Loading...

Tetova vuan për tetë autobusë

tetova.jpg

Tetova ndoshta në të kaluarën kishte një kompani auto-transportuese që organizonte transport publik dhe jo vetëm brenda territorit të Komunës së Tetovës, por edhe komunat rurale. Tashmë dhjetë vite e këndej, kompania “Polet” nuk funksionon dhe praktikisht, tetovarët nga një skaj në skajin tjetër për të kryer ndonjë punë duhet që të përdorin automjetet. Qytetarët theksojnë se transporti publik do të zgjidhte shumë probleme, shkruan gazeta KOHA. “Nuk është normale që një qytet të mos ketë transport urban, sepse qytetarët nuk do të merrnin automjetet, por do të shfrytëzonin transportin, kjo në radhë të parë do të kishte edhe më pak harxhime për vet qytetarët që është aspekti ekonomik, por edhe do të vinte rregull në komunikacion”, thotë Blerim Jashari, qytetarë i Tetovës. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës arsyetohen se kërkesa për tetë autobus e dërguar në qeveri nuk ka marrë përgjigje konkrete. Por nga komuna shprehin optimizëm se Qeveria e re do të gjejë mundësi që Komunës së Tetovës t’i ndajë autobusë.

“Ndërmarrja për transport publik është themeluar, megjithatë në qeverisjen paraprake – ne nuk gjetëm mirëkuptim për këtë çështje. Kërkesa e Komunës së Tetovës ishte që më saktësisht, ashtu siç ju dhuruan Komunës së Shkupit autobusët urban, të gjendet një kompromis që edhe Komunës së Tetovës së paku ti ndahen tetë autobus, gjë për të cilën nuk arritëm një marrëveshje me Qeverinë. Në vizitat që kemi pasur me kryeministrin e ri të Qeverisë reformatore, Zoran Zaev, shpresat janë mjaft optimiste që çdo kërkesë e komunave dhe jo vetëm e Tetovës, nëqoftëse ofrohet projekt – të mund të plotësohet nga ana e Qeverisë. Ne jemi shumë optimist se gjatë pranverës së këtij viti do të mund të gjendet një modus bashkëpunimi me qëllim të funksionalizimit të ndërmarrjes për transport publik, e cila tashmë është jetike për qytetarët e Tetovës”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Ndërmarrja për transport publik tashmë është themeluar në Këshillin e Komunës së Tetovës, por e njëjta nuk është vënë në funksion. “Ndërmarrja ka kaluar në Këshill, do të thotë procedura e themelimit të ndërmarrjes ka kaluar tashmë në Këshillin e komunës, megjithatë pa mundësinë e makinerike operative, ajo nuk mund të funksionalizohet, gjegjësisht pa autobusët urban ajo nuk mund të vihet në lëvizje. Varianti është që Komuna e Tetovës kur të pajiset me këto tetë autobusë urban, me linja të cilat nuk do të mund që ti mbulojë – të mund të shpallen në prokurim publik dhe me ato linja të menaxhojnë kompanitë nënkontraktuese, rrjedhimisht private, por meqenëse ne shpresojmë se do të kemi kapacitete të mjaftueshme, nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë”, theksoi zëdhënësi Fazliu. Nga ana tjetër, ambientalistët shprehen se mungesa e autobusëve nuk është arsyetim, sepse ka edhe variante tjera për të organizuar transportin publik. Arjanit Xhaferi nga lëvizja “Eco Guerilla” thotë se organizimi i transportit publik efikas do të ishte shumë më i lehtë për qytetarët të cilët nuk do të duhej të merrnin veturat e tyre për të lëvizur nëpër qytet.

Komentet
Top