Rasti “Kumanova”, flasin familjarët para gjykatës së Shkupit – VIDEO

vlcsnap-2015-12-07-17h27m40s90_0.jpg
29 të akuzuarit për vepër penale terrorizëm në Lagjen e Trimave në Kumanovë, deklaruan se nuk ndjehen fajtorë dhe se deri më tani nuk kanë parë ndonjë dëshmi për atë që janë të akuzuar.
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, vuri në dukje se në këto shtatë muaj as ai e as ndonjë nga avokatët, por as edhe të akuzuarit nuk i kanë parë provat kundër tyre dhe kërkoi që ato të prezantohen.
Ndërsa avokati mbrojtës, Isen Shazivari, theksoi se disa nga të pandehurit ishin torturuar dhe rrahur fizikisht dhe kërkoi përjashtimin e Prokurorisë Publike dhe rasti të transferohet në Prokurorinë Speciale.
Para Gjykatës ishin të mbledhur edhe familjarë dhe miq të të akuzuarve, por atyre nuk ju lejua që të marrin pjesë në seancën gjyqësore. As ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, nuk ju lejua pjesëmarrja në seancën gjyqësore.
“Nuk na lejuan të hymë brenda dhe të marrim pjesë në seancën gjyqësore. Ky është një proces i montuar politik, një proces i inskenuar prej strukturave udhëheqëse maqedonase, prej koalicionit shqiptaro-maqedonas. Është një skenar i përgatitur që ngjason në skenarët tjerë të përgatitur edhe më parë, duke filluar prej vitit 2001 deri në ditët e sotme. Nuk i dimë shkaqet dhe arsyet pse nuk na lejuan të hymë”- deklaroi një familjar.
“Asgjë, asnjë përgjigje nuk kemi. Ja të gjithë presim këtu, ky është një rast i montuar, nuk mund të presim drejtësi”- tha një familjar.
Babai i të akuzuarit Valdet Zekaj, Ismail Zekaj, në emër të të gjithë familjarëve apeloi tek institucionet ndërkombëtare që ata të merren me rastin e Kumanovës, pasi që nuk beson në drejtësinë e gjykatave në Maqedoni, por edhe dyshon se rasti është i montuar politikisht.
“Këtu nuk ka gjykim të drejtë, siç nuk ka asgjë të drejtë. Unë kisha apeluar tek organet ndërkombëtare të drejtësisë që ata të marrin në dorë këtë proces, sepse nuk presim gjykim të drejtë dhe njerëzor nga pushteti i Maqedonisë”- theksoi babai i të akuzuarit Valdet Zekaj, Ismail Zekaj.
Seanca gjyqësore pritet të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes, e më pas do të vendoset për ankesat e avokatëve të të akuzuarve.

.


Komentet
Loading...

0 thoughts on “Rasti “Kumanova”, flasin familjarët para gjykatës së Shkupit – VIDEO”

  1. alban says:

    Komunistat e dikurshem jane shfaqur tek UDBA i tanishem

Leave a Reply

Top