Sot dhe nesër paraqitja për regjistrim në shkollat e mesme

0244.jpg

Në gjuhën maqedonase janë planifikuar të formohen 852 paralele me 28986 vende (81.7 për qind e numrit të përgjithshëm), në gjuhën shqipe 196 paralele me 6664 vende (18.8 për qind), në gjuhën turke 23 paralele me 782 vende (2.2 për qind) dhe në gjuhën serbe një paralele me 34 vende. E krahasuar me përqindjet e arsimit fillor kemi një ngushtim të dukshëm të hapësirës për shkollim në gjuhën shqipe. Zgjerim ka pësuar vetëm rrjeti i shkollave të mesme, me dy subjekte të reja, një në Tetovë dhe një në Zhitoshë.

Të hënën (sot) dhe të martën në 106 shkolla të mesme të vendit do të nis pranimi i dokumenteve të kandidatëve për regjistrim në vitin shkollor 2015/2016, në bazë të Konkursit që paraprakisht ka publikuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Për këtë vit janë planifikuar të formohen 1042 paralele me 35428 vende për mësim në gjuhën maqedonase, shqipe, ture dhe serbe.

Ajo që bie në sy edhe për këtë vit shkollimi është ngushtimi i hapësirës për shkollim në gjuhën shqipe. Kështu nëse në nivel të shkollave fillore, numri i nxënësve shqiptarë që mbarojnë klasën e nëntë llogaritet të jetë në kuotat e mbi 30 përqindëshit, në kuadër të Konkursit për regjistrim në vitin e ardhshëm shkollor këto kuota zbresin në nivelin e 19 përqindëshit. Për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase janë planifikuar të formohen 852 paralel me 28986 vende (81.7 për qind e numrit të përgjithshëm), në gjuhën shqipe 196 paralele me 6664 vende (18.8 për qind), në gjuhën turke 23 paralele me 782 vende (2.2 për qind) dhe në gjuhën serbe një paralele me 34 vende. Sa i përket shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe numri më i madh i paralele janë lejuar të formohen në Shkup, edhe atë 89 paralele të shpërndara në 18 shkolla me 3026 vende gjithsej. Pastaj sipas numrit më të madh të vendeve me mësim në gjuhën shqipe, vijnë në radhë Tetova me 66 paralele, Kumanova me 34 paralele, Gostovari me 29, Struga me 18. Dibra me 6, Vrapçishti 5, Likova dhe Dollneni me nga 4, Manastiri dhe Velesi me nga 3 si dhe Ohri dhe Resnja me nga 2 paralele.

Gjatë afatit të qershorit, paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të realizohet në dy afate, i pari më 22 dhe 23 qershor, ndërsa i dyti më 29 dhe 30 qershor. Rezultatet nga regjistrimi i paraqitjes së parë që do të zhvillohet tani, të hënë dhe të martën, si dhe vendet e lira do të publikohen në datën 24 qershor. Në shkollat ku do të paraqiten më tepër kandidatë se numri i caktuar me Konkurs do të organizohen testime kualifikuese më 25 qershor me atë që rezultatet do të duhet të publikohen një ditë ëm vonë, pra më 26 qershor 2015. Rezultatet nga regjistrimi në paraqitjen e qershorit do të dihen më 1 korrik. Për afatin e dytë të regjistrimit, atë të muajit gusht koha e paraqitjes së dokumenteve është caktuar të jetë data 24 gusht, ndërsa shkollat në të cilat kanë mbetur edhe më tej vende të do të jenë të obliguara të pranojnë dokumentet që u paraqiten deri më 31 gusht. Rrjetit të shkollave të mesme në gjuhën shqipe, prej shtatorit të këtij viti do ti shtohen dy të gjimnaze të reja, njëri në Tetovë dhe tjetri në Zhitoshë të Komunës së Dollnenit. Edhe pse ka vite që të njëjtat funksiononin si të ishin shkolla më vete, me objekte të veçanta nga shkollat amë dhe me numër të madh nxënësish, prej vitit shkollor 2015/2016 ato do të figurojë si subjekte të veçanta juridike. Më këtë, prej vitit 2015/2016 numri i shkollave të mesme publike në Maqedoni do të shkojë në 105 gjithsej. Gjimnazi i dytë i Tetovës, i pagëzuar me emrin “7 Marsi” do të regjistrojë 408 nxënës të rinj, të shpërndarë në 12 paralele, kurse në gjimnazin “Rilindja” në Zhitoshë janë caktuar të regjistrohen 170 nxënës të rinj, të shpërndarë në 5 paralele, edhe atë 4 në gjuhën shqipe dhe 1 një në gjuhën maqedonase. Gjimnazi i Zhitoshës, deri vitin e kaluar ishte në juridiksionin e gjimnazit “Drita” në Kërçovës, kurse gjimnazi “7 Marsi” ishte pjesë e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Në këtë të fundit, faktikisht kemi ndarjen e shkollës në dy subjekte juridike, që edhe kështu të ndara do të funksionojë me nga 1 500 dhe 2 000 nxënës.

Manastiri, Ohri dhe Resnja në pjesën jug-lindore, si dhe Velesi në pjesën qendrore të Maqedonisë përsëri do të shënojnë sprovën e madhe. Sepse, ashtu sikurse viteve të shkuara edhe tani, në këto qytete do të maten forcat mes tendencave për mos formimin e paraleleve shqipe në shkollat e atyre qyteteve – nga njëra anë dhe nga ana tjetër – i sigurimit të mekanizmave institucional të MASH-it për të realizuar Konkursin e përpiluar nga vetë ajo. Për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin 2015/2016, për nxënësit shqiptarë të Manastirit janë caktuar të formohen nga një paralel në drejtimet gjimnaz, gjeodezi dhe mjekësi. Në Ohër është lejuar të formohen nga një paralele në drejtimet elektroteknik energjetik dhe komunikacion rrugor, kurse në Resnjë një paralele gjimnaz dhe një bujqësi. Në Veles, qytet në qendër të Maqedonisë dhe ku regjistrimi i shqiptarëve është gjithashtu një proces i brishtë, janë caktuar të formohen tre paralele me mësim në gjuhën shqipe edhe atë në drejtimet gjimnaz, makineri dhe elektroteknik.

Formimi i paraleleve shqipe dhe regjistrimi i nxënësve shqiptarë në shkollat e këtyre qyteteve, është barometër që matën shkallën e demokracisë dhe tolerancën ndëretnike në shtet. Rezultatet deri tani, fatkeqësisht kanë qenë negative. Mbetet të presim rezultat e regjistrimit të nxënësve këtë vit për të konstatuar nëse gjërat kanë ndryshuar ose jo./Koha

Komentet

Leave a Reply

Top