TAP më 3 korrik nis punimet për rrugët dhe urat në Shqipëri

017.jpg

Më 3 korrik në qytetin e Çorovodës do të përurohet çelja e punimeve për ndërtimin e rrugëve dhe urave në gjurmën ku do të kalojë nëpër Shqipëri tubacioni i gazit të TAP-it (Trans Adriatic Pipeline), ku pritet pjesëmarrje e nivelit të lartë të Qeverisë.

Burime zyrtare të “2B Agency”, e ngarkuar për marrëdhëniet publike të TAP-Albania, thanë sot për ATSH-në se ndërtimi i rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri është hapi i parë në përgatitjet e TAP-it për ndërtimin e tubacionit, që parashikohet të fillojë në vitin 2016.

Punimet që nisin në 3 korrik përfshijnë aksin rrugor nga Skrapari drejt Vithkuqit, një rrugë e njohur mesjetare, pasi këtej kalonin karvanët që lidhnin Korçën dhe zonat qendrore të Shqipërisë.

TAP do të ndërtojë dhe rehabilitojë mbi 100 kilometra rrugë përgjatë trajektores së tubacionit, duke nisur në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakrukes në rrethinat e Potomit, në rajonin e Beratit deri në Seman dhe Topojë në rajonin e Fierit. Gjithashtu do të ndërtohen dy ura të reja dhe do të rehabilitohen rreth 50 ura ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit.

Punimet do të kryhen nga një sipërmarrje e përbashkët si konsorcium, “Gener 2″ sh.p.k dhe “Sicilsaldo”, të miratuar pas një tenderi të hapur nga TAP-i. Kompania “Gener 2″ është udhëheqëse në konsorcium, është kompani shqiptare me përvojë 20 vjeçare që merret me ndërtim dhe zhvillim. Ndërsa “Sicilsaldo” s.p.a është kompani italiane e specializuar në inxhinieri, prokurim dhe ndërtim në sektorin e naftës dhe gazit, energjisë elektrike dhe afron shërbime nga projektimi dhe ndërtimi deri në mirëmbajtjen e impianteve dhe tubacioneve.

Projekti “Trans Adriatic Pipeline”, ose siç njihet TAP, është më i madhi i projektuar për të transportuar gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik në Italinë e Jugut dhe më tej në Evropën Perëndimore.

Tubacioni i TAP-it ka gjatësi prej 870 km dhe do të transmetojë 10 miliardë metra3/vit dhe pritet të zgjerohet në 20 miliardë metra 3/vit më vonë.

Komentet

Leave a Reply

Top