Telenovela opozitare në Maqedoni

sefer.jpg

Prof.Dr Sefer Tahiri

Opozita shqiptare duhet ta kuptojë se politika dhe zgjedhjet nuk janë telenovela, e as përralla të La Fontenit!

Mos e lodhni popullin, mjaft është i stërlodhur ndër këto 25 vite nga politikanë të papërgjegjshëm, që nga askushi u bënë “dikushi”, që nga xhepazbrazur u bënë xhepaplotë (“të pabrekë i zuri dreka, milionerë i gjeti nata”-Gjergj Fishta), që nga anonimë të mëhallave dhe lagjeve tona u bënë yje kombëtare e bile disa edhe mendojnë se janë meteorë politikë. Nëse mendoni të bashkoheni, bëjeni, nëse e keni nda mendjen siç po veproni, mos u bashkoni, se ky popull ka mbijetuar edhe pa ju, edhe pse do të ishte alternativë një bllok i bashkuar opozitar, por mos mendoni se jeni të vetmit që keni “shkopin” magjik të shpëtimtarit politik të statusit të shqiptarëve dhe të avancimit të tij.
Kolegialisht, një sygjerim kolegëve dhe mediave, të mos e trajtojnë më këtë telenovelë politike të quajtur unifikim opozitar, sepse siç po lexoj mesazhet partiake, politikanët shqiptarë, flas për shumicën dërmuese, mendojnë se populli (qytetarët, zgjedhësit) ekziston për ta, egot e tyre personale, bajraktarizmin folklorik. Si ka mundësi që të gjithë deklarohen për bashkim opozitar, anëtarësia e kërkon një të tillë, opinioni publik gjithashtu, ndërsa vetëm bashkimi nuk ndodh. Ore, si ka mundësi që gjithë këtë energji politike dhe mediatike, partitë opozitare shqiptare e shpenzojnë duke u “hëngër” mes vete. Pra më shumë merren me vetveten se sa me BDI-në! Nuk ka logjikë dhe sens politik në rrafshin kombëtar shqiptar.

Që të mos ketë keqkuptime, nuk them që opozita shqiptare duhet të bashkohet që ta fitojë BDI-në, sepse ky nuk është prioriteti im, por mendoj se duhet të bashkohet që përfundimisht në skenën politike shqiptare të ketë balans të forcave, të ketë mekanizëm të kontrollit, të ketë përgjegjës politik, por edhe kërkues të përgjegjësisë, të ketë “pushtet” shqiptar në Maqedoni dhe opozitë të mirefilltë shqiptare. Ndryshe në garë nuk do të jetë interesant të garojnë fituesi i legjitimitetit politik shqiptar dhe një subjekt, me një lider që ka ruajtur pozicionin e shefit të opozitës. Po të kishte opozitë të fuqishme shqiptare, disa aparatçikë nuk do të silleshin sikur të jenë “pronarët” e shqiptarëve. E kam fjalën për pronarë faktikë të shqiptarëve, sepse të gjithë e dimë se çka ka ndodhur me pronat publike të shqiptarëve!

Jorastësisht nëse lexoni diskursin politik të disa përfaqësuesve opozitarë, do shihni se bisedohet për LISTA DHE PROGRAME.

Duhet të bisedohet për PROGRAME. e më pas për LISTA. Ne lista (deputetë anonimë) kemi pasur, shqiptarët shpesh kanë votuar për njerëz, që nuk ua kanë parë sytë në vendbanimet e tyre, e as në fotloren e Kuvendit dhe që sot as emrat nuk ua dinë. As hajrin kush s’ua ka parë.”Kukulla” parlamentare.
Nuk është fjala, në fakt nuk duhet të jetë fjala se kush do të bëhet deputet, por çfarë do sjellin si risi ata deputetë.

Prandaj personalisht (flasi si qytetar dhe si analist) mendoj se programi dhe platforma duhet të jenë vendimtare. Do të duhet të dominojnë idetë dhe jo interesi individual, konceptet demokratike e jo se kush do të jetë i pari në lista. Nëse e keni prioritet se kush do të jetë i pari, të tillë kemi pasur shumë. Ndryshimi nuk bëhet duke zëvendësuar një politikë të vjetër, me metoda të vjetra. Politika e re bëhet me alternativa dhe ide të reja.

Mund të komentohet edhe kjo nga dikush se mediat dhe analistët, nuk duhet të merremi me opozitën, por me pushtetin, pra me BDI-në, por medalja politike ka dy anë. Edhe pse, për hirë të së vërtetës medalja e politikës shqiptare po më del me tre anë. Apo edhe më shumë?
Zoti na ndihmoftë me këtë pushtet të vetëbegenisur dhe të hazdisur, por edhe me këtë opozitë të përçarë dhe të dalldisur!

Komentet

Leave a Reply

Top