Shqipëri: Rritet me 103% buxheti për policinë, 63 milionë lekë për pajisje sekrete

0-89.jpg

Buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2018 pritet të rritet me 8,4% krahasuar me një vit më parë.

Rritjen më të madhe në këtë drejtim pritet ta kenë policia me 103%, ndërsa 63 milionë lekë do të investohen për pajisje sekrete në luftën kundër krimit të organizuar.

Lajmi u bë me dije nga ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, i cili, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e Sigurisë, u shpreh se investimet kryesore në vitin 2018 do të përqëndrohen në fusha si policia, garda apo investimet në pajisje sekrete për luftën kundër krimit të organizuar.

“Buxheti ka një rritje me 8,4% krahasuar me vitin 2017. Investimet janë në tre fusha: Për policinë 103%, garda dyfishim. Investimet do të jenë 47% në luftën kundër krimit të organizuar, 22% rritjes së standardit të shërbimit ndaj qytetareve dhe 31% për formimin e kapaciteteve të personelit. Agjencitë partnere na kanë dhënë buxhet shtesë, veçanërisht SHBA-ja dhe BE-ja. Do të ketë investime në pajisje sekrete, që nuk i përmend dot; pajisje për policinë kriminale e shkencore. Do të shtojmë serverat. Do të blejmë motorë lundrues për drejtoritë kufitare bregdetare”, deklaroi Xhafaj, që sqaroi për deputetët e pranishëm në komision se “63 milionë lekë do të përdoren për blerje dhe 80% e këtij fondi për pajisje përgjimi”.

Komentet
Top