Skeptikë për politikën, qytetarët e Maqedonisë zgjedhin ekonominë para demokracisë

063.jpg

Vetëm një e treta e qytetarëve të Maqedonisë besojnë se, marrëveshja e 2 qershorit do të zbatohet në praktikë. Qytetarët maqedonas shprehen pesimistë edhe për punën e Prokurorisë Speciale.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), vetëm 33% e qytetarëve maqedonas vlerësojnë se prokurorja speciale, Katica Janeva do të mund t’i hetojë në mënyrë të pavarur dhe pa pengesa, aferat e zyrtarëve qeveritarë që dolën nga skandali i përgjimeve.

“Rekomandimi ynë për udhëheqësit politikë, partitë dhe të gjitha institucionet, është që t’i përkushtohen plotësisht zbatimit të marrëveshjes së 2 qershorit, me qëllim që qytetarët e Maqedonisë të kenë besim në sistemin demokratik dhe në aftësinë e institucioneve për t’i kryer detyrimet e tyre”, tha Ilina Mangova, përfaqësuese e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Shumica e qytetarëve, apo 56% e tyre besojnë se bisedat telefonike, që dolën nga skandali i përgjimeve, janë të vërteta. Hulumtimi tregon se, për banorët e Maqedonisë, zhvillimi i ekonomisë është më i rëndësishëm se demokracia e vendit.

“Në kushtet kur shumica e të anketuarve do të ishin të detyruar të zgjidhnin mes njërës prej këtyre të dyjave, ekonomia e zhvilluar për ta do të ishte më e rëndësishme. Respektivisht 52% e kanë thënë këtë, përkundër sistemit demokratik të qeverisjes, për të cilin janë shprehur 41% në favor”, tha më tej Ilina Mangova

Sipas hulumtimit, në zgjedhjet e ardhshme do të dalin 74% e qytetarëve. Pro rizgjedhjes së kryeministrit janë shprehur 35% e të anketuarve, kurse shumica e tyre, apo 52% janë kundër.

Komentet

Leave a Reply

Top