Loading...

Rusia është gati ta pushtojë një shtet në Evropë

502b5549e8764d2ca8f6005025e72a49_18.jpg

MIKHEIL SAAKASHVILI

Në fillim ai e nduki tokën e Gjeorgjisë, më pas atë të Ukrainës. Objektivi i radhës i Vladimir Putinit me gjasë do të jetë një vend në Evropë që nuk është pjesë e NATO-s.

Jo shumë vëzhgues do ta konsideronin shtegun më të ftohtë detar si pikën më të nxehtë gjeopolitike. Por kjo mund të ndryshojë. Javën e kaluar dolën raportet që politika e re e Kremlinit do të kërkojë nga të gjitha anijet detare ndërkombëtare që ta lajmërojnë Rusinë 45 ditë përpara në mënyrë që të hyjnë në Rrugën e Detit të Veriut që lidh oqeanin Paqësor me Atlantikun përmes ujërave të Arktikut në veriun e Siberisë. Çdo anije në këtë rrugë, ku Rusia ka investuar tepër shumë në infrastrukturën e sofistikuar ushtarake, do të duhet të ketë një pilot detar rus në bord. Anijet që shkelin këto restrikcione do të ndalohen me forcë, apo – në rrethana të paspecifikuara ‘ekstreme’ – do të “eliminohen”.

Kërcënimi i fundit i Kremlinit ka kaluar gati i pavërejtur, ndoshta sepse nuk përbën befasi. Zyrtarët rusë justifikojnë restrikcionet e reja detare me shpjegime që merren me mend, duke pretenduar se “operacionet e shumta detare në Arktik të shteteve të ndryshme të huaja” e lypin një përgjigjje të tillë.

Kjo është e njëjta taktikë që presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur për të justifikuar aventurat e tij ushtarake për vite më radhë: Nga Gjeorgjia më 2008, Ukraina më 2014, deri te Siria më 2015, Putini gjithnjë ka hequr fajësinë për agresionin rus duke fajësuar perëndimin. Mediat e mbështetura nga Kremlini amplifikojnë këtë mesazh, duke i ndjellur frikë audiencës nga NATO-ja dhe duke e cilësuar denoncimin e Perëndimit ndaj veprimeve të Putinit si evidencë për “rusofobinë.”

Shumë njerëz pyesin veten se çka fiton Putini nga shtyrja përpara e kësaj narrative. Në shkeljen e normave ndërkombëtare, ai është bërë i linçuari global. Sanksionet amerikane dhe evropiane e kanë dëmtuar edhe më keq ekonominë në rënie ruse – duke shtuar pikëpyetjet se pse Putini do të paguante një çmim kaq të shtrenjtë për t’i marrë edhe disa pjesë të vogla territori.

Ata që kanë provuar t’i përgjigjen kësaj pyetje e kanë huqur poentën. Në Krime, Ukrainë lindore, Oseti të Jugut, apo të tjerat, Putini i konsideron si oborre të Rusisë, fitimi i territoreve nuk ka qenë kurrë një qëllim në vete. Qëllimi i Putinit sot është i njëjti me kohën kur ai pushtoi vendin tim më 2008: të shtrëngojë levat e pushtetit në Rusi. Kurdo që popullariteti i brendshëm i Putinit bie, ai ose përshkallëzon një konflikt ekzistues ose e nis një fushatë tjetër agresioni.

Dhe, duket qartë se kjo funksionon. Putini e ka sunduar vendin më të madh në botë për gati dy dekada, duke e konsoliduar pushtetin pas çdo krize ndërkombëtare që ka shkaktuar. Votuesit e rëndomtë rusë mund ta kenë të zorshme të mbijetojnë me pensione nga 200$ në muaj, por baza e Putinit ndihet krenare që po jeton në një superfuqi.

Putini është edhe i parashikueshëm edhe logjik: duke pushtuar një fqinj të dobët i jep atij një shtytje në shkallën e popullaritetit, se sa, përmirësimi distopik i sistemin të kujdesit shëndetësor në Rusi. Nuk është koincidencë që shkalla e popullaritetit të tij arriti kulmin më 2015, pas aneksimit të Krimesë. Më vonë gjatë atij viti, derisa ekonomia ruse po binte, intervenimi në Siri i shërbeu për ta ngritur patriotizmin. Për më tepër, veprimet e Rusisë në Siri shenjuan kërcimin e Putinit nga aventurizmi ushtarak në ish shtetet sovjetike në fuqizimin e projeksioneve përtej ‘oborreve të Rusisë’.

Që ta dijmë këto hapa bënë që Putini të merrte kritika të ashpra nga Washingtoni dhe Brukseli. Por, denoncimet nga jashtë Rusisë vetëm sa e rrisin popullaritetin e brendshëm të tij. Me çdo zgjedhje të jashtme që Kremlini përzihet, çdo shkelje e të drejtave të njeriut në Krimenë e okupuar, dhe çdo herë që ushtarët rusë e shtyejnë më kah Gjeorgjia telin e tyre gjemborë, përgjigjet standarde të ShBA-ve dhe Evropës – shprehjet diplomatike të ‘shqetësimit të thellë’ – tingëllojnë më shumë si klishe të lodhëta.

Nga invazioni i Gjeorgjisë e deri te ofensiva hibride në Ukrainë, liderët perëndimorë kanë shenjuar vijë të kuqe pas vije të kuqe që Putini e shkelte pa u dënuar. Dobësia e normave ndërkombëtare, të rendit liberal që shumë në Washington e Bruksel e zbatojnë për që pak e mbrojnë, e bëjnë Moskën të duket më e fortë. Në sytë e mbështetësve të tij, Putini po bën bllofe ndaj Perëndimit.

Por, status quo-ja s’mund të mbajë më. Nëse kemi mësuar diçka nga dy dekadat e fundit, një krizë e re duket në horizont. Sipas një sondazhi të 7 marsit nga Qendra Hulumtuese për Matjen e Opinionit Publik në Rusi, besimi i votuesve rusë në Putinin ka rënë për 32 për qind – niveli më i ulët që nga 2006-a.

Putini ka përshkallëzuar provokimet në muajt e fundit derisa popullariteti i tij ka shënuar rënie. Në nëntor, forcat ruse qëlluan dhe ndaluan tri anije detare ukrainase që po provonin të kalonin nga Ngushtica e Kerchit për në Detin Azov. Më shumë se 100 ditë kanë kaluar, dhe dënimi nga komuniteti ndërkombëtar është harruar. Por 25 detarët ukrainas që u arrestuan gjatë incidentit mbeten në mbajtje të paligjshme nga shteti rus.

Shkeljet e ligjit dhe normave të Putinit në ‘oborret’ e Rusisë nuk duket se shokojnë botën më. Ai tashmë ka rivizatuar kufijtë e Evropës me forcë dhe ia ka hedhur paq me atë gjë. Tash, që të provokojë zemërimin e Perëndimit, duhet të bëj diçka edhe më skandaloze.

Pyetja nuk është se a do të sulmojë, por kënd. Disa bëjnë me gisht kah Bellorusia, por Putini do të fitonte pak duke treguar forcën në një vend që shumica e rusëve tashmë e konsiderojnë pjesë integrale të Rusisë. Disa parashikojnë se mund të jetë një prej shteteve Baltike, Estonia, Letonia apo Lituania. Putini sigurisht që sheh vendet e vogla të Baltikut si kërcënime; tekefundit, ato janë demokraci funksionale në kufirin me Rusinë. Por, tash për tash, Baltiku është i sigurt për dy arsye.

E para, fronti i ri i agresionit rus ka pak gjasa të jetë një aleat i NATO-s. Përgjigjjet inkonsistente të Perëndimit ndaj marrjes së territoreve nga Moska vetëm sa e kanë forcuar Putinit, por ai nuk është edhe aq i guximshëm sa të rrezikojë të përballet me Nenin 5 të NATO-s – që mund të çonte në një luftë konvencionale kundër aleancës që udhëhiqet nga ShBA-të. Putini e kupton se ku nuk i mbërrin takati. Po të mos e kuptonte, nuk do të mbijetonte kaq gjatë.

E dyta, aventura e re e Putinit me shumë gjasë do të jetë jashtë ish Bashkimit Sovjetik. Perëndimi pa qejf ka pranuar ambiciet e tij neoimperialiste në rajon. Inkursionet e mëtejme në Ukrainë, Gjeorgji apo në vende të tjera jo anëtare të NATO-s që ishin në BRSS do të tingëllonin si deja vu, dhe kjo nuk do ta forconte pozicionin e Putinit.

Unë kam pasur fatkeqësinë që ta njihja Putinin më mirë se shumica e njerëzve. Duke e pasur këtë njohje të mirë me të, parashikoj se përshkallëzimi do të ndodh në tjetër drejtim.

Objektivi më i mundshëm i Rusisë në të ardhmen e afërt është ose Finlanda ose Suedia; edhe pse të dyja pjesë të BE-së, asnjëra nuk është anëtare e NATO-s. Duke e sulmuar një vend që s’është anëtar në NATO, Putini nuk rrezikon një përgjigjje proporcionale siç e parashikon Neni 5 i Natos. Por duke e sulmuar një vend evropian, ai mund të pres shpërblim të madh nga opinioni publik në Rusi. Kjo është një analizë e thjeshtë që Putini ka ndërmarrë, hapur, shumë herë në të kaluarën. Çdo investim i forcave ruse ka paguar dividentat përkatëse. Finlanda dhe Suedia plotësojnë këto kërkesa.

Nuk pres që tanket ruse të shkelin në Helsinki apo Stockhol të pasulmuara. Por do të ishte tepër e thjeshtë për Moskën që të merrte një pjesë toke në ndonjë enklavë të Arktikut apo ndonjë ishull të vogël, si Gotlanda e Suedisë, duke marrë parasysh aftësitë strategjike që Rusia ka ndërtuar në pjesën e saj veriore. Tekefundit, kush do të hynte në luftë për një ishull të ngrirë në Baltik apo për një pjesë të tundrave të Finlandës? NATO nuk do ta bënte, por Putini po – sepse përfitimi është i madh për të.

Agresioni rus në territorin skandinav – vende që çdokush në Perëndim i sheh si pjesë të Perëndimit – mudn të duket ekzagjerim. Sidoqoftë, nuk ishte shumë larg nga aneksimi i Krimesë, të cilin e parashikova, mbërtheu gjithkënd si një skenar për fundin e botës. Vite më parë, edhe invazioni i Rusisë në Gjeorgji, pavarësisht paralajmërimeve që bëja unë, po ashtu e zuri botën në befasi.

Ish shtetet sovjetike, edhe nëse janë anëtare të NATO-s si Estonia, gjerësisht perceptohen si jo bash Perëndimore. Ky perceptim mund të jetë i pasaktë, por në politikë, perceptimi shpesh vlen më shumë se realiteti. Për Finlandën dhe Suedinë, megjithatë, perceptimi dhe realiteti janë të lidhur. Ato nuk janë republika ish-sovjetike; ato janë pa dyshim pjesë të Perëndimit.

Nga Gjeorgjia te Ukraina, Siria dhe matanë, trajektorja e Putinit ka qenë e qartë. Duke sfiduar normat e imponuara nga Perëndimi, ai ka marrë progresivisht hapa më të mëdhenj drejt emancipimit të vetes. Por ai do të arrijë emancipim të plotë vetëm duke u konfrontuar direkt me Perëndimin.

Kjo mund të tingëllojë shokuese, por Putini e ka shokuar botën në shumë raste. Perëndimi s’mund ta lejojë veten që të zihet në befasi sërish.

*Saakashvilli është ish president i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri më 2013. /Periskopi

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media