Loading...

Qytetet më të shtrenjta në botë për nga ushqimi

084.jpg

Klasifikimi – Sezoni turistik mund t’ju ketë shtuar kureshtjen për të vizituar vende të reja, por mësoni më parë se cilat janë qytetet që do t’ju kushtojnë shumë për vetëm një hamburger apo një filxhan kafeje

Çmimet variojnë kudo në botë në bazë të produkteve si kafeja, birra apo sanduiçi, por kosto e këtyre produkteve mund të zbulojë shumë për faktin se sa i shtrenjtë është një qytet për të jetuar apo thjesht për ta vizituar.

Hotels.com hartoi një indeks që analizon kostot e ngrënies në hotele kudo në botë. Studimi përllogariti çmimet mesatare të produkteve specifike të cilat duhej të paguheshin nga turistët në hotele me pesë, katër dhe tre yje në qytetet më të mëdha të botës.

Për të tretin vit radhazi, Gjeneva u kategorizua si qyteti më i shtrenjtë në botë.

10. Qyteti i Nju Jorkut

I dhjeti për nga shtrenjtësia ndër ‘shokët’ e tij edhe më të shtrenjtë, qyteti i Nju Jorkut ofron një hamburger për 24.26 dollarë, një filxhan kafeje për 5.38 dollarë dhe një gotë verë për 12.31 dollarë. Për 17.69 dollarë ekstra do të mund të konsumoni një sanduiç duke e çuar kështu koston e një vakti jashtë në 69.64 dollarë. Mirë se vini në botën e shtrenjtë!

9. Singapori

Në Singapor, një hamburger do t’ju kushtonte 23.49 dollarë, ndërsa një kafe 6.06 dollarë. Me një çmim mesatar për një gotë verë të kuqe prej 13.97 dollarësh dhe një sanduiç 17.02 dollarë, Singapori është vetëm fillimi i çmimeve që sa vijnë e çmenden. Për një vakt të pranueshëm në këtë qytet, do t’ju duhen 60.54 dollarë.

8. Tokio

Listës sonë nuk kishte si t’i mungonte edhe Tokio, qyteti ku për një hamburger ju kërkohet 22.54 dollarë dhe për një filxhan kafeje 8.50 dollarë. Për të shijuar një gotë verë do t’ju duhet të paguani 11.03 dollarë dhe për një sanduiç 18.72 dollarë. Me kosto totale prej 60.79 dollarësh, Tokio është vetëm fillimi i çmimeve të shtrenjta.

7. Stokholmi

Në Stokholm çmimet e të ngrënit variojnë nga të shtrenjta në të lira. Një hamburger do t’ju kushtonte 23.50 dollarë, ndërsa një filxhan kafeje 4 dollarë. Vera e kuqe e hapur në një gotë kushton 11.37 dollarë dhe sanduiçi që do t’ju ngopte stomakun, por do t’ju zbrazte disi kuletën, është 22.84 dollarë. Me një total prej 61.71 dollarësh mund të konsumoni një vakt të pranueshëm në Stokholm.

6. Seuli, Kore e Jugut

Në listën e qyteteve më të shtrenjta në botë ia ka dalë të futet edhe Seuli i Koresë së Jugut dhe me të drejtë. Për 21.89 dollarë, hamburgeri dhe 9.72 dollarë kafeja, Seuli në total do të kërkonte 65.32 dollarë nëse do t’i shtonim edhe një gotë verë prej 13.61 dollarësh dhe një sanduiç prej 20.10 dollarë. Ju përket juve ta vendosni!

5. Londra

Londra ka një çmim mesatar për hamburger që shkon në 25.74 dollarë dhe ku një filxhan kafeje shkon në 6.10 dollarë. Vera është më e lirë se në Oslo të Norvegjisë, me 11.53 dollarë dhe një sanduiç kushton 22.08 dollarë. Kosto totale e Londrës është 65.45 dollarë.

4. Oslo, Norvegji

Renditja vazhdon me Oslon në Norvegji, qytetin ku një hamburger të kushton 31.18 dollarë dhe një filxhan kafeje 4.80 dollarë. Për një gotë verë të kuqe do t’ju duhet të shpenzoni 12.32 dollarë dhe për një sanduiç 20.12 dollarë. Besojeni ose jo, çmimet vijojnë duke u rritur. Për momentin kosto totale e Oslos shkon në 68.42 dollarë.

3. Hong Kongu

Një hamburger në Hong Kong kushton 30.57 dollarë, një kafe 7.39 dollarë, një gotë verë e kuqe 12.29 dollarë dhe një sanduiç 21.09 dollarë. Çmimet e kripura që e çojnë vlerën e një vakti jashtë në 71.34 dollarë e rendisin Hong Kongun të tretin më të shtrenjtë.

2. Parisi

Në qytetin e dytë më të shtrenjtë në botë dhe në të ashtuquajturin qytet i të dashuruarve, një hamburger të pakëson portofolin me 29.79 dollarë, një filxhan kafeje kushton 5.79 dollarë, një gotë verë e hapur 12.81 dollarë dhe një sanduiç 24.39 dollarë. Në total me 72.62 dollarë për një vakt, Parisi duket se e meriton vendin e dytë.

1. Gjeneva

Me një kosto prej 37.80 dollarësh për një hamburger dhe me vlerën prej 6.19 dollarë për një filxhan kafeje, Gjeneva renditet në qytetet më të shtrenjta të botës për të ngrënë një vakt. Gjithashtu një gotë verë e kuqe kushton 12.13 dollarë dhe një sanduiç 30.59 dollarë. Në total shpenzimet e një vakti modest në Gjenevë, qytetin më të shtrenjtë të botës sipas këtij klasifikimi shkon 86.71 dollarë.

Komentet

Leave a Reply

Top