Të gjithë trajnerët shqiptarë lavdërojnë trajnerin e kombëtares Panucci, ja çfarë e thonë

hafizi.jpg

Starova: Panucci më ka imponuar simpati. I uroj suksese

Por loja e mirë e shfaqur nga kuqezinjtë tanë duket se nuk ka kënaqur vetëm trajnerin italian Christian Panucci. Një mendim pozitiv për paraqitjen e djeshme të kombëtares jep edhe trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i cili në fakt ka qenë shpeshherë kritik ndaj të huajve që kanë ardhur në futbollin shqiptar.

Astrit Hafizi, një nga ish-trajnerët e përfaqësueses sonë, ka pasur gjithashtu një shije të mirë nga loja e kuqezinjve mbrëmjen e së hënës në Antalia, përballë Turqisë, edhe pse ishte një kundërshtar të cilin e kemi mundur edhe herë të tjera. Këtë herë me Panuccin duket se skuadra u shfaq ndryshe nga ajo që ishim mësuar të shikonim.

Astrit Hafizi: Në aspektin sportiv unë e shijova për mënyrën sesi luajtëm, si e interpretuam lojën. Pati një shikim nga porta kundërshtare si rrallëherë, pati edhe një moment që ne kishim dëshirë të argëtoheshim në njëfarë mase. Futbolli në fund të fundit është edhe argëtim. Nëqoftëse ti nuk e ndien, pavarësisht nëse është miqësore apo zyrtare, dhe nuk e merr me seriozitet, unë besoj se nuk ke fituar, por ke humbur atë që është më kryesorja, cilësinë e lojës. Më parë ne kemi qenë më të frenuar, më të ndrydhur, e nuk u kemi lënë shumë hapësira lojtarëve për të fantazuar apo krijuar. Dje unë pashë një moment mjaft të mirë të dëshirës që kishin lojtarët për të krijuar dhe luajtur brenda një disipline loje, jo të shthurur. Patëm disa momente jo të mira në mbrojtje, sepse skuadra turke na sulmoi shumë dhe goditi në portë disa herë para se ne të shënonim golin e parë, por gjithsesi mbeti një përshtypje dhe një shije e mirë. Ndoshta e ardhmja e lojës sonë duhet të jetë ndryshe nga herët e tjera.

TCH: Cili është ndryshimi që ju vini më shumë re nga ana taktike apo emocionale mes De Biasit dhe Panuccit?

Astrit Hafizi: Ajo që ndryshon lojën e një periudhe të mëparshme me të tashmen është loja e idesë që kanë lojtarët për të krijuar dhe për të dhënë sa më shumë në drejtim të lojës sulmuese. Nuk mund të rrish gjithmonë duke pritur që të gabojë kundërshtari, apo të kemi edhe fatin me vete. Kjo gjë mund të ndodhë një apo dy herë, por një lojë e tillë nuk të çon në progres. Ndërsa kjo e sotmja e Panuccit, që për çudi të fatit vjen edhe nga një ish-mbrojtës, por që ka luajtur në nivele shumë të larta me skuadra shumë të mira të Europës, mentaliteti i tij duket qartë në mënyrën sesi e shtron lojën në fushë, i jep mundësi lojtarëve që të kenë drejtim në lojën e krahëve. Pastaj, me të vërtetë ti mund të luash në krahë, apo me shikim nga porta kundërshtare, por duhen gjetur edhe lojtarët që kanë aftësi për të shkuar atje. Mes tyre janë Roshi, Sadiku, Grezda, apo edhe Memushaj. Një gjetje e mirë ishte edhe Lilaj, i cili prej një kohe të gjatë në futbollin tonë luan rregullisht në Europa League me Skënderbeun, ka një përvojë. Ai është lojtar që ruan balancat mes mbrojtjes dhe sulmit, që ul tempin e lojës së kundërshtarit, pra ka një aftësi teknike saqë unë mendoj se mund të jetë një gjetje e Panuccit. Unë e shoh si një ndryshim që mund të vlejë edhe për edicionin e ardhshëm.

TCH: Ju keni qenë vet trajner i përfaqësueses. Mendoni edhe ju si Panucci, kur thotë se Shqipëria ka lojtarë dhe ka brum për të sulmuar, nuk është një skuadër që duhet të rrijë të gjithë kohën në pritje, siç ishim mësuar me De Biasin?

Astrit Hafizi: Ne në përgjithësi kemi pasur lojtarë, edhe vitet e kaluara, që shikojnë nga sulmi. Për të mos u kthyer shumë vite më parë. Ne nuk kemi qenë një skuadër që kemi ditur të luajmë në mbrojtje, por gjithmonë kemi pasur difekte. Unë mendoj se lojtarë ka, e rëndësishme është t’i gjesh, t’i prodhosh dhe të tentosh me këta. Ndeshja e djeshme ishte një moment afirmimi edhe për disa lojtarë, që mua më lanë një shije të mirë. Prandaj unë i bashkohem Panuccit, pse jo të mos guxojmë për të përdorur edhe lojën sulmuese.

TCH: Mendoni se epoka e De Biasit përfundoi dje, apo iu vu vula me këtë ndeshje dhe tashmë kemi një epokë të re “Panucci”?

Astrit Hafizi: Çdo trajner nuk duhet të vazhdojë fizionominë e atij paraardhës. Mendoj se ai është duke bërë një reformim të skuadrës, dashje padashje. Skuadra ka nevojë për një reformim, sepse duket qartë që disa lojtarë janë në një moshë të tillë, që mund të jenë sot, mund të mos jenë nesër. Edhe De Biasi kur erdhi bëri një reformim, kur u larguan Skela, Lala, Duro e me radhë…deri te Bogdani. Tashmë Panucci po reformon skuadrën me idetë e tij dhe me qëllimet që ka paraqitur. Secili trajner punon sipas mënyrës së tij, duke mos vazhduar rrugën e atij të vjetrit, sepse secili ka filozofinë e tij të lojës.

Komentet
Top