Shoqëritë demokratike nuk mund të ndërtohen me pushtete autoritare

Abdulla-Memeti-620x330.jpg

Abdulla Mehmeti:

Dobësia më e madhe në ndërtimin dhe konsolidimin e shoqërive demokratike dhe të shtetit ligjor në shtetet e ish bllokut socialist, është shfaqur me lindjen e korrupsionit, nepotizmit dhe kriminalitetit të të gjtha llojeve përbrenda pushtetit.

Pse ndodhi kjo katandisje gjatë periudhës së kalimit nga sistemi i vjetër në sistemin e ri, me premisa shpresëdhëse, nëse qytetarët e këtyre shteteve vuajtën aq shumë për liritë dhe të drejtat e tyre individuale dhe kolektive nën regjimet totalitare në ato shtete?

Meqë kjo çështje nuk mund të trajtohet në korniza të një analize të rastit, do të ndalemi shkurtimisht vetëm në njërin nga fenomenet që e karakterizuan këtë transformim të shoqërive në këto shtete, me krijimin e oligarkisë, si një nga fenomenet më kancerogjene të tyre gjatë periudhës së tranzicionit. Për ta trajtuar gjerësisht këtë fenomen, paraqesim disa pikëpamje se si duhet dhe mund të çlirohen shoqëritë e këtyre vendeve nga forca destruktive e veprimit dhe ndikimet negative të oligarkisë, me theks të veçantë në shoqërinë tonë.

Masat që duhet të ndërmerren për eliminimin e oligarkisë nga skena politike dhe shoqërore, ose së paku dobësimin e ndikimit të saj, në këtë fazë të konsolidimit të shoqërive të reja demokratike dhe institucioneve të qëndrueshme të shtetit ligjor, sigurisht që duhet të jenë shumëdimensionale dhe gjithpërfshirëse, por, për arritjen e plotë të efikasitetit, në radhë të parë duhet të bëhen ndryshime thelbësore dhe cilësore në sistemet ligjore të këtyre shteteve.

Më saktë, çfarë do të kishte ndodhur nëse ushtrimi i funksioneve dhe mandateve të funksionarëve në organet e pushtetit, të kufizohen përmes ligjeve? Për shembull, me kohëzgjatje vetëm për një mandat, me të drejtë vetëm për vazhdimin edhe të një mandati plotësues (vetëm në rastet kur kandidati ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në ushtrimin e detyrës ose funksionit përkatës), duke filluar nga deputetët, ministrat, zëvendëministrat dhe sidomos drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve të rëndësishme të shtetit dhe jo vetëm.

Si mund ta paramendojnë qytetarët e këtyre vendeve se do të ndërtojnë shoqëri demokratike, kur liderët e partive politike, në mbështetje të ligjit, akteve të tjera nënligjore dhe statutet e partive politike, mund t’i ushtrojnë këto funksione me të drejtë absolute për të mbetur pakufi në kreun e partive që drejtojnë ata?!

Është koha që këto çështje të regullohen (përmes kufizimeve ligjore të ushtrimit të mandateve në të gjitha nivelet, si në organet e pushtetit edhe në organet drejtuese të subjekteve politike). Ka qenë pikërisht ky parim kundërdemokratik, autokratik, dektatorial dhe johuman i udhëheqësve komunistë në ish sistemet tanimë të rrënuara në këto shtete, që shoqëritë e tyre i lanë në këtë gjendje të mjerueshme. Pse vazhdojmë të mendojmë dhe besojmë se mund të ndërtohen shoqëri demoktarike dhe shtet ligjor mbi parime jodemokratike dhe mendësi autoritare?

Komentet
Top