Loading...

Shkëndija e Tetovës kërkon Arbnor Fejzullahin

f.jpg

Arbnor Fejzullahi është një nga emrat më të lakuar në këtë merkato vere në kampionatin tonë. Ish-mbrojtësi i Partizanit nuk preferoi të vijonte aventurën me të kuqtë dhe nga data 1 korrik është lojtar i lirë. Klubet tjera janë vënë në lëvizje dhe po mundohen të përfitojnë shërbimet e 25-vjeçarit.

Newsport.al ka mësuar ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë klubit të Shkëndijës së Tetovës se Fejzullahi ishte dëshirë e drejtuesve për ta marrë në skuadër. Madje newsport.al ka siguruar edhe faksimilen ku shihet oferta e bërë në drejtim të 25-vjeçarit. Megjithatë përgjigja e tij ka qenë negative. I kontaktuar nga neësport.al, Fejzullahi ka konfirmuar për interesimin e Shkëndijës, ndërsa ka treguar se do të vijojë aventurën futbollistike vetëm në Zvicër.

“Po, është e vërtetë që Shkëndija e Tetovës më ka kontaktuar. Madje më bënë edhe ofertë zyrtare, por me gjithë respektin që kam për atë skuadër i ktheva përgjigje negative. Dua të provoj veten në kampionatin zvicerian dhe shumë shpejt do të mësoni për ekipin tim”, ka përfunduar mbrojtësi i djathtë nga Lugina e Preshevës.

Cilësitë e tij në fushën e blertë janë të padiskutueshme. Megjithëse drejtuesit e Partizanit këmbëngulën për ta pasur në skuadër, ai zgjodhi të largohej nga kampionati shqiptar. Tashmë është lojtar i lirë dhe si i tillë, 25-vjeçari ka zgjuar interesin e një klubi me emër si Shkëndija e Tetovës. Megjithatë dëshira e tij është e qartë, të vijojë karrierën në Zvicër.

Komentet
Top