The Telegraph: Kanuni, kodi i mesjetës që sjell vrasje pa fund në Shqipëri

kanunineglizh-650x358.jpg

“Është ana e errët e hakmarrjes së shqiptarëve që buron nga një kod mesjetar drejtësie e që pjell një cikël vrasjesh pafund”, kështu nis shkrimi me titull “Pas botës së errët të gjakmarrjes shqiptare”, me autor gazetarin Peter Foster. Prestigjozja britanike “The Telegraph” ka botuar së fundi një shkrim për fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri.

Gazetari Foster ka udhëtuar në Shkodër, ku është takuar me Gjin Markun, një ish-oficer të inteligjencës shqiptare që tani punon si ndërmjetësues në pajtimin e gjaqeve dhe i hetuar për dhënie vërtetimesh gjakmarrjeje për çështje azili edhe për persona që nuk janë në gjak. Marku flet për 35 vrasje për gjakmarrje vetëm brenda 2016 dhe thotë se nuk bëhet fjalë për vrasje të rastësishme, por pasojë e Kanunit.

“Këto janë historitë që nuk duhet të zinin vend në Shqipërinë moderne ku ka hyrë rrjeti 4G, anëtare e NATO-s dhe kandidate për Bashkimin Europian. Këto janë rregullat e Kanunit, një kod i hershëm me 1262 nene që daton që prej shekullit të 15-të, i shkruar nga Lekë Dukagjini e ku thuhet se ‘gjaku lahet me gjak. Veçse pjesë e kulturës dhe e ADN-së së shqiptarëve, Kanuni është një burim në rritje dhe shqetësues i azil-kërkimit në gjykatat britanike. Që prej vitit 2012, mijëra shqiptarë kanë emigruar në Europë dhe një pjesë e madhe e tyre kërkojnë azil duke deklaruar se janë të kërcënuar në vendlindje për shkak të gjakmarrjes”, thuhet ndër të tjera në shkrim.

Pjesë e shkrimit është edhe rasti i familjes së Gjon Mhillit në Shkodër, ku pesë pjesëtarë të saj janë të izoluar që prej vitit 1992.

“Unë e di se jam një i vdekur që ecën në këmbë. U kam kërkuar që të lirojnë të paktën fëmijët nga gjakmarrja, por ata kanë refuzuar. Fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë. Ata duan gjak si shpagim”, thotë Mhilli.

Më tej “The Telegraph” shkruan se sistemi britanik e ka të vështirë të verifikojë vërtetësinë e kërkesave për azil në bazë të gjakmarrjes sepse në Shqipëri “fakti dhe sajesa vështirë të ndahen nga njëra-tjetra”. Gazeta shkruan gjithashtu se gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës ky fenomen nuk ekzistonte, por u riaktivizua pas viteve ’90.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top