Sundimtarët e rinj të Vjenës

0-174.jpg

Arbeitsbesuch OSCE Republik Moldau. Bundesminister Sebastian Kurz an einer GrenzbrŸcke. Transnistrien, Tiraspol, 04.02.2017, Foto: Dragan Tatic

Në Austri populistët e djathtë të FPÖ-së tani do të kontrollojnë tri ministri të rëndësishme: policinë, ushtrinë dhe diplomacinë. Në Ballkan krerët e FPÖ-së shpesh kanë përkrahur nacionalistët serbë. A do të mundë t’i kontrollojë këta provokatorë kancelari i ri, Sebastian Kurz?

Nga Enver Robelli

Çfarë është për Tiranën mali i Dajtit, për Vjenën është Kahlenbergu. Nga Kahlenbergu vizitorët kanë një pamje mahnitëse mbi qytetin e Vjenës. Kjo kodër ka histori. Në vitin 1683 një ushtri nën komandën e Mbretit polak, Jan Sobieski u vërsul kundër ushtrisë osmane dhe e shpëtoi Vjenën nga pushtimi.

Më 3 maj 1683 Sulltan Mehmeti ia kishte dhuruar kryevezirit flamurin jeshil të profetit mysliman dhe i kishte dhënë urdhër të niset në një betejë që në histori njihet si rrethimi i dytë i Vjenës. Nga Edrena (Adrianopoli) marshuan drejt Beogradit dhe pastaj drejt Vjenës 160 mijë ushtarë osmanë të pajisur me 200 topa. Kara Mustafë Pasha synonte të arrinte atë që nuk e kishin arritur osmanët e mëhershëm: pushtimin e Vjenës, qendrës kristiane të Perëndimit. Përpjekja e parë e vitit 1529 kishte dështuar.

Rastësi apo jo: të shtunën kancelari i ri austriak, Sebastian Kurz dhe nënkancelari, Heinz-Christian Strache, e zgjodhën pikërisht Kahlenbergun për të prezantuar programin e tyre qeverisës për katër vjetët e ardhshëm. Kurz i takon Partisë Popullore (ÖVP), Strache është shef i FPÖ-së, një trupe nacionaliste, e cila shquhet për fushata të egra kundër të huajve. Ndonëse Kurz tha se kabineti i tij do të ketë orientim të qartë proevropian, në të ardhmen Austria më shumë do të gjendet në klubin e shteteve skeptike ndaj BE-së – dhe këtu nuk përjashtohet një aleancë me shtetet e Vishegradit, shumica prej të cilave drejtohen nga politikanë populistë.

Kurz dhe Strache një pjesë të madhe të suksesit të tyre në zgjedhje e kanë arritur me retorikë të ashpër kundër të huajve, para së gjithash azilkërkuesve. Qeveria e re synon që azilkërkuesve të ardhshëm t’ua konfiskojë paratë dhe telefonat mobilë sapo të arrijnë në Austri. Ata, po ashtu, nuk do të marrin para nga shteti, por artikuj ushqimorë dhe rroba. Për të stopuar ardhjen e të huajve FPÖ-ja kërkon që një refugjat të mos marrë më shumë përkrahje se 365 euro në muaj. Po ashtu, parashihet dëbimi më efikas i azilantëve me kërkesa të refuzuara.

Populistët e FPÖ-së do të kontrollojnë tre resorë të rëndësishëm: policinë, ushtrinë dhe diplomacinë (përfshirë edhe shërbimet sekrete). Ministër i Brendshëm do të jetë Herbert Kickl, deri më tani sekretar i përgjithshëm i FPÖ-së. Kickl dikur ia ka shkruar fjalimet populistit Jörg Haider, ndërsa viteve të fundit ka prodhuar slogane e parulla raciste kundër të huajve si «Mehr Mut für unser Wiener Blut – zu viel Fremdes tut niemandem gut» («Më shumë guxim për gjakun tonë vjenez – kur ka shumë të huaj askujt s’i bën mirë»), «Daham statt Islam» («Vatra në vend të islamit»), «Abendland in Christenhand» (Oksidenti në duar të të krishterëve»).

Mario Kunasek, deri më tani zëdhënës i FPÖ-së për çështje të mbrojtjes, do të jetë ministër i Mbrojtjes. Ministre e re e Jashtme do të jetë Karin Kneisel, ish-diplomate dhe eksperte e Lindjes së Afërt, e cila nuk është anëtare e asnjë partie, por është kandiduar nga FPÖ-ja. Ministër i infrastrukturës do të jetë Norbert Hofer, i cili për pak e humbi garën për president kundër kandidatit të gjelbër, Alexander Van der Bellen.

Viteve të fundit shumë politikanë të FPÖ-së në mënyrë demonstrative kanë treguar afërsi ndaj nacionalistëve serbë, si Milorad Dodiku, shef i të ashtuquajturës Republika Srpska në Bosnjë, dhe ndaj kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe paraardhësit të tij, Tomislav Nikoliq.

Norbert Hofer e ka quajtur veten «mik të Serbisë», ndërsa shefi i partisë së tij FPÖ, Heinz Christian Strache, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka marrë pjesë në një miting të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Tomislav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit, dhe me atë rast e ka quajtur Kosovën «zemër të Serbisë».

Në fushatat elektorale FPÖ-ja është prezantuar si avokate e të drejtave të serbëve në Austri. Në këtë vend jetojnë rreth 300 mijë serbë, prej tyre gati 100 mijë në Vjenë. Kësisoj kryeqyteti austriak është qendra më e madhe urbane e serbëve jashtë Ballkanit. Pas një takimi me presidentin Nikoliq vitin e kaluar në Beograd Hofer u dërgoi këtë mesazh dashurie serbëve që jetojnë në Austri: «Këta janë njerëz që mendojnë si ne, ndajnë vlerat e njëjta, kanë të njëjtën kulturë si ne. Kemi vetëm gjuhë tjetër».

Në një editorial të botuar në gazetën «Der Standard» në maj të vitit 2016 ish-diplomati Wolfgang Petritsch dhe politologu nga Universiteti i Vjenës, Vedran Xhihiq, e akuzuan FPÖ-në për politikë të papërgjegjshme partiake në Ballkan, e cila është në kundërshtim skandaloz me interesat e Austrisë. Norbert Hofer pothuaj hapur ka përkrahur shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnjë-Hercegovina. Po ashtu, FPÖ-ja ka nënshkruar një kontratë miqësie me partinë e Vladimir Putinit.

Petritsch dhe Xhihiq atëbotë patën akuzuar edhe ministrin e Jashtëm, Sebastian Kurz, për heshtjen e tij ndaj veprimeve të FPÖ-së. Me gjasë Kurz nuk dëshironte ta ngacmonte partnerin e ardhshëm. Vetë Kurz është përzier në zgjedhjet elektorale në Maqedoni, duke përkrahur regjimin e Nikola Gruevskit, i cili përbuzej nga Washingtoni, Berlini dhe kryeqytetet e tjera të rëndësishme të BE-së. Tani detyrë e Kurzit do të jetë t’i frenojë provokatorët e FPÖ-së. Për të shmangur dëmet eventuale Kurz ia ka marrë kompetencat Ministrisë së Jashtme në politikën evropiane.

Komentet
Loading...
Top