Si po dështon perëndimi në Kosovë

IMG_20151025_202242.jpg

Po çpo ndodh pra në Ballkan? Në këtë Ballkanin e mrekullueshëm që dukej sikur qe përkushtuar aq mençurisht në rrugën e shndritshme të integrimit evropian? Ca «ekstremistë» po sabotojnë demokracinë parlamentare dhe po kërcënojnë institucionet e Kosovës, një komplot «ruso-serbo-antiperëndimor» po dëshiron ta shkatërrojë shtetin e Malit të Zi

Nga Jean-Arnault Dérens/ Courrier des Balkans

Si vallë u bë e mundshme ardhja në një situatë të tillë – çuditen të shqetësuara e të zhgënjyera qeveritë perëndimore – përderisa kemi bërë aq përpjekje ? Ku do të na shpjerë kjo ?… Çdo gjë po shkonte mbarë, në rrethanat më të mira të mundshme. Qeveritarët e korruptuar deri në palcë, por përsosmërisht besnikë ndaj këshillave të mbrojtësve të tyre të Brukselit, Parisit, Berlinit ose Brukselit, fitonin me shumicë votash nga zgjedhjet në zgjedhje.
Drejtësia i nënshtrohej diktateve të të fuqishmëve, mediat ishin nën kontroll; por Komisioni Evropian fliste vazhdimisht për progres thelbësor nëpër raportet e tij të progresit vjetor.
Ndërmarrjet po mbylleshin njëra pas tjetrës, papunësia nuk zvogëlohej kurrë dhe qytetarët arratiseshin nga shtetet e tyre të mjera. Por a nuk ishte kjo thjesht një e keqe e nevojshme, për tia bërë të mundshme rajonit që një ditë ti qaset prosperitetit liberal, aq të premtuar e aq te pritur ?
Çdo gjë ishte e parashikuar, madje edhe një jetë parlamentare e « përgjegjshme ». Shumicat njësoj si opozitat, ndanin të njëjtat qëllime, të njëtat bindje : privatizimet, « normalizimin » e marrëdhënieve rajonale, integrimin
Nuk kishim më nga ato polemikat e mëdha të së shkuarës, mbi përzgjedhjen e llojit të shoqërisë apo mbi format e shtetit, por vetëm e vetëm debate teknike se cila është mënyra më të mirë për ti jetësuar rekomandimet e Brukselit, këshillat e dhëna prej « miqve » të këtyre shteteve të vogla ballkanike, që më në fund u urtësuan e u paqtuan.
Në këto kushte, koalicionet dhe aleancat formoheshin dhe reformoheshin vazhdimisht, në përputhje me interesat e veçanta të momentit, në një balet të bukur hijesh që të jepte iluzionin e demokracisë.
Sidoqoftë, nuk ka më asnjë rrezik : vendimet merren tjetërkund, e banditët mjekroshë të së kaluarës i kanë këmbyer fishekët, kasketat dhe beretat e tyre me kostume të prera bukur, i kanë harruar logoretë patriotike të rinisë së tyre dhe kanë mësuar anglishten aq sa nevojitet për ti zhvilluar bizneset e tyre që janë të regjistruara në Ishujt e Virgjëra Britanike, apo në parajsa të tjera tokësore.
Kujdestarët e tyre evropianë nuk reshtin së mahnituri prej progresit të vzsazhdueshëm që ata kanë bërë në përdorimin e gjuhës së drunjtë (protokollare), gjuhës së re (newspeak) të « përgjegjësisë politike », të « reformave të domosdoshme »
E papritmas tani, tërë këto vite investimesh politike kaq konstruktive në Ballkan, po vihen në dyshim. Por nga kush ? Nga ca qytetarë bukëshkalë, nga ca opozita të « papërgjegjshme » !
Sigurisht se nuk është demokratike të hedhësh gaz lotsjellës në sallën e parlamentit për ti penguar punimet e tij, siç bën opozita kosovare me qëndrueshmëri dhe këmbëngulje. Sdiskutohet se dikush mund edhe ti kontestojë qëllimet e ndjekura nga Lëvizja Vetëvendosje ! se krijimi i një Asociacioni të komunave serbe a do të ishte me të vërtetë një hapje e derës për ndarjen e Kosovës ?
Por thelbësorja nuk është kjo.
Esenca është se Kosova sështë gjë tjetër pos një demokraci fasade, ku partitë e ndryshme politike kënaqen me luajtjen e rolit që u caktohet në një koreografi të shkruar prej tjetërkujt; nga ambasada amerikane, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në një balet që inspektohet edhe nga ambasadorët e shteteve të vogla shoqëruese, si Franca. Vetëvendosje refuzon të vallëzojë sipas këtij ritmi, ndaj edhe akuzohet se synon të shkatërrojë demokracinë, institucionet, madje edhe shtetin e Kosovës…
Silogjizmat nënkuptohen lehtë:
– Demokracia jam unë, thotë vrasësi serial i vendosur në krye të parlamentit me bekimin e përëndimit, Kadri Veseli, ish-shefi ( ?) i vrasësve të SHIK-ut; – Shteti jemi ne, përgjigjen me jehonë ambasadorët perëndimorë, të gatshëm për të rikujtuar se shteti i Kosovës sekziston përveçse si rezultat i vullnetit të tyre të mirë.
Kushdo që i kundërvihet Kadri Veselit, PDK-së ose shokut të tij Thaçi dhe « rekomandimeve » të « miqve » perëndimorë të Kosovës, i kundërvihet pra demokracisë, institucioneve dhe vetë shtetit.
Në operacionin aq madhështor dhe shumë të kushtueshëm të State building që po vijon çprej 1999, u « harrua » vetëm një « hollësi »: populli, i cili do të dëshironte – bukëshkali – ta pohonte sovranitetin e vet, duke u çliruar prej tutelës së mësuesve të tij.
Kërkesat e Vetëvendosjes mund të jenë ndoshta të gabuara, por Vetëvendosja ka plotësisht të drejtë në një pikë : kjo demokraci dhe këto institucione sjanë veçse një iluzion. Pjesëmarrja në të e nënkupton miratimin e tyre. Aventura demokratike e Kosovës, e cila sigurisht do të bëjë edhe gabimet e veta, me përparimet dhe kthesat e saj; kalon përmes një thyerje të domodoshme.
Situata nuk është shumë e ndryshme në Malin e Zi, ku regjimi mafioz i Milo Gjukanoviqit përballet me sfidën e tij më të madhe të këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit. Edhe këtu, me bekimin e « miqve » të tij perëndimorë, ky « politikan i përgjegjshëm » pohon të jetë i kërcënuar nga një komplot që përmbledh të këqijat më të mëdha të botës, një konglomerat i « papërgjegjshëm » i çetnikëve, nacionalistëve, fashistëve ; i cili synon të minojë institucionet dhe të shkatërrojë shtetin e Malit të Zi.
Intelektualët, militantët, gazetarët të cilët kërkojnë që nga rrëza e viteve 1990 krijimin e Malit të Zi të lirë, demokratik dhe qytetar ; sot qenkan shndërruar në « fashista » ? Ata që luftuan kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe faktotumit të tij lokal, Milo Gjukanoviqit, qenkan shndërruar tanimë në « çetnik » ?
Po, natyrisht, për shkak të këtyre silogjizmave tjera :
– Shteti malazez, jam unë, thotë Milo Gjukanoviq. E kam krijuar, financuar, e kontrolloj dhe jetoj prej tij…Kushdo që më kundërvihet i kundërvihet shtetit; – Shteti malazez ekziston nga vullneti ynë i mirë, thonë miqtë ndërkombëtarë të po këtij Milo Gjukanoviqi. E kemi njohur ne, ne ia premtojmë karrotën e integrimit euro-atlantik, ne ia falim veprimet mafioze, lidhjet e tij strukturore me krimin e organizuar, në emër të interesave « më të larta » të stabilitetit rajonal. Pra, kushdo që i kundërvihet, na kundërvihet neve, kundërshton vlerat themelore të Bashkimit Evropian dhe të demokracisë perëndimore.
Afërsisht dhjetë vjet pas restaurimit të pavarësisë së tij, më 2006, Mali i Zi kishte arritur në masë të madhe ti tejkalojë antagonizmat dhe përçarjet që e kanë minuar gjatë tërë shekullit XX. Ekzistenca e një shteti të Malit të Zi nuk vihet më në dyshim; përveç se nga disa grupe shumë margjinale. Por, për ta shpëtuar pushtetin e tij, Milo Gjukanoviqi është gati për çdo gjë. Është i gatshëm ti riaktivizojë përçarjet e vjetra, ta kthejë Malin e Zi në gjendje e gati-luftës civile që ka njohur gjatë një dhjetëvjeçarit, nga 1995 deri në 2006.
Milo Gjukanoviqi është mjaft i bindur se mund të llogarisë ende në aleatët e tij, mentorët evropianë (ky njeri është shumë i pasur dhe dihet se asnjë deputet evropian, asnjë zyrtar i Brukselit nuk ka parë kurrë ndonjë zarf parash). Në fakt, ka arritur ti frikësojë shumë, tua fusë frikën më të madhe të jetës së tyre në palcë : « Pro-serbët » dhe ata « anti-NATO » e mbajnë aktualisht flamurin opozitar në Podgoricë. Madje qenka parë mes opozitarëve edhe mjekroshi i preferuar i regjimit, Fortlumturia serbomadhe, Amfilohije! Edhe më keq, edhe hija e dorës së Putinit vizatohet në prapaskenë…
Në dreq të mallkuar! Ky është thjesht rrëfimi i qytetarëve që nuk e duan më një regjim grabitqar në pushtet që pothuajse një çerek shekulli e që kërkojnë më në fund zgjedhje të lira dhe të paanshme, i cili po transformohet në një teatër madhor të përballjes planetare midis së mirës dhe së keqes. Lufta në Siri nuk duket asgjë krahas përplasjeve të rrugës në Podgoricë. Policia e Gjukanoviqit del se po e mbron mbarë botën e lirë përmes shkopinjve të gomës dhe topave të ujit ! Mbase, Hashim Thaçi, si demokrat i madh dhe si një gjeopolitikan i mprehtë nuk po gabohet : dhe me nguti, ai shprehu mbështetjen për mikun e tij Gjukanoviq (atëbotë, kur Evropa e mbretërve dhe princave fliste e gjitha frëngjisht, do të kishim thënë edhe « kusheririn e tij », por ndoshta do tu kthehemi ndonjë ditë të afërme këtyre emërtime sharmante familjare).
Ky është storytelling që Gjukanoviqi dhe skribi i tij i zellshëm Beba Popoviq përpiqen tia shesin tregut mjaft mirë, – paçka se është mashtrim. Se jo, nuk janë të gjithë protestuesit në Podgoricë « pro-serbë », larg asaj. Por duke luajtur me këto përçarjet e vjetra të Malit të zi, Gjukanoviqi do të dijë ti bëjë pro-serbë, dhe do të mund të imponohet edhe një herë si garantuesi i fundit i demokracisë, mburoja e vetme e një Mali të Zi pro-evropian.
Janë pra thelbësisht dy goditje të së njëjtës lojë që luhen njëkohësisht në Kosovë dhe në Mal të Zi, e kjo lojë e vjetër, çdo herë e rikthyer, e asnjëherë e mbaruar, quhet shumë thjeshtë : demokraci. Çfarëdoqofshin ndarjet ideologjike të opozitës malazeze, çfarëdoqofshin përzgjedhjet, të drejta apo të gabuara, që mund ti bëjë Vetëvendosja, pyetja e parashtruar në Prishtinë dhe në Podgoricë është shumë e thjeshtë: qytetarët e Ballkanit a janë sovranë a jo, apo duhet të kënaqen duke e luajtur lojën e demokracisë, rregullat e të cilës shkruhen nga të tjerët?

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top