( S`) Duhet të ndryshon Tetova pas zgjedhjeve lokale !

Mehdi-Memeti-788x350.jpg

Shkruan: Mehdi Memeti

Gjatë gjithë qeverisjes së saj pas ” demokracisë së brishtë”,Tetova,respektivisht tetovarët, assesi të kthjellen dhe tu delë gjumi.Qytet me dy Universitete me nam siç ishte dikur, siç edhe i kishte hije, tashmë po shndërrohet në një qytet të padëshiruar që të jetosh në të. Jo rastësisht, të rinjët po sa e mbarojnë shkollimin mesëm, nga mundësia e parë që ju jepet, menjëherë braktisin vendin drejt Evropës e gjetiu…

Qeveritë komunale të gjertanishme po gjejnë arsyetime nga më të ndryshmet,pa analizuar mirë, pse ky qytet ka arrdhur deri në këtë gjendje – një pjesë e pushteteve arsyetohen se ato janë opozitë e pushtetit qëndror dhe qeveritë nuk i mbështetin, ndërsa pjesa tjetër, që janë nga e njëjta parti me ato të pushtetit qëndror, lavdrohen me projekte shkel e shko, dhe prioritet kan pasur vetëm militantët e tyre partiakë.

Qytetarët me shpresa të mëdha për jetë më të mirë e të lumtur, vazhdimisht përballë zhgënjimeve, pavarësisht premtimeve dhe ofertave politike nga më të ndryshmet, që fatkeqësisht shumë pak kan bërë!?…

Këto qeverisje janë identifikuar me nepotizëm, afera korruptive, ndërtime pa leje, mosrealizim të projekteve kapitale, largim të donatorëve të huaj dhe të vendit, uzurpimin e rrugëve dhe trotoareve,hapsirave të ndryshme pronësore, që rezulton me shkatërrimin e qytetit dhe rrethinës.

Me hapësira publike të uzurpuara, unaza rrethore, sheshe, asfalte, betone e bekatone, të gjitha me cilësi të dobët ndërtimi, që kan zënë krejt hapësirat. Nuk u kanë kushtuar rëndësi sa duhet objekteve të vjetra, vlerave të trashëgimive kulturore.Kanalizimet dhe mbeturinat ja zënë frymën qytetit, ndërsa ndërtesat e larta pa standarde ja zënë edhe frymën edhe dritën.

Turizmi e bujqësia në letër kanë qenë prioritetet e qeverisjeve të gjertanishme në planin urbanistik- zhvillimor, por fatkeqësisht të lëna pas dore, me thithjen e koncesioneve të rejshme për ushtarët partiak.

Asnjë projekt i rëndësishëm kapital për Tetovën nuk u materializua që nga “demokracia e brishtë”, përveç disa projekteve të vogla, siç janë disa shkolla,palestra sportive, çerdhe, rrugë, ose kanë ngelur për gjysmë dhe nuk duket funksionimi i tyre.Për investime më të mëdha, as që është bë fjalë. Këto qeverisje vazhdimisht I kanë paraqitur popullit projekte të mëdha, për të cilat nuk kanë pasur as mundësi e as dije që t`i bëjnë realitet.

Vërtetë, popullata ngeli e zhgënjyer, por ka edhe një të vërtetë tjetër se: edhe shumica e atyre të cilët ishin nëpër këto parti ngelën të pakënaqur dhe të zhgënjyer, me punën e partive që u takojnë.

Vlerësojmë, se për të pasur standarde pushteti, duhet të heqë dorë nga përfitimet individuale, ndarjen e tenderëve për aktivistët partiakë dhe familjarët e tyre , apo marrjen e vendimeve kokë në vete. Këto gjëra praktikisht i kanë shndërruar këto qeverisje në një sistem ku mbizotëron korrupsioni, nepotizmi, gjyqësori I koruptuar etj. Në këtë drejtim, këto qeverisje komunale mbetën tërësisht të mbyllura në vete duke krijuar programe vetëm për të mirën e tyre individuale.

Edhe pse shtrimi i rrugëve kuptohet është nevojë për qytetarët, prapseprap në të shumtën e rasteve është shfrytëzuar për mbledhjen e votave nga partitë politike. Këto qeverisje në Tetovë, kanë shtruar disa herë rrugë e copa rruge, ndërsa disa zona as që kanë mudur ta shohin në ëndër. Kështu pra, është abuzuar me votën e qytetarit me vite të tëra.

Pollogu,që përfshin edhe komunën e Tetovës, rajon i pasur me pasuri natyrore e ujë të bollshëm të Sharit. Edhe përkundër kësaj,Tetova, me shumë fshatra të kësaj komune ende vazhdojnë të mbeten pa ujë të pijshëm, në shek. XXI,…përballet me mungesë uji, vërtetë banale, i ka dal boja .

Nga ana tjetër, ujërat e zeza problem serioz në Komunën e Tetovës. Si qyteti ashtu dhe fshatrat përballen me këtë problematikë. Lumi i qytetit është i stërmbushur nga kanalizimet dhe mbeturinat që derdhen në të, gjersa fshatrat për rreth,në vazhdimësi kundërmojnë erë kanalizimesh.

Shoqëritë civile në komunë kan qenë mjaft aktive. Organizatat joqeveritare, mediat dhe qytetarët, për shumë ndodhi, drama e akte, që kan ndodhur nga 1990-ta e këtej, ata e kanë shtyrë komunën që të ketë vëmendjen ndaj kërkesave të cilat adresohen nga shoqëria.

Si përfundim, komuna e Tetovës nuk ka mundur t’i harmonizojë politikat e saj me nevojat dhe kërkesat e shoqërisë civile, të shumtën e rasteve pa veprime konkrete.

Andaj uroj që të gjitha gjërat që kanë qenë në drejtim të gabuar për këta 27 vite në Komunën e Tetovës, të mos përsëriten edhe më tutje. Tani, para nesh kemi listën e kandidatëve për kryetar komune dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal që më 15 tetor qytetari duhet të zgjedh.

Mbetemi me shpresë se kësaj radhe do të ketë më shumë vetëdije, për t’u dhënë fund të gjitha të këqijave, nëpër të cilat ka kaluar komuna e Tetovës deri më tani. Dhe kështu të krijohen mundësi për zhvillim dhe Tetovës t’i kthehet e mbara…

Komentet
Top