Loading...

“Studentë të revoltuar” dëgjoni një këshillë

d.jpg

Studentë të dashur para se të filloni me protestat dua që t’jua rikujtoj një fjalë që gjendet në fjalorin e
gjuhës shqipe, fjalën SHPRESË. Fjala shpresë në gjuhën shqipe do të thotë 1. Besimi që kemi se do të na
plotësohet një dëshirë, një qëllim a një synim; qëndrimi në pritje me një besim të tillë; ndjenja që kemi
kur e shohim si të mundshme përmbushjen e një dëshire a arritjen e një qëllimi.2. Njeriu a sendi tek i cili
shpresojmë; njeri a grup njerëzish me veti, aftësi e mundësi të veçanta, prej të cilit pritet shumë a
gjithçka në të ardhmen; besimi që kemi te dikush dhe dëshira e madhe që ky ta përligjë atë.
Unë, përkundrazi profesorit tim të shkollës së mesme, i cili thonte se fjala shpresë për shqiptarët është
fjala më e keqe, do të thoja se “shpresa” është fjala më e bukur e gjuhës shqipe, pasi është thellësisht
njerëzore. Shpresa, tek e mbllaçitim në gjuhë, në kokë na tingëllon si fjala “bukë”, “babë”, “gjallë”.
Shpesh, në çaste malli dhe urie, ngopemi me të.
Si fëmijë mbaj mend muhabetet e shokëve të cilët tregonin biseda të familjeve të thjeshta shqiptare, ku
me shpresë kuptohej kthimi i babait nga emigrimi, apo gjetja e një vendi pune. Por edhe në çastet e
mërzisë e të heshtjes, shprehja se “të gjallët kanë riskun e tyre” lironte lëmshin e mbledhur në fyt.
Pa shpresë, ekzistenca do të ishte torturuese ngaqë horizontet tona jetësore jo rrallë qenë te errëta dhe
pa te ardhme. Kjo fjalë e ka mbajtur ngrohtë zemrën e njeriut të zakonshëm që vuan në mizerjen e së
tashmes. “Secili ka riskun e tij”. “Hajt se edhe ne do të kemi fatin tonë!”
Pooor…
Shpresa, sado frymëzuese, nuk është më e tillë kur kuptohet si pritje, si pritje pa veprim, me sytë e
kthyer nga qielli. Jo, e nesërmja nuk hapet vetë. Gjërat, njerëzit dhe bota nuk do të bëhen më të mira
vetvetiu. Shpresa, siç shkruhet, është sh-ja që mohon pritjen.
Shpresa nuk është ndjesi tekanjoze që ndizet dhe fiket brenda njeriut, por aktivitet, lëvizje, fat njerëzor
që arrihet përmes rezistencës. Pra, që Ju dhe ne të kemi shpresë se e ardhmja do të jetë më e
këndshme, duhet të veproni, të veprojmë së bashku, edhe atë që tani!
Sipas kësaj logjike, shpresa se gjërat në shkollë dhe shoqëri do të ndryshojnë nuk gjendet tek ngulja jonë
e pakuptimtë në kafenë, në rrjete sociale dhe ironizimi i të tjerëve, por tek i riu që lëviz, te studenti
aktivist, që shpreson aq sa vepron. Prandaj, o student, më dëgjo tani, provoni të ndërtoni shpresë!
Provoni të ndërtoni kauza të ndryshme! Provoni të mendoni vetë! Provoni të imagjinoni se si do të ishte
bota që dëshiron! Provoni të shkruani një grafiti apo një poezi! Provoni të bëheni aktivist! Provoni të
dalni në protestë! Kjo është shpresa, kjo është ajo fjala që për mua akoma është fjala më e bukur e
gjuhës shqipe, të paktën deri në një kohë!

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media