Tetovë: Si të bëhet “Kodra e Diellit” qendër turistike si “Bansko”?

21.30-AKTUALE-Kodra-e-Diellit-750x430.jpg

Me dekada të tëra flitet për potencialin e madh turistik dhe zhvillimin e Kodrës së Diellit në qendër të madhe dhe moderne të sporteve dimërore. Megjithatë, të gjitha planet për zhvillimin e saj, si duket kanë mbetur në letër, përderisa në të njëjtën kohë qendrat rajonale si Bansko apo Kopaoniku janë shndërruar në perla të vërteta të turizmit ku në sezon as që mund të gjendet vend i lirë, shkruan gazeta KOHA. Eksperti i turizmit Mislim Zendeli, thotë së çështja e padefinuar e pronësisë së Kodrës së Diellit mbetet pengesa kryesore për zhvillimin e saj. Andaj, sipas tij, hapi i parë dhe kryesor për kalimin e potencialit ekonomik që posedon Kodra e Diellit në mundësi reale për zhvillim, si qendër numër një në Maqedoni dhe më gjerë me hapjen qindra, por edhe mijëra vendeve të reja të punës, është kalimi i kompetencave nga pushteti qendror në kompetencat e pushtetit lokal të kësaj pike turistike. “Zhvillimi i Kodrës së Diellit, për të cilin flitet vite i e vite, në radhë të parë është çështje e pazgjidhur politike lidhur me vonesën e një decentralizimi të vërtetë në vend dhe pastaj është çështje ekonomike. Si mundet që të gjithë fshatrat përreth Kodrës së Diellit t’i takojnë Komunës së Tetovës, ndërsa vetëm kjo qendër turistike t’i takojë pushtetit qendror. Andaj, nevojitet kjo çështje të ngrihet dhe zgjidhet në Kuvendin e Maqedonisë, me qëllim që Komuna e Tetovës të ketë kompetenca të plota lidhur me zhvillimin e saj dhe më pastaj të intensifikohen punët lidhur me modernizimin e Kodrës së Diellit”, thotë për KOHA specialisti i fushës së turizmit dhe profesori universitar, Mislim Zendeli.

Sipas tij, hapi i dytë më tej, pas fitimit të kompetencave, do të ishte gjetja e një investitori të huaj përmes sistemit të partneritetit private-publik, që do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm të kësaj pike turistike, duke e ruajtur atë edhe për gjeneratat e ardhshme dhe jo duke e shkatërruar në mënyra të ndryshme jo vetëm në aspektin ekologjik.

“Pra, Komuna, pas fitimit të kompetencave duhet të përgatisë një plan të posaçëm për zhvillimin e Kodrës së Diellit, në bashkëpunim me punëtorët shkencor, ku do të dihet saktësisht se si do të zhvillohet ajo, duke filluar nga përfshirja maksimale e komunitetit lokal në punësimet e ardhshme në këtë zonë, zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe jo masovik, me përkufizimin e numrit të vizitorëve, zgjatjen e punës së saj në të katër stinët, zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit, përveç atij dimëror si alpinizmi, çiklizmi, paraglajding e kështu me radhë“, thekson më tej Zendeli. Ai vlerëson se turizmi në botën moderne, është një nga degët ekonomike që sjell më shumë të ardhura ekonomike për një shtet, për shkak se realizon një eksport të padukshëm. Gjithashtu turizmi modern malor zhvillon më shumë veprimtari si hotelet, bujqësia, blegtoria, ndërtimtaria, përgjatë 12 muajve të vitit dhe jo vetëm për katër muaj. Ndryshe, punëtorët e turizmit, thonë se gjatë ringjalljes së Kodrës së Diellit, si perlë e turizmit malor në Ballkan, duhet marrë parasysh se ai ky vend turistik, patjetër të zhvillohet përgjatë tërë vitit, për çka ekzistojnë kushte ideale natyrore, si burimet e ndryshme, ujëvarat, liqenet malore etj. për shkak se ekzistojnë një numër i konsiderueshëm i turistëve që nuk durojnë diellin, andaj më shumë preferojnë pushimin në mal. Për këtë qëllim, nevojitet të krijohen edhe kushte për pushim, rekreim, zbavitje natën, kuzhinë cilësore, lloje të ndryshme rekreimi, si për shembull qendrat spa me pishina dhe përmbajtje të tjera atraktive. Ndryshe, ofertat jocilësore e qendrave vendore të skijimit si Kodra e Diellit, por edhe mungesa e infrastrukturës së duhur për zhvillimin e turizmit malor, i kanë drejtuar turistët e huaj drejt qendrave moderne dimërore të fqinjëve, në vend të frekuentimit të qendrave vendore. (koha.mk)

Komentet
Loading...
Top