Rritja e çmimeve të karburanteve në Maqedoni, “haraç” apo zhvillim?

22.15-AKTUALE-cmimet-e-karburanteve-750x430.jpg

Vozitësit në Maqedoni dhe rajon i paguajnë çmimet e karburanteve të naftës me çmime të përafërta, por edhe më të shtrenjta se një pjesë e shteteve të Evropës që kanë paga edhe dhjetë herë më të larta se punëtorët në Evropën Juglindore, shkruan gazeta KOHA. Çmimi i benzinës në Maqedoni është 1.081 euro për një litër që është më shtrenjtë se në Poloni ku litra paguhet 1.067 euro, ndërsa i afrohet me çmim edhe Luksemburgut ku vozitësit paguajnë 1.180 euro për një litër.

Edhe pse standardi i jetës së qytetarëve dhe fuqia blerëse e popullsisë së vendeve të BE-së , por edhe shteteve të tjera me mirëqenie të madhe në Evropë, është dukshëm më e lartë se standardet e qytetarëve të vendeve të rajonit, në disa shtete të BE-së, karburanti është me çmime gati të barabarta në krahasim me shtetet e rajonit. Pra, qytetarët e Polonisë për një litër euro-super ndajnë 1.067 euro, në Austri ndajnë 1.168 euro ndërsa në Zvicër një litër euro-super kushton 1.257 euro. Bile në një nga shtetet ku qytetarët kanë paga të larta si Luksemburgu , benzinën e paguajnë 1.180 euro për litër.

Çmimin më të lartë të benzinës në rajon e paguajnë qytetarët e Shqipërisë – 1.290 euro për litër, ndërsa qytetarët kroat për një litër benzin paguajnë 1.257 euro. Në Kosovë , një litër benzin kushton 1.050 euro, në Mal të Zi, 1.230 euro, Bosnjë dhe Hercegovinë 0.874 euro , ndërsa në Serbi 1.192 euro. Maqedonia është më e shtrenjtë me 1.081 euro, ndërkohë që vetëm në Bosnje e Hercegovina benzina kushton 0, 874 euro për litër.

Në anën tjetër, prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë kanë edhe çmimin më të ulët të karburanteve të naftës. Vozitësit në Algjeri paguajnë 0.165 euro për litër të benzinës 95 dhe 0,100 euro për një litër të dizelit. Në Kuvajt paguajnë 0.180 për benzinë dhe 0.305 euro për litër të dizelit . Në Libi paguajnë 0.123 euro për benzinë dhe 0.092 euro për litër të dizelit . Në Arabinë Sauditë paguajnë 0.200 euro për litër benzinë dhe 0.167 për litër dizel. Në Tunis paguajnë 0,524 euro për litër benzinë dhe 0.390 euro për litër dizeli. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguhet 0.535 euro për litër benzinë dhe 0,621 euro për litër dizel, tregojnë të dhënat më të reja të muajit janar të faqes së specializuar për çmimet e karburanteve në botë, Fuel Price .

Sa i përket shteteve të rajonit, Bosnja paguan 0,798 euro për litër dhe Maqedonia me 0.967 poër litër , dhe kanë çmimet më të lira të dizelit. Çmimin më të lartë të dizelit në rajon e paguajnë qytetarët e Shqipërisë -1.268 euro për litër, ndërsa qytetarët kroat për një litër naftë paguajnë 1.204 euro. Në Kosovë, një litër dizel kushton 1 euro, në Mal të Zi, 1.210 euro, Bosnjë dhe Hercegovinë 0.798 euro, ndërsa në Serbi 1.251 euro.

Në Evropë, çmimin më të lartë të karburantit e paguajnë qytetarët e Norvegjisë dhe Holandës, të cilët për një litër euro-super 95 duhet të ndajë 1.686 gjegjësisht 1.645 euro, kurse për eurodizel në Norvegji paguajnë 1.562 euro për litër.

Ndryshe, kostoja e karburanteve të naftës , në shtetet e ndryshme të botës varen, përveç nga luhatjet e çmimit të naftës në bursat botërore, edhe nga subvencionimet e ndryshme, kursi i dollarit , shkallës së tatimit në vlerë të shtuar si dhe taksave të ndryshme që paguhen krahas çmimit themelor të naftës.

Ndonëse, karburantet përbëjnë produktet më të rëndësishme që i nënshtrohen taksës së akcizës në Maqedoni por edhe shtetet e tjera, prandaj janë edhe një burim shumë i rëndësishëm i mbushjes së arkës së shtetit. Madje, në Maqedoni nga fillimi i vitit për çdo litër të dizelit paguhet edhe 3.5 denarë akcizë shtesë. Rritja e akcizës, siç theksuan burime qeveritare për gazetën tonë, është në pajtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian, që të destimulohet përdorimi i karburanteve dizel në favor të mjedisit jetësor. Megjithatë, pritet që në fund të vit nga ky “haraç” i ri për qytetarët në arkën e shtetit të derdhen 30 milion euro shtesë që nuk do të harxhohen për mbrojtjen e ambientit , por për projekte kapitale në arsim, për kopshtet e fëmijëve, biblioteka, zhvillim rajonal të barabartë, investime kapitale në komuna, shëndetësi dhe sfera të tjera. (koha.mk)

Komentet
Loading...
Top