Statistikat: Shqiptarët jetojnë më pak se maqedonasit

0327.jpg

Banorët e rajonit të Pollogut jetojnë më pak në krahasim me banorët e rajoneve tjera në Maqedoni, kurse më së gjati jetojnë banorët e rajonit të Pellagonisë, tregojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS).

Sipas këtyre të dhënave, banorët e Pollogut mesatarisht jetojnë 71 vjet e 4 muaj, kurse banorët e Pellagonisë 74 vite e dy muaj. Në vendin e dytë për jetëgjatësi radhiten banorët e rajonit të Vardarit dhe rajonit Jugperëndimor, ku jetëgjatësia mesatare është 72.3 vjet. Në rajonin Lindor jetëgjatësia mesatare e qytetarëve është 72.2 vite, në rajonin Juglindor jetëgjatësia mesatare është 72.1, kurse në rajonin e Shkupit jetëgjatësia mesatare është 71.9. në vendin e parafundit gjendet rajoni Veriperëndimor i Maqedonisë, ku jetëgjatësia mesatare e qytetarëve është 71.6 për qind.

Rajoni i Pollogut është rajoni ku është e koncentruar pjesa më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë, prandaj shumë demografë me të drejtë konstatojnë se jetëgjatësia e shqiptarëve është më e ulët se ajo e maqedonasve. Mjeku Arben taravari thotë se kjo vjen si pasojë e “kushteve kriminele” në të cilat jetëojnë shqiptarët e Maqedonisë.

“Zona e Pollogut mban njerëzit më jetëshkurtër të Maqedonisë. Ashtu si është vërtetuar ky zotërim i epërm i mortjes mbi jetën, vjen nga kushtet kriminale në të cilët jetojnë banorët e kësaj zone. Unë kam shkruar edhe më parë për ajrin e helmuar të Tetovës, kam vënë alarmin për riskun e lartë letal që këto qytetarë kanë, dhe fatkeqësisht koha po më jep të drejtë! Në Gostivar njësoj si në vendet afrikane pinë ujë të pafiltruar. Të dyja shkaqet që rrisin ndjeshëm faktorin e vdekshmërisë në rajonin e Pollogut, janë të dyja vepra kriminale të Qeverisë! Të dyja mund të ndalohen sepse tashmë është vonë të parandalohen! Më vjen keq për të gjithë banorët e kësaj zone, pjesë e të cilës jam dhe unë!”, thotë për “Lajm” mjeku Taravari.

Sipas tij, në këtë situatë shqiptarët mbeten t’i luten vetëm zotit. “Zoti na ruajt, se shteti na ka lënë!”, thekson Taravari.

Mjeku i njohur tetovar Ilir Luma, vlerëson se shkak për jetëgjatësinë e shkurtër përveç ajrit të ndotur është edhe niveli ende i lartë i vdekshmërisë te foshnjat shqiptare.

“Vdekshmëria e foshnjave është në nivel shumë të lartë në rajonin e Pollogut dhe kjo ndikon në jetëgjatësinë e ulët mesatare. Shkak për këtë është mungesa e kushteve shëndetësore, sepse disa fshatra ende nuk ka ambulanca. Kualiteti i mjekëve kohën e fundit është në rënie në krahasim me më herët”, sqaron mjeku Luma.

“Gjithsesi se luan rol edhe niveli i lartë i ndotjes së lartë, sepse Tetova është në mesin e qyteteve me ndotje më të madhe në Evropë”, shton mjeku Ilir Luma./Ina

Komentet

Leave a Reply

Top