Loading...

Teknologjia holografike e “Star Wars” së shpejti realitet

Shkencëtarët kanë zhvilluar një nanomaterial i cili mundëson reflektimin e imazheve tredimensionale me kualitet të lartë, pa pasur nevojë për sisteme projektuese ose thjerrëza të shkallës së lartë.

Një grup hulumtuesish nga Universiteti Kombëtar i Australisë, siç transmeton AA, kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar një nanomaterial i cili mund të reflektojë dritën në formë tredimensionale duke bashkuar miliona kolona të silicit, secila 500 herë më e hollë se qimja e flokut.

Po ashtu, theksohet se materiali i ri nuk është i madh dhe i rëndë sikurse mjetet konvencionale siç janë thjerrëzat dhe prizmat, ndërkohë që në krahasim me këto mjete që intensitetin e dritës e regjistrojnë në formë dydimensionale, materiali i ri mund ta rikrijojë atë në formë tredimensionale.

Hulumtuesit kanë theksuar se kjo shpikje e re do të hapë një epokë të re në teknologjitë e kamerës dhe projeksionit, duke shtuar se nuk ka ngelur asnjë pengesë që teknologjia e komunikimit holografik në filmin “Star Wars” të përdoret në jetën e përditshme.

Sergey Kurk, hulumtuesi kryesor i projektit, duke theksuar se materiali i ri do të hapë dyert për mundësi të pafundme, për shpikjen ka vlerësuar se “Mund të përdoret për qëllime të ndryshme, si zvogëlimi i madhësisë së kamerave në smartfonë dhe zvogëlimi i peshës së sistemeve optike komplekse në satelitë.”

Hulumtuesit rezultatet i kanë publikuar në revistën shkencore “Optica”.

Komentet
Top