Shqipëria me shtim të popullsisë për herë të parë që nga 2001, mosha mesatare 35 vjeç

0-176.jpg

Popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2017, rezultoi 2.88 milionë duke pësuar rritje për herë të parë që nga viti 2001. Krahasuar me një vit më parë popullsia u rrit me 1 mijë banorë.

Në 1 janar 2017, bën të ditur Instituti i Statistikave (INSTAT), popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë, krahasuar me 2.875.592 që ishte në 1 janar 2016.

Përllogaritjet e popullsisë në 1 janar 2017 treguan se vetëm tre qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj. Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+23.0 për 1000 banorë), duke u pasuar nga Durrësi (+16.5 për 1000 banorë) dhe Vlora (+4.15 për 1000 banorë).

Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-30.6 për 1000 banorë), Dibër (-26.9 për 1000 banorë), Berat (-25.8 për 1000 banorë) dhe Kukës (-21.3 për 1000 banorë). Në total, popullsia banuese e Shqipërisë u rrit me rreth +0.3 për 1000 banorë, në 1 Janar 2017

Gjatë vitit 2016, kanë lindur rreth 32 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 21 mijë persona. Shtesa natyrore e popullsisë ishte pozitive me rreth 11 mijë persona. Për herë të parë pas vitit 2001, shtesa natyrore tejkaloi migracionin neto, duke rezultuar në një rritje të lehtë të numrit të popullsisë banuese në 1 janar 2017. Nga ana tjetër, migracioni neto ka pësuar një rritje në krahasim me vitin e mëparshëm edhe pse vazhdon të mbetet negativ.

Raporti gjinor në lindje po i afrohet nivelit natyror (105 meshkuj për 100 femra), duke shënuar vlerën 106.9 në vitin 2016, nga 109.5 që ishte në vitin 2015. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar një rënie të lehtë, në krahasim me vitin 2015 nga 102.7 në 102.5 meshkuj për 100 femra. Mosha medianë e popullsisë u rrit nga 34 vjeç në 2015, në 35 vjeç në 2016.

Komentet
Loading...
Top