krahasim me zgjedhjet e fundit kur pati fituar 19 mandate.

Partitë në pushtet, VMRO dhe BDI në zgjedhjet e vitit 2014 korrën fitore bindëse duke marrë dy të tretat e mandateve në Kuvend, ndërsa tani ata nuk kanë siguruar as shumicën nominale të mandateve për formimin e qeverisë së re. Hapësira për koalicionime është shumë e kufizuar. As dy-tre deputetët e PDSH nuk do ju kryejnë punë. Praktikisht, Gruevski dhe Ahmeti kanë humbur pushtetin në Maqedoni. Koha kur ato diktonin rrjedhën e ngjarrjeve politike ka ikur. Po krijohet një realitet i ri, i cili atyre nuk u shkon aspak për shtati.

Fitues real të këtyre zgjedhjeve janë opozita maqedone dhe Lëvizja Besa, edhepse realisht kanë fituar më pakë vota sesa partitë në pushtet. LSDM falë votës së shqiptarëve thuajse ka barazuar rezultatin me VMRO, ndërsa Besa si parti e re është ngritur si forcë e dytë politike e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ende është herët për të gjykuar se cilat forca politike do të formojnë qeverinë e re apo ndoshta vendi do të përballet me krizë të re politike.

Mirëpo, përkundër shumë paqartësive që ka sjellë rezultati i zgjedhjeve, në këtë nivel të zhvillimeve mund të nxirren disa përfundime.

E para, dhe ndoshta më e rëndësishme është se faktori euroatlantik nuk ia ktheu shpinën Maqedonisë. U dëshmua se Maqedonia është sferë e interesit euro-amerikan. Dhe shyqyr që doli kështu. Pa përkrahjen e tyre nuk do të kishim këtë rezultat që kemi sot. Ndërhyrja e tyre ishte me saktësi kirurgjikale, aq sa për të arritur balancet dhe aq sa duhej për të mbajtur vendin në kursin euroatlantik. Kësaj here faktori euroatlantik nuk favorizoi asnjë palë, por ndihmojë në arritjen e ekuilibrave, aq të nevojshmë për ruajtjen paqes dhe stabilitetin. Nëse dy forcat kryesore maqedone në të ardhmen duan të fitojnë mbështetjen e hapur të amerikanëve dhe evropianëve, duhet të demostrojnë vullnet të vërtet politik për konsolidimin demokratik të vendit, përmirësimin e raporteve të brishta ndëretnike, zgjidhjen e çështjes së emrit dhe intensifikimin e reformave në kuadër të integrimit euroatlantik.

Nga ana tjetër, ndërhyrja e faktorit perendimor, zbehu shpresat e pansllavistëve rus, të cilët shfrytëzuan luftën në Ukrainë dhe Siri për të shtuar ndikimin e tyre në Ballkan duke luajtur në kartën e vëllazërisë orthodokse.

Përfundimi i dytë nga rezultati i këtyre zgjedhjeve është dështimi i politikës shoveniste të liderit të VMRO, Nikolla Gruevski, i cili për hirë të pushtetit të tij, ngriti një regjim autoritar duke larguar vendin nga procesi i integrimeve dhe duke koketuar hapur me faktor të tretë.

Porosia mes rreshtash e perendimorëve është e qartë se Gruevski politikisht është i vdekur. Nëse VMRO si parti dëshiron të rivendos marrëdhëniet të mira me to, duhet të izolojë politikisht Gruevskin. Jo vetëm që nuk duhet të ushqehen apetitet e tij politike për të pretenduar postin e kryeministrit, por duhet të pensionohet edhe nga posti i liderit të partisë. Për Perendimin nuk është problem Gruevski si individ, por politika e tij aurtoritare e shoveniste, që provokon paqen dhe stabilitetin në Maqedoni dhe rajon.

Delegjitimimi i BDI nga elektorati shqiptar është përfundimi i tretë që ngërthen në vete rezultati i zgjedhjeve. Ajo më nuk mund të krekoset se është përfaqësuese legjitime e shqiptarëve të Maqedonisë. Ahmeti nuk do të mund më të thirret në emër të shqiptarëve për t’i shërbyer me servilizëm Gruevskit, as të nëpëprkëmb interesat e shqiptarëve, e as të manipulojë me votën e tyre për t’u përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.

Përfundimi i katër nga rezultati i zgjedhjeve është demisionimi i pritur nga skena politike e Menduh Thaçit dhe PDSH-së. Arsyeja e këtij ndëshkimi të rëndë të elektoratit është vetëdisimi i shqiptarëve se Thaçi më shumë aktronte opozitën se sa e ushtronte me seriozitet këtë mision shumë të rëndësishëm në një sistem demokratik. Sikur Thaçi të ishte në nivel të detyrës si opozitë në Kuvend, zullumet e BDI dhe Gruevskit kundër vendit dhe shqiptarëve nuk do të ishin aq të rënda. Demisionimin e Thaçit sigurisht se e ndihmojë edhe Lëvizja për reforma e PDSH, e cila në zgjedhje mori pjesën dërmuese të elektoratit burimor të PDSH.

Përfundimi i pestë nga këto zgjedhje është se vota e shqiptarëve për LSDM nuk është votë e djegur, edhepse unë vazhdimisht jam angazhuar që vota e shqiptarëve duhet të shkojë për partitë shqiptare. Vota për Zaevin arriti balancin strategjik në bllokun maqedon, e cila mund të forcojë pozitën negociuese të shqiptarëve gjatë formimit të qeverisë me partitë maqedone. Kuptohet, nëse subjektet shqiptare dinë ta përdorinë këtë situatë në të mirë të shqiptarëve dhe nëse trajtojnë me respekt deputetët shqiptarë të dalë nga listat e LSDM. Atyre pa kurrëfarë paragjykimesh duhet t’u jepet shansi me dinjitet të mbrojnë interesat e përgjithshme të qytetarëve dhe veçanërisht të shqiptarëve në Kuvend.

Vota e shqiptarëve për opozitën maqedone është më shumë barrë se sa favor për Zaevin. Një pjesë e shqiptarëve dëshmuan se nuk u pengon të votojnë një parti maqedone, tani topi është në terenin e Zavit për të reflektuar. Besoj se faktori ndërkombëtarë po jep shansin e fundit partive maqedone. Nëse LSDM nuk e lexon drejtë vullnetin e shqiptarëve për të dhënë votën e tyre në mbështetje të një politikani maqedon, federalizimi i Maqedonisë do të jetë i pashmangshëm.

Ishte i saktë paralajmërimi im gjatë një debati në Televizionin 21 drejtuar partive shqiptare se manovrat politike të Zaevit duhet t’i trajtohen me shumë seriozitet. Dhe kuptohet, si çdoherë BDI dhe PDSH nuk marin mësime sepse fatëkeqësia e tyre është se çdoherë kanë qenë të cektë. Nuk kanë ditur kurrë t’i vlerësojnë drejtë zhvillimet politike dhe të reagojnë në mënyrë adekuate.

Përfundimi i gjashtë nga zgjedhjet është se vota për Zaevin është poaq edhe votë kundër BDI dhe opozitës së coptuar shqiptare. Ahmeti i mashtroi shqiptarët me politikën e tij të vasalit të besueshëm ndaj Gruevskit, ndërsa opozita shqiptare i dëshproi me paaftësinë e saj për tu bashkuar. Vota e shqiptarëve për Zaevin është flakaresh për Besën dhe Aleancën sepse nuk e kaluan testin e pjeskurisë politike.

Imagjinoni sikur Besa dhe Aleanca të ishin bashkë në zgjedhje çfarë rezultatesh do kishim dhe çfarë fryme pozitive do krijohej te shqiptarët. Nëse ato do të mernin mbi 15 deputet, partive maqedone fituese nuk do t’u lihej hapësirë taktizimi se cilën parti shqiptare duhet të ftonin për të formuar qeverinë. Paaftësia e Besës dhe Alencës për të demostruar unitet në bllokun shqiptar, bëri të fitojë Zaevi.

Vlenë të theksohet se në këto zgjedhje dështoi edhe përpjekja e establishmentit kosovar për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoni. Hashim Thaçi dekoroi Aliun dhe Menduhin dhe në vend se t’u ndihmojë, i dëmtoi edhe më shumë. As dërgimi i bandave kriminale për frikësimin e shqiptarët në ditën e votimit nuk funksionoi. Shumica e shqiptarëve votuan kundër BDI.

Komentet
Loading...
Top