Loading...

TETOVË, mbi 50 kazino dhe trefish më shumë bastore

18.35-AKTUALE-komuna-lojrat-e-fatit-800x445.jpg

Në Tetovën e dy universiteteve, në Tetovën e selive të partive politike… në mënyrë legale me amimin e shtetit funksionojnë mbi 50 kazino dhe dyfish më shumë bastore, të vendosura vend e pa vend, afër shkollave, institucioneve shtetërore, në zemër të qytetit duke zaptuar lokalet më atraktive dhe duke tërhequr edhe fëmijë të mitur

Urim HASIPI

Tetovë, 2 maj – Komuna e Tetovës më në fund ka kërkuar që të kyçet në debatin për Ligjin e ri për lojërat e fatit. Në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës, është sjellë vendim që Komuna e Tetovës të jetë pjesë e debatit dhe të jep propozimet e saj që këto objekte të lojërave të fatit të jenë sa më larg objekteve shkollore dhe atyre publike. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës së Tetovës, Bekim Memeti, shkruan gazeta KOHA.

“Në Seancën e fundit të Këshillit që është mbajtur, Këshilli dhe Komuna e Tetovës është kyçur në debatin publik të hapur nga Ministria e Financës dhe nga Qeveria me çrast edhe ne si Këshill sugjeruam dhe vendosëm për pikat me të cilat ne si institucion planifikojmë të kyçemi në këtë debat të hapur”, tha Memeti, duke shtuar se më tej do të jepen propozime konkrete në këtë drejtim.

“Domethënë, përveç pikave të cilat tanimë veçse janë të parapara nga institucionet, ne vendosëm që atyre pikave t’ju shtojmë edhe disa pika të tjera për të cilat mendojmë se ia vlen të jenë si pjesë e Ligjit përkatës, i cili në të ardhmen pritet të sillet, domethënë planifikohet që distanca të rritet nga 100 metra sa është tani në 300 metra dhe aty të përfshihen më shumë institucione shtetërore si çerdhe, komuna, spitale, objekte fetare e kështu me radhë”, deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Nga shkollat fillore në Tetovë thonë se hapja e objekteve të lojërave të fatit në afërsi të këtyre institucioneve është një dukuri negative që ndikon negativisht në shoqëri dhe pikërisht në gjeneratat e reja, pasi me të madhe janë hapur kazinotë dhe bastoret sportive të cilat e gënjejnë rininë.

“Sa i përket procesit edukativo-arsimor, pasi përfshin jo vetëm arsimimin, por edhe edukimin, ne kemi paraparë që edhe gjatë orëve të klasës të ditës së hënë ti ndahet një orë, vazhdimisht secilën javë nga një orë të ndahet dhe të flitet për këtë çështje, edhe pse në këtë drejtim më së shumti duhet që shtetit të merret me këtë dukuri, dhe të bëjë parandalimin e hapjeve të mëtutjeshme sepse është një proces shumë i zgjeruar jo vetëm në qytetin tonë, por edhe në qytetet e tjera të vendit tonë. Kështu që ndikim të madh mund të them se ka edhe familja, sepse edukimi fillon prapë që në familje dhe më pas në shkollë dhe shoqëri”, deklaroi Shpresa Iseini, drejtoreshë e shkollës fillore “Liria” në Tetovë. Ajo madje kërkon që bastoret dhe kazinotë të mbyllen.

“Ne vazhdimisht mundohemi që fëmijët ti edukojmë në frymën që duhet të mësojnë dhe të punojnë në mënyrë të ndershme dhe të arrihet qëllimi dhe ideali i çdo nxënësi që e ka atë primare. Sa i përket hapjes së kazinove dhe bastoreve, duhet që prindërit kudo që janë, qoftë nëpërmjet institucioneve edukativo-arsimore, këshillit të prindërve… të ndërmarrin masa dhe të bëjnë kërkesë që mos të hapen më dhe këto që janë – shumica edhe të mbyllen sepse nuk kemi nevojë që në këtë mënyrë të edukohen fëmijët tanë”, thotë drejtoresha Iseini.

Ndryshe, në Tetovën e dy universiteteve, në Tetovën e selive të partive politike… në mënyrë legale me amimin e shtetit funksionojnë mbi 50 kazino dhe dyfish më shumë bastore, të vendosura vend e pa vend, afër shkollave, institucioneve shtetërore, në zemër të qytetit duke zaptuar lokalet më atraktive duke tërhequr edhe fëmijë të mitur. (koha.mk)

Komentet
Top