Shën Tereza u lind në Shkup të Shqipërisë

thumbnail_Shën-Tereza-640x359.jpg

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Në dokumentet e sotme të shenjtërimit të Nënë Terezës është shënuar vendlindja e saj: Shkup, Shqipëri. Këto dokumente të shpërndara nga Selia e Shenjtë janë zyrtare, ndërsa të njëjtën përmbajtje e ka edhe dokumenti me të cilin Nënë Tereza u shpall botërisht për shenjtore, Shën Tereza, pas shenjtërimit të saj, më 4 shtator 2016, në Vatikan.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve zyrtare të Selisë së Shenjtë ka nxitur reagime në Shkup, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë, duke pretenduar se ky akt i Selisë së Shenjtë mund të jetë një skandal që duhet të përmirësohet. Por, reagime zyrtare për këtë çështje ende nuk ka, përveç disa reagimeve individuale në rrjetet sociale dhe mediat e vendit.

Shën Tereza u lind më 26 gusht 1910, në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Në kohën kur u krijua Republika e Maqedonisë së sotme, më 1944/45, ajo kishte plot 35 vjet moshë, prandaj, nëse do të shkruhej në dokumentin zyrtar të Selisë së Shenjtë se Nënë Tereza u lind në Maqedoni, kjo do të përbënte një të pavërtetë dhe skandal.

Në kohën kur u lind shenjtorja Terezë në Shkup, ky qytet ka qenë me shumicë shqiptare dhe i ka takuar Shqipërisë, si Vilajeti i Kosovës. Selia e Shenjtë asnjëherë nuk i pranon viset e okupuara si të huaja, siç ishte atëherë Shkupi nën Perandorinë Osmane. Edhe sot, ky qytet njihet nga Selia e Shenjtë si qyteti më i madh shqiptar në gadishullin Ilirik, pavarësisht nga ndarjet administrative dhe sajesat politike të kohës, të cilat janë kalimtare, të përkohshme dhe të paqëndrueshme në rrjedhat e historisë.

Administrata e Selisë së Shenjtë nuk ka bërë asnjë gabim, por e ka përmirësuar një padrejtësi historike ndaj kombit shqiptar. Selia e Shenjtë e din se Nënë Tereza nuk është shenjtorja e parë, as e fundit, që raca shqiptare i fali njerëzimit. Prandaj, kombet që i dhanë botës kaq shenjtorë dhe figura me përmasa botërore, nuk guxon të mbetet pre e pushtimeve, falsifikimeve dhe sundimeve barbare, as sot, e as në të ardhmen.

Komentet
Loading...
Top