Shilegov: Publikimi i bisedave, VMRO i dërgon porosi Ahmetit – VIDEO

0-200.jpg

LSDM-ja opozitare është distancuar nga publikimi i bisedave telefonike të cilat tani e disa ditë janë shpërndarë nëpër rrjetet sociale, duke thënë se të gjitha materialet që i kanë poseduar kjo parti i kanë dorëzuar te prokuroria speciale. Zëdhënësi i partisë opozitare, Petre Shilegov, tha se publikimi i bisedave është një lojë e VMRO-DPMNE-së dhe drejtuesve të kësaj partie për të shantazhuar dhe për ti përcjellë porosi të qarta partnerit të koalicionit BDI dhe kreut të saj, Ali Ahmeti.

“Tekstet e porositura nga mediat kurire dhe publikimi I bisedave të përgjuara nëpër mediat kosovare është qartë lojë e VMRO-DPMNE-së, e porositësve të përgjimit në Maqedoni, të akuzuarit Gruevski dhe të dyshuarve Mijallkov dhe Jankullovska…Paralajmërojmë se porositësit e përgjimit, Gruevski Mijallkov dhe bashkëpunëtorët, do të mundohen ti shfrytëzojnë materialet që I posedojnë për shantazhim për qëllime të ndryshme dhe kjo tani dëshmohet me porositë që qartazi ia dërgojnë partnerit në koalicion, Ali Ahmetit”, ka thënë zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi në rrjetin social Facebook u hap një faqe me emrin Pronto Mk, që asocon me aferën e përgjimeve Pronto në Kosovë, ku tanimë janë publikuar disa biseda të përgjuara për të cilat thuhet se janë mes zyrtarëve qeveritarë dhe atyre të partive në pushtet. Në këtë faqe janë publikuar disa foto me të cilat pretendohet se autori anonim i faqes posedon shumë audio material, disa prej tyre veçmë janë publikuar, ndërsa disa të tjera thuhet se do të publikohen ditëve në vazhdim.

Shilegov përveç kësaj, akuzoi VMRO-DPMNE-në se po bën edhe përpjekje për të ikur nga zgjedhjet fer dhe demokratike. Ai shtoi se LSDM është e angazhuar që më 11 dhjetor të mbahen zgjedhjet fer dhe demokratike./Shenja


Shilegov: Publikimi i bisedave, VMRO i dërgon… by tvshenjaofficial

Komentet
Top