Loading...

Tetovë: Garë nusesh në Karnavalet ilire të Bozovcës

22.02-AKTUALE-Risi-nw-manifestimin-tradicional-750x430.jpg

Është viti i dytë me radhë që Karnavalet Ilire të Bozovcës i kërkojnë risitë përmes përfshirjes gjithnjë e më të madhe të grave në këtë manifestim, shkruan gazeta KOHA. Nëse edicionet e tjera rolet e femrave realizoheshin nga meshkuj të maskuar si gra, dy herët e fundit janë vetë femrat që bëhen pjesë aktive e grupit të karnavalistëve. Përgatitjet në fshatin Bozovcë kanë nisur dhe organizatorët tregojnë se risia e këtij edicionin do të jetë gara e bukurisë, përkatësisht një pikë ku do të improvizohet një skenë tipike e gazmendeve shqiptare ku nuset e stolisura dhe të veshura me kostumet më të mira vlerësohen për bukurinë, veshjen, grimin, e të tjera. “Do të jenë nja 7-8 gra të veshura si nuse, traditë kjo që është thellësisht shqiptare, ajo e vlerësimit të bukurisë. Qëllimi është që të tregojmë se ne si popull gjithmonë kemi ditur të vlerësojmë të bukurën, është njëlloj si ato garat e bukurisë që bëhen tani, por që në fakt duam të tregojmë se në një formë tjetër kanë ekzistuar edhe dikur”, thotë për KOHA një prej organizatorëve të Karnavaleve të Bozovcës, Neshat Mehmedi. Sipas tij gjithçka është gati dhe risitë e kësaj natyre, përveç se aktivizimit të grave në këtë manifestim kanë si qëllim që të japin vazhdimisht freski dhe të mos lejojnë përsëritjen monotone të pikave të këtij aktiviteti. Sigurimi i mbështetjes financiare të nevojshme është një prej pengesave me të cilat hasin çdo vit. Karnavalet e Bozovcës mbështeten nga komuna e Tetovës (rreth 2.500 euro), por jo në shumë të mjaftueshme për të krijuar të gjitha kushte komode në mbarëvajtjen e tij. Me këtë projekt është konkurruar edhe në Programin nacional të 2018 në Ministrinë e Kulturës, nga ku presin edhe mbështetje financiare për realizimin e tij. Për vetë karakterin e kësaj ngjarje, Karnavalet e Bozovcës që zhvillohen në muajin mars, kanë nga çmuar kureshtjen e studiuesve nga Shqipëria e Kosova. “Kushtet janë të tilla, që nuk mund t’i lejojmë vetes shpenzime më të mëdha, të kemi një prezencë më të madhe të ftuarish, edhe ato që kanë marrë pjesë kanë ardhur me shpenzimet e veta. Kërkojmë mbështetje për të mbajtur ashtu si duhet këtë manifestim për të cilin nga 2009 e këndej më shumë sesa me mbështetje financiare e realizojmë me entuziazëm. Pasi duhet të ruhet kjo pjesë e traditës, ky karnaval shumë i lashtë, që nga koha e ilirëve”, thotë Mehmedi. Karnavalet e Bozovcës janë zhvilluar deri në vitin 1981 dhe u ndërprenë për më shumë se dy dekada. Ruajtja e traditave dhe festimi i jetës dhe i begative të saj në formën pagane, ashtu si shënohej dikur është një prej synimeve të rifillimit të kësaj tradite. Skenari i kësaj dite është i thjeshtë, mbështetet sa në gojëdhëna të mbledhura nga më të moshuarit, po aq edhe nga materiale të tjera etnografike. Ceremonia nis me nga qendra e fshatit, aty ku tubohen të gjithë për të pleqëruar hallet, organizohen lojëra dhe pika të ndryshme muzikore, por edhe gostiten me ushqimet tradicionale. Në karnavalet e kaluara interpretimi i roleve mashkullore u zëvendësua me tre gra, përkatësisht të veshura si nuse, që prezantojmë jo vetëm traditën e veshjeve kombëtare në ditë të veçanta, por edhe atë të nusërimit. (koha.mk)

Komentet
Top