Loading...

Sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë, hapet më 5 qershor për këmbësorët

0-160.jpg

Punimet ndër vite për projektin e rehabilitimit të sheshit “Skënderbej” janë kthyer si justifikime për konfliktin politik në vend, gjë që ka çuar në bllokimin e tyre e si rrjedhojë në kosto për xhepat e taksapaguesve.

Sheshi u ka kushtuar qytetarëve të Tiranës, 16 milionë euro, 5 milionë nga të cilat u investuan në kohën kur kryebashkiak ishte Edi Rama.

Pas bllokimit që iu bë projektit në kohën e qeverisjes së demokratëve, Lulzim Basha iu rikthye punimeve dhe shpenzoi 1 mln euro.

Tani, projekti i kryebashkiakut Erjon Veliaj do të finalizohet me një kosto rreth 10 milionë euro.

Pak më shumë se dy javë nga përurimi i projektit të ri, çdo gjë në sheshin “Skënderbej” është thuajse e përfunduar.

“Kanë ngelur vetëm punimet e sinjalistikës vijëzimit. Kanë përfunduar të gjitha sistemet kundër zjarrit, sistemi i ajrimit, furnizimit me ujë dhe i shkarkimeve. Hapësira është e parashikuar për 300 vende makinash dhe një vend për karikimin e makinave elektrike. Gjithashtu, afër dyerve dhe hyrjeve për personat me aftësi të kufizuar, ka të parashikuar edhe një ashensor për hyrjen dhe daljen e këtyre personave. Parkimi është pjesërisht dy kate pjesërisht një kat. Gjatë kohës që kati i dytë do të jetë i zënë, kati i parë do të përdoret për panaire dhe tregje tradicionale”, shprehet Gent Agolli, mbikëqyres i projektit.

Një pjesë e rëndësishme e projekti është gjelbërimi, ku qytetarët do të mund të pushojnë. Pemët e mbjella dhe të vendosura së fundmi, janë marrë ashtu si pllakat nga e gjithë Shqipëria.

“Siper kësaj do të ketë një shtresë, që mbron pemët dhe bimët nga dëmtuesit e jashtëm. Janë madhësi të ndryshme. Janë marrë rreth 95 specie të ndryshme të gjitha me origjinë shqiptare dhe janë të studiuara që t’i mbijetojnë klimës së Tiranës”, thotë Agolli.

E gjithë hapësira e shtruar me pllaka do të ketë një reliev disi të ngritur për të patur një pamje të qartë të godinave rreth qendrës së Tiranës. Në muajt e verës, temperaturat e larta të verës do të thyen nga shatërvanët, të cilët në ditët në vazhdim do të testohen për inaugurimin e madh.

“Është 1.60 m më e lartë sesa perimetri i sheshit. Është bërë për arsyen e rrjedhjes së ujit sepse në të gjithë sheshin ka 100 shatërvanë ku buron ujë me rrjedhje. Në mënyrë që uji të shkojë në sistemin e kanalizimit që është rreth e qark sheshit. Është dhënë një pjerrësi 3 përqind në çdo faqe. Dhe sigurisht është edhe një arsye tjetër që duke qenë në qendër të sheshit i sheh të gjitha godinat rreth e qark në një shkallë tjetër. Janë 140 shatërvane dhe janë dy lloje. Janë 100 që janë me rrjedhje dhe 450 të tjerë me hedhje”, tregon mbikëqyrësi i projektit.

E gjithë sipërfaqja prej 23 mijë metrash katrore, krahas funksionit si pedonale, do të përdoret edhe për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike e sociale.

Komentet
Top