Loading...

Tetovë, disa OJQ shqiptare dolën me kërkesa konkrete në lidhje me krizën politike

11113883_10152991093521275_2065444305258840409_n.jpg

Me iniciativë të shoqatës Illyricum Libertas -Tetovë dhe me përkrahjen e një numri të madh intelektualësh apartiakë dhe shoqatash tjera të pavarura shqiptare, u mbajt sot në Tetovë një mbledhje e përbashkët me temë situatën politike dhe të sigurisë në vend.

Pjesëmarrëse ishin Shoqata dhe aktivistë nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi. Shoqata e të burgosurve dhe përndjekurve politikë në Maqedoni, Lëvizja Zëri nga Struga, Dituria, Kult, dhe Art nga Kërçova, Unioni i shoqatave civile nga Dibra, Glob nga Gostivari, Illyricum Libertas, Josif Bageri, Kultur Fabrik, Shoqata Foenix, Organizata Ciklon, Shoqata Natyra, Fis nga Tetova, Shoqata Rrezë nga Shkupi, intelektualë, njerëz të vullnetit të mirë, si dhe aktivistë me vlera dhe kontribute nga Shkupi e Gostivari.

Temë kryesore e mbledhjes ishte të pengohet defaktorizimi politik i shqiptarëve në IRJM dhe të kushtëzohet përkrahja për opozitën maqedonase me disa pika kryesore të cilat janë interes vital i shqiptarëve këtu, siç janë kërkim falja publike për krimet e së kaluarës, statusi shteformues për shqiptarët në kushtetutë, çështja e simboleve shtetërore, pozitat qeverisëse, etnizimi i buxhetit etj.

Pikat u pranuan parimisht nga gjithë pjesëmarësit në këtë takim të rëndësishëm. Pati propozime shtesë që do tiu shtohen grupit të pikave në një të ardhme të afërt. Ishte kërkesë që ky format të vazhdojë këshillimet, takimet dhe mbledhjet edhe në të ardhmen me shtimin e numrit të pjesëmarrësve si nga sektori i pakorruptuar dhe apartiak civil ashtu edhe me intelektualë paparti të kalibreve të ndryshme.

Në këtë drejtim, mbledhja e rradhës u caktua për të shtunën e ardhshme. Ftojmë gjithë intelektualët shqiptarë apartiakë me kontribute në shoqëri, njerëzit e vullnetit të mirë si dhe shoqatat tjera që ti bashkohen këtij forumi që si qëlim kryesor dhe të vetëm ka mbrojtjen e interesave kolektive të shqiptarëve këtu.

Deklarata e përbashkët e tyre

Ne, një numër i shoqatave civile shqiptare nga IRJM, grupeve tjera joformale si dhe intelektualë të vullnetit të mirë, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë politike dhe të sigurisë në vend si dhe heshtjen e pakuptueshme dhe papranueshme të partive politike shqiptare këtu në lidhje me zhvillimet e fundit politike këtu, vendosëm të mbajmë qëndrim në lidhje me situatën aktuale, si dhe protestën e 17 majit dhe protestat e mundshme në të ardhmen të opozitës maqedonase kundër regjimit Gruevski.

Filllimisht,

Kritikojmë ashpër heshtjen e patolerueshme dhe pafalshme të faktorëve e aktorëve politikë shqiptarë në vënd, qofshin në pozitë, opozitë apo edhe partive jashtëparlamentare të cilat në këto momente historike kur rezikohet defaktorizimi i tyre si faktorë politikë dhe delegjitimimi në sytë e votuesit shqiptar, kanë zgjedhur heshtjen e turpshme si një mjet për të shpëtuar nga rreziku dhe e panjohura e rradhës.

Partitë politike shqiptare në IRJM me këtë pasivitet alarmant rezikojnë të humbin besimin e popullatës shqiptare, të shpërbëhen dhe zhduken nga skena politike këtu. Në një vend ku sistemi politik vazhdon të funksionojë dhe qëndrojë mbi baza etnike, mosmarrja pjesë në betejat politike dhe tërheqja nga kauza të caktuara rrezikon të jetë me pasoja serioze për vetë mbijetesën nacionale të shqiptarëve këtu.

Kjo pasi komuniteti ynë do të mbetet të përfaqësohet nga partitë maqedonase si rezultat i delegjitimimit të shpejtë dhe rënimit të besimit të shqiptarëve tek subjektet e tyre politike.

Kërkojmë që partitë tona politike, urgjentisht të dalin me propozime konkrete për dalje nga kjo gjendje e rëndë politike dhe e sigurisë në vend pa dëmtuar interesat tona komunitare këtu. Ato tre katër kërkesat me të cilat dolën më në fund pas kritikave të fuqishme të opinionit vendës, janë shumë pak dhe shumë vonë për të plotësuar nevojat reale të komunitetit tonë këtu.

Njëherit,

Përshëndesim përpjekjet demokratizuese që ka ndërmarë kohëve të fundit LSDM dhe në këtë kuadër edhe protestat qytetare kundër një regjimi autokratik si ky në fuqi.

Inkurajojmë që këto protesta të vazhdojnë gjer në largimin nga pushteti të një klase të korruptuar nacionalistësh primitivë që kanë humbur legjitimitetin popullor dhe demokratik duke instaluar një republikë policore dhe represive ndaj qytetarëve pa dallim.

Por, duke qenë se komuniteti ynë këtu ka përvoja të hidhura të vazhdueshme dhe historikisht me qeverisjet e ndryshme maqedonase qofshin këto të proviniencës së djathtë apo të majtë, kërkojmë që opozita maqedonase të mbajë qëndrim në lidhje me disa çështje më rëndësi kardinale për ardhmërinë dhe mirëqenien e komunitetit të dytë më të madh këtu, atij shqiptar.

Kjo ka të bëjë me sfidat mësa vijon:

Së pari, LSDM, opozita e bashkuar maqedonase, dhe vetë lideri i saj Zaev (në vazhdim: opozita e bashkuar etnike maqedonase), të kërkojë falje publike komunitetit shqiptar për veprimet e padrejta, diskriminuese në momente edhe terrori të organizuar shtetëror të kryera në të kaluarën e afërt kur qeverisnin me vëndin.

Së dyti, opozita e bashkuar etnike maqedonas të deklarohet publikisht në lidhje me mundësinë shumë demokratike të ripërcaktimit të raporteve etnike në vend, më konkretisht, riregullimeve kushtetues të vëndit si republikë bietnike e dy komuniteteve më të mëdha, atij shqiptar dhe maqedonas. Kjo i bie që IRJM, të definohet në kushtetutë si shtet i dy kombeve të barabarta, shqiptarëve dhe maqedonasve si dhe i pjesëtarëve të pakicave etnike, ose i a.q statusi shtetformues për të dyja komunitetet në fjalë.

Së treti, opozita e bashkuar etnike maqedonase, të shprehet publikisht në lidhje me mundësinë shumë demokratike dhe europiane të rirregullimit kushtetues dhe ligjor të sferës së gjuhëve zyrtare në vend, më konkretisht, për mundësinë që gjuha shqipe të jetë zyrtare në gjithë territorin e republikës si p.sh gjuha sërbe në Kosovë, apo tre gjuhët zyrtare në BH.

Së katërti, opozita e bashkuar etnike maqedonase, të deklarohet qartë dhe pa ekuivoke në lidhje me regullimin ligjor të çështjes së simboleve shtetërore, të cilat duhet të jenë neutrale nga ana etnike dhe jo sikundër janë tani, si imponime të simboleve etnike të njërit komunitet si simbole shtetërore për gjithë qytetarët e vendit.

Së pesti, opozita e bashkuar etnike maqedonase të pranojë publikisht mundësinë e rregullimeve ligjore për ndarje proporcionale të buxhetit , i .a etnizimi i buxhetit shtetëror.

Së gjashti, opozita e bashkuar etnike maqedonase, të deklarohen publikisht në lidhje me mundësinë që Presidenti i ardhshëm i Republikës të jetë nga rradhët e komunitetit të dytë më të madh në vënd, atij shqiptar.

Së shtati, çështja e emrit të shtetit të mos bëhet pengesë e pakapërcyeshme për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Zoran Zaev dhe opozita e bashkuar etnike maqedonase të përcaktohen dhe deklarohen qartësisht, fuqishëm dhe publikisht për integrim të pakusht në BE dhe NATO.

Kërkesat e mësipërme do tu jepen në shqyrtim me kërkesë për pranim si dhe e afatizuar subjekteve në vazhdim:

a) partive politike shqiptare këtu me qëllimin e deklaruar që ata të bëhen pjesë e këtyre kërkesave

b) opozitës së bashkuar etnike maqedonase me në krye liderin e saj, z.Zoran Zaev si dhe sa për informim edhe

c) përfaqësive diplomatike të miqve dhe aleatëve nga BE, SHBA dhe NATO si dhe misioneve të huaja këtu si ato të BE dhe OSBE

Në rast të miratimit në parim nga opozita aktuale etnike maqedonase të këtyre kërkesave të drejta, të arsyeshme, demokratike, legjitime që janë në frymë krejtësisht moderne europiane, do ketë arsye reale që protestës dhe kauzës së drejtë opozitare të opozitës së bashkuar etnike maqedonase ti bashkohen masivisht edhe shqiptarët që gjer më tani janë skeptikë ndaj aksioneve politike të opozitës aktuale sllave këtu.

Komentet

Leave a Reply

Top